Edmond Bregu me klarinetistin Todi Gjeka (Foto personale)
Edmond Bregu është këngëtar i muzikës popullore të trevës së jugut të Shqipërisë. Ai e ka nisur rrugëtimin e tij me këngën tradicionale që në fëmijëri dhe gjatë karrierës ka interpretuar këngë të vjetra popullore, por ka sjellë për publikun dhe krijimtari të re. Prej gjashtë vitesh jeton në Francë ku dhe është shkëputur nga skena dhe aktivitetet muzikore. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për fillimet e tij në muzikë dhe krijimtarinë popullore që ka sjellë për publikun.
CMG: Keni vite që interpretoni këngën popullore tradicionale të trevës së jugut. Kur kanë qenë fillimet tuaja me muzikën popullore?
Edmond Bregu: Unë në fakt kam kënduar që kur isha në klasën e gjashtë me grupet artistike që ishin në atë kohë nëpër ferma. Këngën popullore e kam pasur shumë qejf dhe në atë kohë dëgjoja Radio Tiranën të hënë dhe të premte kur kishte emisionin me këngë popullore. Unë kam qenë shumë i apasionuar pas këngës së mirëfilltë popullore.
Edmond Bregu me artiste te tjere gjate nje eventi (Foto personale)
CMG: Mendoni se kishit talent në këtë zhanër muzikor?
Edomnd Bregu: Patjetër që po sepse nëse nuk ke pak talent nuk mund të bëhesh dot këngëtar. Unë mendoj se talenti është i lindur.
CMG: Cila ka qenë kënga e parë që keni publikuar?
Edmond Bregu: Kënga ime e parë ka qenë “Moj unaza margaritar”, e cila është një këngë e vjetër delvinjote. Unë këtë këngë e kam gjetur në arkivin e Radio Tiranës sepse kërkova aty për këngë të vjetra popullore. Me këtë këngë unë jam prezantuar në fillimet e mia dhe me këtë rast dua të falenderoj klarinetistin e mirënjohur Adrian Demiri si dhe okestruesin e kësaj kënge Agim Xhemali.
Edmond Bregu (Foto personale)
CMG: Si vazhdoi më vonë karriera juaj me këngën popullore?
Edmond Bregu: Unë kam kënduar gjithmonë këngë popullore të trevës së jugut. Kam pas kënduar këngën “Dalin plakat në lëmë”, një këngë e vjetër popullore, pastaj kam realizuar këngën “Vajzë Myzeqare”, e cila është krijimtari e re me tekst të Flamur Dalipit dhe të orkestruar nga Genc Malaj. Përveç këtyre këngëve kam realizuar dhe një tjetër këngë të titulluar “Djalo, djalo do nishan” me tekst të Përparim Halilit, që e ka orkestruar Ardian Demiri me Agim Xhemalin. Gjithashtu në krijimtarinë time muzikore kam realizuar dhe një tjetër këngë që është pritur mjaft mirë “Si shqiponja në flamur” të orkestruar nga Gramoz Kozeli, dhe me tekst të Flamur Dalipit.
CMG: Pra ju nuk keni interpretuar vetëm këngë popullore të vjetra, por keni sjellë dhe krijimtari të re popullore.
Edmond Bregu: Në fakt këto këngë unë i kam realizuar para 10 vitesh se momentalisht ndodhem në Francë dhe kam gjashtë vjet që jetoj këtu dhe nuk kam kënduar fare. Më merr malli të këndoj, por këtu nuk ke ku të këndosh sepse ka pak shqiptarë. Nuk është si në Itali apo Greqi ku dominojnë shqiptarët dhe kanë studio, orkestra dhe të gjitha mundësitë. Këtu në Francë nuk ekziston fare.
Edmond Bregu me koleget e tij muzikante (Foto personale)
CMG: Jetoni prej gjashtë vitesh në Francë, por a ju mungon muzika live dhe publiku?
Edmond Bregu: Më mungon shumë sepse këngëtari është i lidhur me muzikën dhe eventet live. Unë uroj që të më japë Zoti jetë dhe shëndet sepse kam dëshirë të kthehem prapë në Shqipëri dhe do të merrem me muzikë.
CMG: Nuk keni pasur mundësi të realizoni ndonjë këngë të re në Francë?
Edmond Bregu: Këtu është e pamundur sepse 10 familje shqiptare janë, dhe nuk është si në Greqi ku shqiptarët organizohen me koncerte të ndryshme. Gjithashtu organizime të tilla ka dhe në Gjermani sepse ka shumë shqiptarë që po ikin nga Greqia për në Gjermani.
Edmond Bregu me muzikantin Sopot Serica dhe kengetaren Valbona Hekurani (Foto personale)
CMG: Cili është mendimi juaj për këngën popullore këto vitet e fundit?
