Bledi Kaso dhe Gresa Gjocera në intervistë per CMG
Këngëtarja Gresa Gjocera ka nisur të merret me muzikë që në vitin 2004 ku ka qenë pjesë e disa spektakleve dhe kompeticioneve në vend, si "Top Fest", "Kënga Magjike" , etj. Ndërsa këngëtari Bledi Kaso e nisi muzikën në vitin 2005 me prezantimin e tij në "Top Fest" e më pas me muzikën live. Prej 18 vitesh ata janë artistë të netëve live. Këtë vit të dy së bashku morën pjesë në Festivalin "Kënga Magjike 2022" me këngën "Zemër për zemër", këngë e cila u përqafua nga publiku, por edhe artistët arritën me sukses deri në Finalen e madhe Shqiptare. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës ata rrëfejnë për dashurinë e kësaj kënge, dedikimin e saj, si dhe projektet që i presin së bashku.
CMG: Ju të dy së bashku sollët në Festivalin “Kënga Magjike” këngën “Zemër për zemër”, por cila zemër ju bëri ju të dyve bashkë?
Gresa Gjocera: Ne na bëri bashkë Endrit Shani, autori që krijoi këngën, të cilin e përshëndesim. Unë e vlerësoj shumë që ai na bëri këtë dhuratë, pasi kënga “Zemër për zemër” nuk është thjesht një këngë për bashkëshortin, por është edhe për nënën, babain, fëmijën. Unë për shembull e këndova gjithashtu këngën edhe për vajzën time.
Bledi Kaso: Ndërsa unë këngën e kisha dedikim për bashkëshorten time, Marinela.
CMG: Cili ishte impakti i parë kur e dëgjuat këtë këngë?
Gresa Gjocera: Unë kisha 14 vite që nuk isha e pranishme në një skenë të madhe. Bashkëshorti dhe vajza ime Ersa, kërkonin që unë të isha sërish në skenë. Por muizikën e vazhdoja ndërkohë pasi këndoja në netët live, dhe i vetmi që mund t’i kërkoja një këngë në mënyrë që të më rikthente përsëri në skenë ishte Endrit Shani. Ai ka qenë kitaristi i grupit Burn dhe unë kam qenë me grupin Fever në atë kohë, kur këndonin shpesh live. Ishte personi i parë që mendova dhe shkova tek ai. Pas disa muajsh Endriti më merr në tel dhe më thotë “këngën e kam gati, por nuk do të jesh vetëm, do jetë duet dhe kam menduar për një nga këngëtarët që është ndër më mirët, dhe është ashtu si e do ti, këngëtar i muzikës live”. Unë e prita shumë mirë se e njihja si këngëtar Bledin. Njerëzit e duan zërin e Bledit dhe unë isha shumë e lumtur që kompozitori zgjodhi Bledin për këtë duet. Dhe vazhdoj ta falenderoj ende atë për duetin, pasi është dhënë shpirti aty.
Gresa Gjocera (Foto Instagram)
CMG: Pra Gresa e dëgjoi këngën e para?
Bledi Kaso: Endri ishte një ditë në Korçë kur më mori në telefon dhe më tha “hajde se po të pres para Katedrales”. Ndërkohë unë e kisha diskutuar me të që do shkonim me një këngë tjetër këtë vit në “Kënga Magjike”. Por ai më propozoi këtë këngë “Zemër për zemër” dhe më tha që ta dëgjoja një herë. Më pas unë fillova të dëgjoja këngën dhe sa e dëgjova Gresën, e hoqa njërën prej kufjeve dhe ja bëra me shenjë Endrit “Ok” .Vërtetë u emocionova shumë që në momentin e pare, e thashë që do vij në Tiranë që të regjistroj zërin.
CMG: Cili ishte impakti i parë, a menduat se do të kombinonin vokalet tuaja?
Bledi Kaso: Unë kam qenë shumë i bekuar me këtë duet dhe më vjen mirë që ka ecur ashtu si i takonte.
