Foto: Xinhua
Janë të shumtë profesionistët e huaj në fusha të ndryshme që jetojnë dhe punojnë në Kinë. Njeri prej tyre është dhe dizenjatori spanjoll i këpucëve Daniel Lopez.
Daniel Lopez, i cili u rrit në Spanjë, ku këpucët e stilistëve janë ndër më të kërkuarat në botë, po i përkthen idetë e tij krijuese në realitete fitimprurëse në "kryeqytetin e këpucëve" të Kinës, në Wenzhou në provincën Zhejiang.
“Çdo dizajn këpucësh është i realizueshëm në Kinë”, thotë dizenjatori 50-vjeçar i këpucëve, i cili krijon më shumë se 1000 modele të reja çdo vit për klientët nga e gjithë bota.
Ai erdhi për herë të parë në Wenzhou, një nga qytetet më të hershme kineze sa i përket kryerjes së reformave dhe hapjes, në vitin 2007.
Për shkak të përvojës së tij të gjerë duke punuar me prodhuesit e këpucëve në Spanjë, Meksikë, Indi dhe vende të tjera, stilisti e ndjeu shpejt potencialin unik të industrisë së prodhimit të Kinës dhe vendosi të lançojë linjën e tij të këpucëve në qytet.
Lopez ishte i impresionuar shumë nga shumëllojshmëria e produkteve, materialet e bollshme, zinxhiri i sofistikuar industrial dhe teknologjia e përparuar në industrinë e këpucëve të qytetit.
"Dhjetë vjet më parë, klientët në Spanjë nuk i pëlqenin këpucët e prodhuara në Kinë pasi kishin përshtypjen se të tilla mallra ishin të lira dhe të dobëta në cilësi. Por sot, prodhimi në Kinë do të thotë produkte me cilësi të lartë me një çmim të arsyeshëm," thotë ai.
Lopez ia atribuon suksesin e tij të biznesit zhvillimit të vazhdueshëm industrial të qytetit dhe sektorit të lulëzuar të prodhimit të vendit.
Punëtoritë e shumta të këpucëve janë shndërruar në fabrika moderne me linja prodhimi të automatizuara gjatë dekadës së fundit, duke lejuar që dizajnet dhe produktet e reja të arrijnë më shpejt në raftet e dyqaneve.
Qyteti tani është shtëpia e më shumë se 4,000 kompanive të këpucëve, duke prodhuar më shumë se një miliardë palë këpucë çdo vit.
“Nga konceptualizimi i dizajnit te prodhimi, duhen vetëm rreth tre muaj që një palë këpucë të reja të hyjnë në treg”, thotë Lopez, duke vënë në dukje se një nivel i tillë efikasiteti mund të shihet vetëm në Kinë.
Në të kaluarën, për të gjetur materiale të përshtatshme, ai duhej të frekuentonte rrugët dhe dyqanet e vogla në qytet, t'i priste mostrat me një palë gërshërë që mbante me vete dhe të shkruante numrin për referencë dhe blerje në të ardhmen.
"Sot, furnizuesit e pëlhurave nga e gjithë Kina dërgojnë katalogë mostrash paraprakisht për vitin e ardhshëm dhe ata vazhdimisht po zhvillojnë produkte të reja. Kështu që, nuk kam pasur kurrë ndonjë vështirësi në gjetjen e materialeve të duhura për prodhimin e këpucëve," thotë Lopez.
Softueri i grafikës kompjuterike ka zëvendësuar stilolapsin dhe letrën dhe me disa klikime në telefon, dizajnerët si Lopez mund të marrin vizatime 3D me ngjyra të sakta dhe teksturë pëlhure qartë të dukshme.
Ai beson se brezi i ri punëtor në Kinë ka ndihmuar gjithashtu në forcimin e sektorit në lulëzim. "Profesionistët e rinj janë bërë shtylla dhe unë mund ta ndiej pasionin e tyre për biznesin," thotë ai. “Wenzhou është bërë vendlindja ime e dytë, ku nisa një jetë të re si dizajner këpucësh”, shprehet spanjolli Lopez.