5 libra poshtë kuvertës për festën e Krishtlindjes
2022-12-19 17:12:51

Në funksion të Krishtlindjeve, dhjetori në një farë mënyre duhet të jetë periudha më e bukur e vitit, por për shumë të rritur është e vështirë të gjejnë atë atmosferë magjike që na rrethonte si fëmijë, për shkak të angazhimeve dhe në përgjithësi periudhës së veçantë që po kalojmë. Pavarësisht kaosit të kësaj periudhe, nuk ka asgjë më të mirë se t'i jepni vetes një moment tuajin për t'u strukur në divan me një batanije të ngrohtë pranë dritave të pemës së zbukuruar dhe t'i përkushtoheni leximit të një libri të mirë që mund të krijojë atmosferën e duhur të festave të Krishtlindjeve.

“Gra të vogla” nga Louisa May Alcott

Është një nga librat më të bukur të të gjitha kohërave ky libër, por edhe më shumë se kaq: është një libër i pavdekshëm. Që nga koha e botimit të parë e deri më sot, është ribotuar pafundësisht. Pasi të lexohet është e pamundur të harrohet. Sharmi dhe pafajësia vijon të tërheqë lexuesit, pavarësisht faktit se realiteti shoqëror dhe familjar i përshkruar në roman është shumë shumë i ndryshëm nga jeta familjare e ditëve tona. Jeta e përditshme e motrave Març, nëpërmjet gëzimeve, keqkuptimeve dhe dashurive të para, ka mrekulluar dhe vazhdon të mrekullojë lexuesit e të gjithë botës. E dashura Beti, e talentuara Xho, e brishta Megi, ngacmuesja Emi, këto janë katër motrat Març.

Ky libër, është i këndshëm, familjar, kur e lexon dhe kjo është arsyeja që e propozojmë si një nga librat që mund ta lexoni për Krishtlindje, pasi ky libër është në gjendje të përcjellë një atmosferë mjaft të mirë brenda jush. Në fakt, shumë djem ndjehen mirë kur e lexojnë librin, po aq sa edhe vajzat. Ndërsa lexuesit e ditëve tona shpesh e gjejnë personazhin kryesor, tepër të mirë për të qenë e vërtetë. Alcott e shkruajti librin si një libër për vajza, me qëllimin e vetëm për të fituar para. Kur pjesa e parë u publikua si një vepër e përfunduar, lexuesit kërkuan të dinë më shumë mbi fatet e vajzave të familjes March dhe ajo vazhdoi të shkruante fatin e vajzave në librin me titull “Gratë e Mira”. Megjithëse autorja e shkrojti librin si pa dëshirë, ajo krijoi një personazh që hyri në jetën e shumë brezave.

“Mos më lër të shkoj” nga Kazuo Ishiguro

Nuk ka rast më të mirë se këto Krishtlindje për të zbuluar një fitues të Çmimit Nobel në Letërsi. Bëhet fjalë për shkrimtarin Kazuo Ishiguro. Pavarësisht se ai ka lindur në Japoni, Ishiguro ka kombësi britanike, prandaj historitë e tij lundrojnë vazhdimisht midis Lindjes dhe Perëndimit. “Mos më lër të shkoj” është një nga romanet e tij më të mirë që bën një pasqyrim perfekt të një shoqërie manipuluese, përmes syve të tre të rinjve të rritur në shkollën me konvikt Hailsham.

Është një roman tronditës, që rikrijon me ndjeshmëri të jashtëzakonshme botën dhe kohën tonë përmes një historie miqësish e dashurish që s'të ndahen dot nga mendja. Keti, personazhi kryesor, tashmë 30 vjeç, prej shumë kohësh e kishte hedhur pas të shkuarën e saj, deri kur dy nga miqtë e vet të Heilshamit kthehen sërish në jetën e saj dhe ajo nuk arrin t'i bëjë më ballë rikthimit të kujtimeve. E kështu, ndërsa miqësia e saj me Ruthin rindizet, ndjenjat që shumë kohë më parë ushqenin pikën e dobët të zemrës së saj adoleshente, Tomin, nisin të thellohen më tej në dashuri.

Keti rikujton vitet e Heilshamit. Ajo përshkruan skena të lumtura të djemve dhe vajzave që rriten bashkë, të patrazuar, gati edhe të kënaqura, nga izolimi në të cilin ndodheshin, por ajo përshkruan mjaft mirë edhe disa skena të tjera: të hutimit dhe keqkuptimeve që fshihnin një sekret të errët pas dukjes mëkuese të Heilshamit. Pse e rekomandojmë këtë libër? Sepse do ju mbushë me kujtime dhe nostalgji të jetës suaj, pasi secili ka diçka për të kujtuar dhe koha e Krishtlindjes, është momenti më i mirë për ta bërë këtë gjë.