Gresa Gjocera: Edhe unë kam qenë e bekuar për këtë duet. Ne nuk u nisëm që të fitojmë çmimin e parë me atë këngë, por ne donim që kënga të ecte ashtu siç e meritonte. Ajo është një këngë “diell”, po ta dëgjosh me vëmendje ajo është një këngë që të jep shumë energji pozitive.
CMG: Kjo këngë të dhuron shumë energji pozitive që në momentin e parë që e dëgjon, e shumë më tepër në Pallatin e Kongreseve. Kjo do mbetet një ndër këngët më të transmetuara dhe të dashura për publikun.
Bledi Kaso: Dhe kjo ishte ajo që ne donim që të arrinim që në fillim.
Gresa Gjocera: E vërtetë, ne donim që të dy së bashku të identifikoheshim me diçka të realizuar mirë, diçka “diell”, ashtu siç qeshim ne të dy bashkë. Dhe në momentin e parë që u transmetua videoklipi ynë i prezantimit në sallën e Pallatit të Kongreseve, publiku filloi të duartrokiste duke thënë “Bravoo!”. Ende rënqethem kur kujtoj momentin e duartrokitjeve dhe fërshëllimat që në momentin e parë, më pas kur nisi kënga që pati duartrokitje, gjithashtu një duartrokitje shumë e madhe edhe në fund. E gjitha kjo më dhuroi shumë emocione, të cilat nuk i kisha as në fillim të këngës.
Bledi Kaso: Ajo duartrokitja në fund na fali dhe gabimet nga emocionet (qesh) .
Gresa Gjocera: Kur u largova nga skena filluan emocione më të mëdha për mua.
Bledi Kaso (Foto facebook)
CMG: Përse shumë emocione pas interpretimit, ndoshta se ishte momenti për të pritur komentet dhe votimin e kolegëve?
Gresa Gjocera: Ne të dy na u lexua emocioni dhe dashuria që kemi dhënë për atë këngë dhe na u lexua ajo që donim të jepnim.
Bledi Kaso: Dhe na u shpërblye në fund, se ne këtë donim që në fillim.
Gresa Gjocera: Kjo është arritja më e madhe për ne. Unë këtë vit kam ndjerë mes kolegësh një afrimitet shumë të madh. Të gjithë janë këngëtarë live, të gjithë këndojnë në një mënyrë shumë të mirë. Isha shumë e lumtur që këtë vit isha mes artistëve që janë vërtetë artistë dhe këngëtarë që interpretojnë çdo natë live, ashtu si ne.
CMG: Pas këtij suksesi, a do ju shohim me bashkëpunime të tjera?
Gresa Gjocera: Nëse në fillim është energjia e mirë, patjetër që edhe në vazhdim do jetë e njëjta gjë.
Bledi Kaso: Ne lavdi Zotit kemi qenë të bekuar me këtë bashkëpunim dhe siç e kishim që në fillim energjinë pozitive ashtu edhe na u shpërblye.
CMG: Për hir të së vërtetës ajo energji poziteve që ju keni transmetuar të dy së bashku, dhe publikut nuk i gënjen syri...
Gresa Gjocera: Unë mendoj se kam gjetur një mik shumë të mirë si Bledi dhe në momentin që ka një miqësi dhe arti ndjehet njësoj.
Bledi Kaso: Ne tani jemi miq familjeje, nuk jemi vetëm kolegë.
CMG: Ju keni interpretuar live për 18 vite, por vitet e fundit nuk ju kemi parë nëpër skena festivali...
Gresa Gjocera: Ne kemi interpretuar live me publikun që na ka ndjekur dhe unë e kam ndjerë gjithmonë emocionin, sytë që më ndiqnin, duartrokitjet dhe kjo më ka bërë që të mos e ndjej shumë mungesën e të qënurit në skenë. Madje 12 vite të jetës time kanë kaluar këtu në ambjentin ku po zhvillojmë sot intervistën, në “Xheko Imperial”. Këtu ku unë u rrita dhe jam ndjerë gjithmonë si në familje, ashtu siç ndjehem edhe sot. Faleminderit Xheko!
