Teknikët digjitalë ndihmojnë fermerët të punojnë më zgjuar dhe të korrin fitime
2022-12-16 15:49:09

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Tekniku bujqësor  digjital,  një profesion që analizon nevojat e fermerëve dhe u ofron atyre zgjidhje digjitale, iu shtua këtë vit listës së profesioneve të reja në vend nga Ministria e Burimeve Njerëzore dhe Sigurimeve Shoqërore. Në shkrimin marrë nga “Xinhua”, tregohet eksperienca e njërit prej këtyre teknikëve, i cili ka zhvilluar një platformë që shërben si përpunues qendror i të dhënave, paraqet kushtet aktuale të tokës dhe të korrave dhe gjeneron automatikisht sugjerime bujqësore. Ai dhe ekipi i tij kanë përshtatur një grup modelesh për varietete të ndryshme orizi, duke ndihmuar kështu fermerët të kenë të korra të bollshme.

Në një mëngjes të freskët dimri, fushat e gjera me oriz janë ngjyrosur nga drita e diellit në ag. Një grup të rinjsh që mbajnë çanta shpine ndalojnë pranë fushave, nxjerrin kompjuterë dhe lëshojnë dronët në ajër. Herë pas here, ata hedhin një sy në ekranet e tyre dhe prekin tastierat.

Si zakonisht, tekniku bujqësor digjital, Chen Qiufeng, dhe shokët e tij të ekipit e nisën ditën duke mbledhur të dhëna dhe duke rishikuar kodin në fushat e fshatit Zhangying, në qytetin e Chuzhou, provinca Anhui e Kinës lindore.

Në qershor të këtij viti, “tekniku bujqësor  digjital” iu shtua listës së profesioneve të reja në vend nga Ministria e Burimeve Njerëzore dhe Sigurimeve Shoqërore. Është një profesion që analizon nevojat digjitale të fermerëve dhe u ofron atyre zgjidhje digjitale.

Chen dhe shokët e tij kaluan gati gjashtë muaj në fshatin Zhangying çdo vit për katër vitet e fundit. Për të krijuar një produkt interneti për zhvillimin lokal bujqësor, ata kanë shkelur pothuajse çdo cep të fshatit për të mbledhur informacion mbi tokat bujqësore dhe për të kuptuar nevojat reale të fermerëve.

"Nëse nuk dalim në fusha për të vëzhguar dhe menduar për problemet nga këndvështrimi i fermerëve, është e vështirë për ne të zhvillojmë një produkt interneti që plotëson nevojat reale të fermerëve",- tha Chen.

Platforma e administrimit të shërbimeve sociale bujqësore është produkti i parë digjital që Chen dhe ekipi i tij zhvilluan për fshatin. Platforma shërben si një përpunues qendror i të dhënave, që analizon informacionin e mbledhur nga sensorët, dronët pa pilot dhe satelitët “Beidou”. Ai paraqet kushtet aktuale të tokës dhe të korrave dhe gjeneron automatikisht sugjerime bujqësore. Me një klikim të mausit ose një prekje të lehtë në një smartphone, përdoruesit mund të aksesojnë të dhënat në kohë reale.

"Ne kemi përshtatur një grup modelesh për varietete të ndryshme orizi. Edhe një fermer fillestar mund të bëjë një punë të mirë duke ndjekur sugjerimet e krijuara nga platforma",- tha Chen. "Platforma gjithashtu mund të ndihmojë fermerët të ujitin dhe të plehërojnë tokat e tyre bujqësore në kohën e duhur dhe të saktë, duke ulur ndjeshëm kostot e mbjelljes".

Në vitin 2020, platforma hyri në fazën e provës së funksionimit. Ping Donglin,  i cili u kthye nga jashtë dhe sapo ka filluar punën si fermer, doli vullnetar për të përdorur platformën.

Pasi Ping mbaroi studimet jashtë shtetit në vitin 2017, ai ishte i magjepsur nga bujqësia moderne dhe ishte i vendosur të bënte një ndryshim në qytetin e tij të lindjes. Ping krijoi një kooperativë bujqësore me 6200 mu (rreth 413.3 hektarë) fusha orizi në gjashtë fshatra.

"Është e vështirë të menaxhosh një zonë të gjerë të tokës bujqësore në mënyrë tradicionale. Me ndihmën e platformës digjitale, më duhet vetëm të prek ekranin e telefonit tim për të fluturuar dronët për të kontrolluar kushtet e fermave",- tha Ping.

Ndërsa platforma lehtëson barrën e shumë fermerëve vendas, Chen dhe Ping kanë nxjerrë së bashku një aplikacion në internet, ku mund të shiten produkte bujqësore të zgjedhura me kujdes dhe klientët mund të marrin për përdorim tokat bujqësore.

"Me 3,280 juanë (rreth 472 dollarë amerikanë), ju mund të merrni një mu ara me oriz për një vit. Do të korrni 200 kilogramë oriz të cilësisë së lartë dhe do të merrni vezë të freskëta, pula dhe perime në një vit",- tha Ping. "Këta persona mund të shohin rritjen në kohë reale të orizit të tyre në aplikacion dhe gjithashtu mund të vijnë për të parë personalisht fushat e tyre të orizit".

Deri sot, më shumë se 100 mu fusha orizi janë marrë në këtë mënyrë, tha Ping.

"Cilësia dhe shija e orizit është e shkëlqyer. Ne gjithashtu korrim shumë produkte të tjera të gjelbra bujqësore. Unë dhe familja ime zakonisht udhëtojmë atje për të parë fushën tonë të orizit dhe për të përjetuar natyrën",- tha Ji Kai, 29 vjeç, një praktikues i IT në Nanjing, kryeqendra e provincës fqinje Jiangsu.

"Platforma e administrimit të shërbimeve sociale bujqësore ndihmon në menaxhimin e tokave bujqësore dhe aplikacioni në internet ndihmon në zgjerimin e kanaleve të shitjes. Kam më shumë besim për të rritur zonën tonë të rritjes së orizit",- tha Ping.

"Të qenit një teknik digjital bujqësor më ofron një mundësi për të kuptuar vetëvlerësimin tim. Do të hedh rrënjë në tokat bujqësore dhe do të zhvilloj produkte digjitale më të dobishme për zhvillimin bujqësor",- tha Chen.