Shishtavec, “Parku i Aventurave” gati për të pritur mysafirët e parë
2022-12-19 14:36:35

Foto: ATSH

“Parku i Aventurave” në Shishtavec të Kukësit, një investim që do të krijojë mundësi në rritjen e potencialit ekonomik të zonës, është gati të presë vizitorët, shkruan “ATSH”.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamjet nga ndërtimi i këtij parku. Ai është konsideruar si një mundësi e artë për zhvillimin e turizmit në këtë zonë malore të Shqipërisë.

“Parku i Aventurave” është një projekt i fituar nga Bashkia Kukës në kuadër të Skemës së Granteve të Zhvillimit Rajonal dhe Kohezionit të Programit (PZHRSH).

Nga ky investim do të promovohet zona nëpërmjet krijimit të hapësirave për zhvillimin e turizmit të aventurës dhe sporteve.

Vetëm 30 kilometra larg Kukësit, Shishtaveci është pjesë e Parkut Korab-Koritnik me peizazhet e veçanta dhe monumentet e natyrës që nga Pyjet me Mështekna, Guri i Mëngjesit, Liqeni Novosejit, Mali i Kallabakut apo Bjeshkët e Shishtavecit. (Fatosi)