Ekonomia kineze pritet të ringjallet, duke nxitur më tej ekonominë globale më 2023
2022-12-19 12:47:43

Foto nga CGTN

Foto nga CGTN

Me lehtësimin e masave të kontrollit të COVID-19 në Kinë dhe duke pasur parasysh elasticitetin dhe potencialin e ekonomisë kineze, analistët besojnë se vitin e ardhshëm ekonomia e Kinës do të ringjallet dhe do të vazhdojë të jetë një forcë shtytëse e besueshme dhe e rëndësishme e ekonomisë globale në vitin 2023.

"Me gjithë sfidat makroekonomike globale dhe ndikimin e pandemisë, rezultatet ekonomike të Kinës në vitin 2022 ishin shumë të lavdërueshme," tha për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Lawrence Loh, drejtor i Qendrës për Qeverisje dhe Qëndrueshmëri në Shkollën e Biznesit të Universitetit Kombëtar të Singaporit.

Pritshmëria e mirë përforcohet më tej nga Konferenca Qendrore vjetore e Punës Ekonomike në Pekin, që përfundoi të premten, ku u caktuan parimet për zhvillimin ekonomik dhe përparësitë për punën ekonomike të vitit të ardhshëm. Ato përfshijnë zgjerimin e kërkesës së brendshme, përshpejtimin e ndërtimit të sistemit modern industrial, konsolidimin e sektorit publik dhe mbështetjen e biznesit privat, tërheqjen e më shumë investimeve të huaja, si dhe parandalimin e rreziqeve të mëdha ekonomike dhe financiare.

"Mbledhja vuri në dukje drejtimin e zhvillimit ekonomik vitin e ardhshëm dhe më tej. Në të njëjtën kohë, u trajtuan çështje shumë specifike, si zgjerimi i kërkesës së brendshme, duke i kushtuar rëndësi inovacionit teknologjik. Është si akupunktura kineze: gjetja e pikës së duhur dhe përdorimi i forcës së duhur për të arritur efektin e dëshiruar,” theksoi Loh.

Foto nga CGTN

Foto nga CGTN

Me forcimin e sistemit mjekësor, dobësimin e varianteve të reja të virusit dhe vaksinimin e 90 për qind të popullsisë, Kina njoftoi së fundmi optimizimin e masave të saj të kontrollit të epidemisë.

Duke vënë në dukje masat e fundit për të lehtësuar kufizimet e COVID-19, Liang Guoyong, një ekonomist i lartë në Konferencën e OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin, tha që, megjithëse ndryshimi në mënyrë të pashmangshme do të sjellë disa dhimbje në një periudhë afatshkurtër, ai është në dobi të rigjallërimit të aktivitetit ekonomik dhe forcimit të besimit të biznesit, duke e çuar ekonominë në një rrugë të shëndetshme rritjeje.

Vitin e ardhshëm, ekonomia e Kinës pritet të ketë një mëkëmbje të fortë dhe vrulli i rritjes do të forcohet ndjeshëm, tha Liang. "Kjo do të japë një shtysë të rëndësishme për rritjen e ekonomisë botërore dhe do të kontribuojë në stabilitetin e saj të përgjithshëm."

Kohët e fundit, në raportet nga disa banka globale parashikohet se ekonomia kineze do të ketë një paraqitje të mirë në vitin 2023. “Morgan Stanley” dhe “Societe Generale”, dy kompani shumëkombëshe të shërbimeve financiare, parashikojnë një rritje të përgjithshme prej pesë për qind të ekonomisë kineze vitin e ardhshëm.

Optimizmi i tyre mbështetet mbi shenja dhe tregues të shumtë pozitivë.

Drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, vuri në dukje se Kina ka hapësirë fiskale për të nxitur ekonominë e saj dhe për të përballuar presionin e rënies. Grupi “Rhodium”, një kompani globale kërkimesh, vuri në dukje në një raport të botuar të martën se firmat më të mëdha kanë investuar miliarda dollarë në asetet kineze dhe mbeten të vendosura në këtë drejtim.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Si tregu i dytë më i madh i konsumit në botë, burimi i dytë më i madh i investimeve të huaja dhe një partnere e madhe tregtare e mbi 130 vendeve dhe rajoneve, Kina mbetet e përkushtuar për të promovuar hapjen e nivelit të lartë dhe për të përshpejtuar përpjekjet për të nxitur një model të ri zhvillimi.

Nëpërmjet mekanizmave shumëpalësh, si nisma “Një brez, një rrugë” dhe Partneriteti i Gjithanshëm Ekonomik Rajonal, Kina është lidhur edhe më ngushtë me partnerët e saj globalë e rajonalë, shumë prej të cilëve presin një rimëkëmbje të fuqishme të ekonomisë kineze, gjë që do t’i japë një impuls të fortë botës në të ardhmen e afërt.

Në Konferencën Qendrore të Punës Ekonomike të këtij viti, qeveria kineze ritheksoi rëndësinë e hapjes ndaj botës së jashtme. Në këtë konferencë u tha se Kina do të zgjerojë hyrjen në treg, do të hapë më shumë sektorë shërbimi dhe do të sigurojë që ndërmarrjet e huaja të kenë trajtim kombëtar dhe pjesëmarrje të barabartë në prokurimet qeveritare, ofertat dhe vendosjen e standardeve. Kina do të thellojë edhe reformat e brendshme, duke i përafruar ndërmarrjet kineze me standardet e larta të vendosura nga organizatat globale, si Partneriteti Gjithëpërfshirës Progresiv i Trans-Paqësorit (CPTPP) dhe Marrëveshja e Partneritetit të Ekonomisë Digjitale (DEPA).

Në 11 muajt e parë të këtij viti, tregtia e mallrave e Kinës u rrit 8.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 38.34 trilionë juanë (5.5 trilionë dollarë amerikanë). Të dhënat zyrtare tregojnë gjithashtu që ASEANI është partneri më i madh tregtar i Kinës.