“Art Without Limit International Film Festival” një skenë për personat me aftësi ndryshe
2022-12-16 19:40:37


Festivali i filmit “Art Without Limit International Film Festival” është shumë i veçantë, me dedikim për personat me aftësi ndryshe dhe të gjitha filmat pjesëmarrës në të kanë histori të fëmijëve me aftësi ndryshe. Në adresë të stafit organizativ janë paraqitur rreth 1 mijë filma, por janë përzgjedhur 50 prej tyre që i përkisnin kësaj teme. Ky festival është mbajtur për tre ditë me rradhë në datat  1-3 dhjetor 2022. Festivalit i parapriu një ekspozitë  fotografie  e realizuar nga "Art Without Limit International Film Festival" e titulluar "Walk of Life", e cila  u  kurua  nën kujdesin e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, dhe u mbaj në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytetin e Kosovës. Pas një pune intensive të të gjithë stafit, por edhe të Drejtorit Artistik, Burim Haliti, dhe punës së jashtëzakonshme të Drejtoreshës Ekzekutive Ganimete Sava, përfundoi me sukses edhe ky edicion i tretë i "Art Without Limit International Film Festival".

Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, drejtoresha e festivalit Ganimete Sava, e cila gjithmonë kontribuon në fushën e artit, duke edukuar publikun për personat me aftësi ndryshe,  duke  eliminuar diskriminimin, si dhe në përpjekje të bashkimit të të gjithë njerëzëve pa dallime, na tregon detaje rreth kësaj nisme ndërkombëtare.

CMG: Përshëndetje dhe urime për këtë nismë! Festivali “Art Without Limit” është ndër  të vetmit e këtij formati në Ballkan. Si nisi ideja për të?

Ganimete Sava:  Festivali i filmit “Art Without Limit International Film Festival” është një festival i vetmi në Ballkan, i cili prej tre vitesh realizohet në Prishtinë. Si ide lindi kur isha në Finlandë, në një festival të ngjashëm përpara disa viteve dhe duke patur parasysh se në Kosovë jetojnë rreth 200 mijë persona me aftësi të kufizuara, të kategorive të ndryshme, krijova si ide që edhe këtu duhet të krijojmë një festival të tillë pasi ka shumë njerëz me aftësi ndryshe, dhe nëpërmjet filmave ata mund ta gjejnë veten të motivohen, të frymëzohen dhe të sjellin ndërgjegjësim tek personat e tjerë me aftësi ndryshe në Kosovë e më gjerë.

CMG: Këtë vit ishte edicioni i tretë i festivalit. Si ka qenë ecuria nga viti në vit, dhe si ishin kërkesat për pjesëmarrje?

Ganimete Sava: Për edicionin e tretë të këtij festivali, ne kemi nisur punën që në janar të këtij viti, me platformën tonë, “print -prive” që kemi hapur  dhe kanë aplikuar rreth një mijë filma nga janari deri në gusht, ku selektorët tanë kanë përzgjedhur 50 filma. Nga këto 50 filma i kemi shfaqur, që do të thotë janë kërkesa të larta për t’i shfaqur këto filma. Janë filma të shkurtër, dokumentarë dhe animacion. Filmat kanë qenë të shumtë dhe ne nuk mund të përzgjidhnim më shumë se 50 filma, sepse festivali mbahej vetëm tri ditë, më datat 1, 2 dhe 3 dhjetor në Prishtinë. Ka qenë shumë e vështirë për t’i përzgjedhur, se ka qenë njëri më i mirë se tjetri  dhe kishin histori pozitive, mesazhe të mira për aftësinë e kufizuar dhe gjithashtu përfshinin të gjitha kategoritë e mundshme të aftësisë së kufizuar.

CMG: Këtij festivali i  ka paraprirë një ekspozitë fotografie. Na tregoni më tepër për këtë gjë

Ganimete Sava:  Kjo ekspozitë është pjesë e  "Art Without Limit International Film Festival" e cila është realizuar në vitin 2021 si pjesë e festivalit, kështu që  kjo ekspozitë është shumë e veçantë sepse i takon personave me aftësi ndryshe. Ne kemi gjetur një koncept apo një pjesë artistike. Si frymëzim e kemi marrë nga një piktor holandez, i cili ka përdorur dritë- hijen  për t’i vënë në pah figurat. Ne kemi vendosur që nëpërmjet dritës reale dhe fytyrës së personazheve, t’i vëmë në pah dritën e brendshme që kanë këta individë, sepse ata janë gjithmonë të paragjykuar për pamjen e jashtme. Kështu që ne kemi përdorur dritë-hije, për t’i nxjerrë vlerat e vërteta të njeriut, siç është pjesa e brendshme, ashtu edhe ajo e jashtme. Të gjithë këta persona kanë një histori të bukur, sa edhe të dhimbshme njëkohësisht, me problemet që kanë, por këta individë janë të gjithë të shkolluar, kanë aktivitete të ndryshme. Për shembull kemi disa muzikantë, një blogere, një dentiste, një vajzë modele,  e cila merret edhe me aktrim, një sportist që merret me not, një gazetar, etj. Pra janë shumë personazhe që kanë vërtetë vlera të larta dhe që kontribuojnë në shoqërinë tonë. Pra punën e tyre ne e kemi paraqitur në këtë ekspozitë, vetëm nëpërmjet portreteve të tyre.   

Drejtoresha Ekzekutive e Festivalit “Art Without Limit Avvard”, Ganimete Sava ka fituar mjaft çmime ndërkombëtare një ndër to është ai i këtij viti, ku si producente e filmit dokumentar “Sparks of Light”  me regji nga Burim Haliti fituan çmimin kryesor  nga e gjithë bota si  “Filmi më i mirë Dokumentar në kategorinë Ndërkombëtare” në edicionin e 22-të të filmit International Film Zimbabvve 2022.

Ndërsa Festivali i Filmit “Art Without Limit International Film Festival” shënon vitin e 3-të të Festivalit. Përsëri ka një përzgjedhje të re të mrekullueshme  të filmave nga e gjithë bota si, dokumentarë, fiksion/dramë dhe animacion, të cilat u shfaqen në ambientet e Festivalit në Prishtinë, Kosovë. Finalja e festivalit u caktua më 3 dhjetor, që përkoi  me Ditën Ndërkombëtare të personave me aftësi ndryshe. E gjithë mbrëmja ishte e dedikuar për ata persona dhe ishte një emocion shumë i  veçantë për të gjithë të pranishmit, pasi e gjithë mbrëmja ishte në duart e përsonave me aftësi ndryshe, duke filluar nga dyshja e mrekullueshme Uniku dhe Engjulli, të cilët ishin protagonistët e  hapjes së mbrëmjes.

Intervistoi: Sava Lena