"Të mos festosh Krishtlindjet” nga John Grisham

Në shumë familje, ndodh diçka që pengon festën që të jetë një festë. Kur kjo ndodh, shumë nuk duan argëtime dhe gosti, madje as dhurata. Një dëshirë e tyre është që të fshihen me nxitim nga të gjithë në hallin etyre. Kështu I ndodhi edhe familjes Krenkov që humbi kuptimin e saj të dikurshëm në festat e Vitit të Ri kur vajza e tyre e vetme u largua. I shoqi llogariti se ata shpenzojnë shumë para për t'u argëtuar. Kështu ai e ftoi gruan e tij për një lundrim. Duhet të jetë edhe më argëtues dhe më i lirë.

Megjithatë, gjërat nuk shkojnë siç është planifikuar. Një ide interesante kthehet në një provë. Në fund të fundit, askush nuk lejohet të thyejë traditat e vendosura! Dhe Krenokovët nuk blenë pemë Krishtlindjesh, nuk dhuruan për bamirësi, nuk bënë një festë. Dhe më e rëndësishmja - ata nuk bënë as një burrë bore në oborr. Por, a mendoni se është kaq e lehtë të thyesh botën e vogël, dikur të afërt e argëtuese, plot me fqinj të mirë? Por, lexues, mos u shqetësoni! Gjithçka do të përfundojë mirë, sepse është një Krishtlindje magjike! Dhe mëse lexoni këtë libër, Krishtlindja jote do të bëhet edhe më magjike nga atmosfera e bukur që libri përcjell.

“Plepat berlinezë” nga Anne B. Radge

Në këtë roman të shkrimtares Anne B. Radge, do të gjeni sagën e familjes Neshov që jeton diku në Norvegjinë Veriore. Menjëherë me shfletimin e librit, ju do të gjeni prag Krishtlindjesh, vitrina të zbukuruara mjeshtërisht dhe tre vëllezër, shpirti i të cilëve ka shumë brenga. I shkruar bukur e plot mister, ky është portreti i një familjeje që mbart në vetvete të fshehta e të pathëna.

Kur papritur Ana Neshov pëson një atak, një javë përpara Krishtlindjeve dhe bie në gjendje kome, tre djemtë e saj janë të detyruar të ripërcaktojnë jetën e tyre dhe të mblidhen së bashku. Ata merren me veprimtari krejt të ndryshme: Erlendi punon si zbukurues vitrinash në Kopenhagën, Margidoja ka një zyrë të vogël për shërbime funerale, ndërsa Tori, djali i madh i familjes, pesëdhjetë e gjashtë vjeç, kujdeset për fermën. Vëllezërit nuk e kanë parë njëri-tjetrin për vite me radhë. Tori është i vetmi nga tre djemtë që ka një vajzë, e cila është takuar vetëm një herë me babanë. I vlerësuar me disa çmime, bestselleri Plepat berlinezë është një roman që përpiqet të zbulojë rrënjët më të thella të një familjeje, madje edhe ato që nuk janë ditur kurrë se ekzistojnë.

Eksplorimi i thellë dhe i papërmbajtshëm i zonës së hijes së një familjeje, shpalos në skenën letrare botërore talentin e Anne B. Ragde, një nga shkrimtaret kryesore të romanit të ri të Evropës Veriore. Roman atmosferik dhe i tensionit të madh në të cilin fryma e trojeve të Veriut, kontakti i tyre intim me natyrën, natyra e vetmuar dhe e pavarur e banorëve të saj, del me forcë të papërdorur. Romani “Plepat berlinezë” ka pasur sukses të madh ndërkombëtar, publiku e njeh nga kritika, ndërsa ju mund të përfitoni e ta lixoni në këto ditë Krishtlindjesh.

“Pështjellim ndjenjash” nga Stefan Cvajg

Të gjithë e dimë se shkrimtari Stefan Cvajg ka adhurues të shumtë në Shqipëri, që u përkasin të gjitha moshave. Por gjithsesi, librin e fundit që rekomandojmë për rubrikën tonë, jua kemi kushtuar lexuesve sqimëtarë dhe elegantë, të cilët tek leximi gjejnë gjithçka për të cilën kanë nevojë.

Botuar në vitin 1927, ky roman i shkurtër dhe i thellë njeh një sukses të jashtëzakonshëm, për shkak të risisë së guximshme të temës së tij. Ky libër bën pjesë në te kryeveprat e shkrimtarit të madh austriak. Në moshën e tretë, një profesor i vjetër kujton të vetmen aventurë, e cila, më shumë se çdo nderim dhe sukses i karrierës së tij, ka shënjuar ekzistencën e tij.
Ky roman i shkurtër i vitit 1927 trajton, me finesën e zakonshme psikologjike të autorit, obsesionet dhe ndjenjat e fajit, dëshirat e parrëfyera dhe konfliktet e brendshme të personazheve, duke na ofruar një paraqitje të pasionit si një forcë e errët dhe e papërmbajtshme. Një libër i mrekullueshëm i Stefan Svajg, të cilin jua sugjerojmë ta lexoni në këto netë festash, nëse jeni të gatshëm që truri juaj të bëhet gati për të udhëtuar në skutat më të errëta të personalitetit, të udhëhequr nga Stefan Svajg.
Përgatiti: Neritana Kraja