Bledi Kaso: Gresa që herët është marrë me televizion dhe kur sheh shumë padrejtësira merr më pas vendimin që mos të marrë më pjesë. Edhe unë kam qenë pjesë e një kompeticioni. Ndoshta kur je i ri dhe sheh padrejtësira, demoralizohesh.
Gresa Gjocera: Është diçka që vjen në bazë të ndjesive, të përshtatjes që ke, të muzikës dhe se çfarë do të japësh tek publiku. Unë nuk mund të dal nga vetja, dhe artisti duhet të sjellë një pjesë të vetën në art, në këngë. Mendoj se unë solla sërish Gresën që doja, më të fortë se e solla dhe me një vokal si ai i Bledit. Rikthimi është mirë dhe mendoj se do ta vazhdoj, por edhe në muzikën live do jem përherë .
Bledi Kaso: Është ajo që na mban gjallë si nga ana vokale dhe shpirtërore.
Gresa Gjocera: Ne njerëzit na njohin si Bledi dhe Gresa, këngëtarët e muzikës live.
CMG: Tek cili zhanër muzikor fle më mirë vokali juaj?
Gresa Gjocera: Ne i këndojmë të gjitha, por mendoj se më shumë jam në muzikën rrok, funky, blues.
Bledi Kaso: Ndërsa unë jam më shumë te baladat ,rrok, blues.
Gresa Gjocera: Është karakteristika vokale që rrjedh në atë lloj rryme muzikore.
Bledi Kaso: Gresa ka filluar si rrokere.
Gresa Gjocera: Kam qenë këngëtarja e parë e një grupi shqiptar rrok, pasi nuk kishte vokaliste rrok në atë kohë.
Gresa Gjocera & Bledi Kaso (Kenga Magjike 2022)
CMG: A do ju shohim ndonjëherë bashkë në ndonjë duet rroku në të ardhmen ?
Gresa Gjocera: Mos mi nxirr të gjitha sekretet tani (qesh).
Bledi Kaso: Patjetër që po!
CMG: A e synoni sërish pjesëmarrjen në festivale?
Gresa Gjocera: Patjetër që po! Në festivalin e RTSH kam tentuar disa herë për të konkuruar, por pa rezultat deri tani. Shpresoj që herën tjetër kur të dorëzoj këngën, të pranohem.
CMG: Besoj se pas këtij impakti të mirë që keni dhënë në “Kënga Magiike”, dyert do jenë të hapura, sidomos për ju artistët e live- t.
Gresa Gjocera: Mendoj që artisti të vlerësohet për gjithçka çfarë jep.
Bledi Kaso: Media ka bërë një gabim shumë të madh në edukimin e shqiptarëve në muzikë.
Gresa Gjocera: Por ka filluar të korigjohet.
Bledi Kaso: Edhe kompozitorët që thonë se këngët dikur ka qenë ashtu apo kështu, pse nuk bëjnë ata vetë kompozime në kohët e sotme?!
Gresa Gjocera: Ne na thanë se kënga jonë dukej si këngë festivali, por ne këtë gjë e morëm si kompliment.
Bledi Kaso: Në festivalin "Kënga Magjike" ishte dhe Irma Libohova dhe për ne ishte kënaqësi.
Gresa Gjocera: Është vërtetë kënaqësi të dëgjosh live në festival një ikonë të muzikës shqiptare që i ka dhënë kaq shumë muzikës, i ka dhenë shpirtin. Unë ndjehesha e privilegjuar që isha këtë vit bashkë me Irmën në konkurim.
CMG: A e këndoni këngën "Zëmër për zemër" në netët live ku ju interpretoni dhe si e pret publiku?
Bledi Kaso: E këndojmë dhe publiku e di shumë mirë refrenin e këngës.
Gresa Gjocera: Ne e kemi interpretuar edhe të dy live në Korçë këngën tonë. Ne këtë duam, që kjo këngë t’i mbetet kohës.
