Kinë: Mënyra e re e përballimit të COVID-19, kthimi i pikave të testimit në qendra të trajtimit të etheve
2022-12-19 11:07:54

Foto: Visual People

Ndërsa numri i infeksioneve të COVID-19 po rritet, qytetet anembanë Kinës kanë zbatuar masa të reja për t'u përballur me këtë situatë.

Në Suzhou, një qytet në provincën lindore të Kinës Jiangsu, pikat e testimit të acidit nukleik që nuk përdoren më, janë shndërruar në qendra të posaçme për të ofruar trajtim mjekësor për banorët që kanë ethe. Qytetarët mund të diagnostikohen dhe të marrin barna me recetë nga mjekët në këto qendra. I gjithë procesi zgjat rreth dhjetë minuta.

Për të siguruar trajtim mjekësor më të shpejtë e më të përshtatshëm për banorët, Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë shpalli këtë javë një njoftim për zgjerimin  e shërbimeve mjekësore në internet për të sëmurët nga COVID-19.

Pekini publikoi kohët e fundit një listë spitalesh e institucionesh mjekësore që ofrojnë shërbime diagnostikimi dhe trajtimi në internet, si edhe qendra shërbimi shëndetësore në lagje që trajtojnë pacientë me 11 lloje simptomash, duke përfshirë ethet, kollën e thatë, dhembjen e grykëve dhe rrjedhjet e hundës.

Qytete të tjera, si Guangzhou dhe Chengdu, kanë organizuar gjithashtu shërbime mjekësore në internet, duke ofruar më shumë zgjedhje për banorët për të marrë trajtim në shtëpi, gjë që është vendimtare për parandalimin e transmetimit të infeksionit. Njëmbëdhjetë distrikte në Shenzhen kanë vendosur linja telefonike 24 orë në ditë, duke ofruar shërbim mjekësor dhe këshillime psikologjike për banorët që ndihen të stresuar apo të shqetësuar nga shpërthimi i COVID-19.

Foto: VCG

Tani, përparësia e kontrollit epidemik është të garantohet marrja e shërbimeve mjekësore dhe të përmbushet nevoja e publikut për barna, veçanërisht për gratë e moshuara, gratë shtatzëna, fëmijët dhe pacientët me sëmundje kronike bazë, sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë të Kinës në një konferencë shtypi të fundit.

Përballë nevojës në rritje për barna, qytetet si Pekini, Wuhan-i, Hefei dhe Fuzhou u kanë shpërndarë pako mjekësore falas banorëve. Çdo pako përfshin maska fytyre N95, termometër, spërkatës alkooli, ilaçe për të ftohtin dhe testues antigjeni. Autoritetet shëndetësore në Jinan, kryeqendra e provincës Shandong të Kinës Lindore, u kanë shpërndarë 1.1 milion tableta ibuprofeni klinikave dhe farmacive në ditët e fundit. Disa farmaci u ofrojnë gjithashtu barna për uljen e temperaturës falas banorëve nëse ata kanë një fotografi termometri që tregon temperaturën e tyre të lartë.