Edmond Bregu: Kënga popullore ka ecur shumë, janë bërë më të bukura dhe më moderne. Gjithashtu kam parë se kanë dalë shumë talentë të rinj. Mendoj se tani janë kthyer të gjithë te kënga e mirëfilltë popullore se deri dje kishte nga ata që bënin këngë me melodi sllave apo greke. Ndërkohë që tani janë rikthyer te këngët e tabanit popullor, ku i përpunojnë dhe i nxjerrin shumë të bukura. Aktualisht po pëlqehet më shumë kënga popullore nga të gjithë artdashësit.
CMG: Si i kujtoni vitet kur keni kënduar live në evente muzikore para publikut?
Edmond Bregu: Unë jam pritur shumë mirë kur këndoja në evente të ndryshme me muzikë live, por tani gjithçka vjen sipas mundësive financiare. Nëse ekonomia është e dobët edhe këngëtari del dobët nëpër dasma apo koncerte sepse nuk paguhet siç duhet sepse ka dhe shumë prurje. Ka këngëtarë që nuk i kanë mundësitë ekonomike të realizojnë një videoklip, kështu që kënga është përqëndruar më shumë tek ata këngëtarë që reklamohen, dhe të cilët kanë më shumë avantazhe. Ka shumë këngëtarë popullorë në qytetet e Fierit, Sarandës, Vlorës, por dhe trevës së veriut që ka ecur shumë me këngën popullore dhe nuk kanë ngelur te çiftelia e lashtë, por tani i kanë bërë këngët shumë moderne dhe ke qejf t’i dëgjosh.
Edmond Bregu ne France (Foto personale)
CMG: Ju mungon Shqipëria dhe për çfarë ju merr malli më shumë tani që jeni larg vendlindjes?
Edmond Bregu: Unë kisha dëgjuar të tjerët që thonin, që kur je jashtë shtetit të merr malli dhe për gurin, por ashtu qenka me të vërtetë. Për prindërit njëherë nuk diskutohet, por dhe për shokët, miqtë dhe muzikantët të cilët kam qejf t’i takoj. Shqipëria vërtetë ishte vend i varfër, por ne kënaqeshim me këngët dhe eventet e shumta muzikore që kishim.
CMG: Kur të riktheheni në Shqipëri, cila është gjëja e parë që do të bëni?
Edmond Bregu: Kur të rikthehem në Shqipëri do të realizoj një këngë të re, që t’i them publikut dhe dashamirësve që jam gjallë, sepse në fakt jam harruar.
CMG: Mendon se publiku ju harron kur bën një pauzë të gjatë?
Edmond Bregu: Patjetër që të harron sepse po nuk këndove dalin këngëtarë të rinj dhe përparojnë në muzikë.
CMG: Keni pasur ndonjë bashkëpunim me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?
Edmond Bregu: Unë kam kënduar një këngë me këngëtaren nga Skrapari Teuta Dervishi, të cilën e realizuam dhe me videoklip.
CMG: Keni në plan për ndonjë bashkëpunim me këngëtarët e rinj që janë në treg kohet e fundit?
Edmond Bregu: Kënëtarët e rinj kanë më shumë qejf të nxjerrin këngë popullore moderne edhe pse shumica po bëjnë këngët popullore të tabanit, që në të vërtetë janë shumë të njohura dhe nuk harrohen.
CMG: Kur vishni kostumin tradicional popullor, çfarë ndjesie përjetoni?
Edmond Bregu: Unë kur e vesh kostumin popullor ndjej kënaqësinë më të madhe sepse kostumi tradicional tregon traditat e vendit nga vjen dhe çfarë përfaqëson. Unë ju kam treguar shumë francezëve këtu që kam kënduar këngën popullore dhe më thonë që këngët e tabanit janë gjithmonë të bukura. Kur kam qenë në një vend këtu në Francë në bregdet, fillova duke kënduar këngë popullore ku dhe pse nuk i kuptonin i pëlqyen. Këtu është e preferuar kënga labe dhe unë kam dëgjuar tre profesorë francezë duke kënduar aq bukur këngën “Janinës ç’i panë sytë”.
CMG: Ju keni kënduar ndonjëherë këngë polifonike?
Edmond Bregu: Në Shqipëri kam kënduar me këngatarin Klodian Rama, Telha Zezën dhe shumë këngëtarë të tjerë të këngës popullore kur mblidheshim ndonjëherë për qejf.
CMG: Unë ju falenderoj për këtë intervistë dhe ju uroj suksese në karrierën tuaj muzikore.
Edmond Bregu: Unë ju falenderoj ju dhe Radio Ejani, dhe duhet sa më shumë të përcillni këngë popullore sepse vetëm ashtu ruhet tradita e muzikës popullore.
Intervistoi: Gazmend Agaj