CMG: Ndalemi në jetën personale, studimet, etj.
Gresa Gjocera: Unë nuk kam bërë një shkollë muzike, pasi kam studiuar për sociologji, por gjithë jetën time jam marr me art. Sado që mundohesha të profilizohesha në atë çfarë po studioja, muzika ishte gjithmonë prezente, e pandarë tek unë. Jam e martuar dhe kam një gojëqumësht të vogël, ajo është ndjekësja më e mirë e mamit , ka qenë bekimi më i madh në jetë. Është ajo që më bën të vazhdoj muzikën dhe ajo që më solli sërish në skenë.
Bledi Kaso: Ajo ma di mua emrin bashkë me mbiemër dhe më thërret Bledi Kaso.
Gresa Gjocera: Kur e pyeta vajzën, si e ka mbiemrin Bledi? Ajo mendueshëm, thotë Bledi Kaso.
Bledi Kaso: Ndërsa unë kam studiuar 3 vjet kitarë më pas u shkëputa nga muzika pasi largova nga Shqipëria. Më pas vazhdova të studioja diçka tjetër që s’ka lidhje me muzikën. Mendoj se ata që këndojnë live çdo natë, nuk është e thënë se duhet të kenë mbaruar doemos muzikë, mjafton talenti dhe që ta ushtrojnë si profesion.
Gresa Gjocera: Si besimtare që jam mendoj se, talentin jo vetëm në muzikë, por edhe në fusha të tjera si pikturë e në çdo profesion tjetër, e jep Zoti i madh, e nëse ti e ke, mjafton që të punosh fort dhe suksesi vjen vetë. Por sigurisht që është diçka e lindur me njeriun.
Bledi Kaso: Ky është shpërblimi i punës që ne kemi sot.
Gresa Gjocera: Bëj mire, atë që di të bësh më mirë.
Gresa dhe Bledi ne Kenga MAgjike 2022 (Foto instagram)
CMG: A ka patur momente që jeni mërzitur nga netët live, nga muzika, apo nga mos vlerësimi i duhur?
Gresa Gjocera: Nga netët live jo, por nga mosvlerësimi, po. Koha na ka falur një gjë shumë të mirë, eksperiencën për të kuptuar dhe për të bërë një bagazh të mirë repertori. Gjithashtu arrijmë ta dallojnë atë publik që kemi përballë e ta bëjmë që të mbetet i kënaqur ai që na ndjek live. Nëse e njeh këtë gjë, nuk do marrësh asnjë zhgënjim nga live. Zhgënjimin vazhdoj ta marr nga kompeticionet ku kam konkuruar, kuptohet përveç “Këngës Magjike”, ku jam pritur shumë mirë gjithmonë. Nuk flas vetëm për tani, por edhe kur kam qenë më parë me grupin Fever, gjithmonë jam vlerësuar, gjithashtu edhe në “Top Fest”.
CMG: Si do jetë rrjedha juaj artistike, planet për të ardhmen?
Bledi Kaso dhe Gresa Gjocera: Deri sa t’i realizojmë nuk flasim.
CMG: E vërtetë është, gjërat e mira mbajini për vete, vetëm pak na tregoni.
Gresa Gjocera: Se si , se kur se çfarë, kjo do mbetet sekret (Qeshin)
CMG: Ku do ju gjejë mbrëmja e ndërrimit të viteve?
Gresa Gjocera: Unë do jem në Golem tek “Flower” ku këndoj përherë .
Bledi Kaso: Edhe unë unë do jem aty ku këndoj gjithmonë, tek “Casa Gace” në Korçë .
CMG: "Zemër për zemër" do jenë të veçuar për vit të ri?
Gresa Gjocera: Tentuam të ishim bashkë, por duke qenë se këndojmë prej vitesh në ato ambjente, ishte e pamundur shkëputja. Vendosëm që të këndojmë secili në ambjentin ku këndon gjithmonë.
Intervistoi: Sava Lena