Teknologjia paralajmëron një të ardhme produktive për fermat e derrave
2022-12-16 19:20:20

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Aplikimi i teknologjisë në fermat e rritjes së derrave në Kinë ka ndihmuar kompanitë të reduktojnë kostot e punës dhe, më e rëndësishmja, ka ulur ndjeshëm shkallën e ngordhjes së kafshëve.

Me anë të teknologjisë, veç rregullimit të temperaturës dhe lagështisë së stallave të mbyllura, kontrollohen vetë kafshët për temperaturë apo lëvizje jonormale. Së shpejti, do të vihen në përdorim edhe robotët e vaksinimit.

Njerëzit do ta kishin të vështirë të besonin se kishin vizituar një stallë  derrash në Tongxiang, provincën Zhejiang, nëse nuk do të kujtoheshin nga dekorimet dhe aroma e salsiçeve në skarë.

Stallat e derrave shpesh janë të rrëmujshme dhe me erë të rëndë. Kjo është arsyeja pse fjala “stallë” përdoret zakonisht për të përshkruar rrëmujën, si në rastin e dhomave të adoleshentëve. Por stallat e “Zhejiang Huateng Animal Husbandry Co Ltd” janë ndryshe. Për më tepër, plot teknologji, ato kanë dhënë një shembull të mirë se si do të jenë fermat e ardhshme komerciale të derrave në Kinë.

Me ndihmën e etiketave inteligjente të veshit dhe robotëve patrullues të aktivizuar me 5G, fermës i nevojiten vetëm katër persona për t'u kujdesur për 10,000 derrat, gjë që kërkon përpjekjet e rreth 12 njerëzve në stallat tradicionale. Së shpejti, robotët e vaksinimit gjithashtu do të vihen në përdorim pas provave, tha Yao Xuefei, i cili mbikëqyr sektorin e digjitalizimit të kompanisë.

Etiketa e veshit mund të regjistrojë të dhëna në kohë reale për çdo derr, duke përfshirë temperaturën. "Normalisht, duhen tre deri në katër persona për të matur temperaturën e saktë të derrave të rritur. Nuk është më problem këtu. Gjithashtu, sistemi mund të na informojë automatikisht nëse temperatura e derrit është shumë e lartë",- tha Yao.

Aplikimi i teknologjisë ka ndihmuar kompaninë të reduktojë kostot e punës me 80 për qind. Më e rëndësishmja, ka ulur ndjeshëm shkallën e ngordhjes së kafshëve, shtoi ai.

Në qendrën e kontrollit të stallës, Yao Kan, një anëtar i ekipit të menaxhimit, monitoron nga afër grafikët që tregojnë të dhënat në kohë reale të çdo derri, si dhe imazhet e drejtpërdrejta të derrave të shfaqura në ekrane, sepse ato janë secila një pasuri e vlefshme për kompaninë.

"Nëse sistemi dërgon paralajmërime të tilla, si temperatura e lartë ose parregullsi në lëvizjen e tij, ne dërgojmë menjëherë një anëtar të stafit për ta kontrolluar atë. Ndërkohë, robotët patrullues të aktivizuar me 5G bëjnë inspektimet e përditshme të derrave”,- tha Yao Kan. Derrat me etiketa inteligjente të veshit mund të përdoren gjithashtu si siguri për kreditë nga bankat, sepse ata mund të gjurmojnë statusin e derrave, gjë që mund të ndihmojë kompaninë të zgjidhë çështjet e financimit, shtoi ai. Derrat janë vërtet VIP në atë fermë.

Në Huateng, derrat ushqehen automatikisht dhe sistemi i kontrollit mund të monitorojë dhe rregullojë temperaturën dhe lagështinë e stallave të mbyllura. Sistemi gjithashtu mund të kujdeset për shëndetin mendor të derrave duke u luajtur muzikë të ndryshme në cikle të ndryshme rritjeje.

"Derrat e shumimit dëgjojnë valsin orkestral “Zërat e pranverës”, ndërsa derrat që do të lindin dëgjojnë “Romeo dhe Zhulietën” e Çajkovskit për t'i mbajtur ata në humor të mirë. Muzika nuk zgjidhet rastësisht, por është provuar me kërkime shkencore ",- tha Yao Xuefei ndërsa kontrollonte sistemin.

Ndërkohë, mbetjet e derrave mblidhen automatikisht nga tubacionet e instaluara poshtë stallave dhe transportohen në një njësi përpunimi ku shndërrohen më pas në pleh për të mbjellat dhe bimët, që janë shumë të njohura në treg sepse janë organike, shtoi Yao.

Aktualisht, kompania po piloton përdorimin e një roboti vaksinimi me një sistem injeksioni pa gjilpëra, i pari i këtij lloji në Kinë. Roboti mund të përfundojë procesin e vaksinimit brenda nëntë sekondave kur derrat pinë ujë. Roboti mund të identifikojë çdo derr duke lexuar etiketën e veshit të tij. Statusi i vaksinimit do të sinkronizohet më pas me të dhënat e tjera të derrit.

"Çdo derr duhet të vaksinohet rreth 10 herë gjatë kohës së tij në stallë, kështu që kërkon shumë punë manuale. Pas vënies në përdorim, roboti i vaksinimit mund të zvogëlojë kërkesën për veteriner me të paktën 30 për qind për të zgjidhur problemin e mungesës së veterinerëve në mbarë vendin", - tha Yao Xuefei.

Përveçse është me kosto efektive, zëvendësimi i punës me teknologji dhe robotë mund të parandalojë që derrat të sëmuren nga kontakti me njerëzit dhe të ulë shkallën e vdekjes, sepse shumë mikrobe dhe viruse që janë vdekjeprurëse për derrat barten nga njerëzit, shtoi ai.

Sipas statistikave, ngordhja e rreth 20 për qind e derrave të rritur në stallat e Kinës është e panatyrshme. Shpërthimi i murtajës afrikane të derrit e ka çuar  në rreth 30 për qind. Në Huateng, shkalla e ngordhjes së panatyrshme të derrave është mbajtur nën 15 për qind.

Inovacioni i stallave të derrave të Kinës ka rëndësi për botën. Për shkak të dashurisë së kombit për mishin e derrit, vendi ka tufën më të madhe të derrave në botë dhe përbën më shumë se gjysmën e popullsisë globale të derrave. Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave, Kina theri 670 milionë derra në vitin 2021.

Yao Xuefei tha se që një derr të marrë një kilogram në peshë, duhet të konsumojë rreth 3 kg ushqim, që kryesisht përbëhet nga drithëra. Pra, parandalimi i ngordhjes së panatyrshme të një derri mund të kursejë një sasi drithërash tri herë më të madhe se pesha e kafshës.

"Duke adaptuar teknologjinë në stallat e derrave për t'i mbajtur të shëndetshëm, Kina mund të ulë importin vjetor të drithërave, gjë që mund të jetë e rëndësishme në zgjidhjen e mungesës globale të ushqimit",- shtoi ai.

Përveç asaj në Tongxiang, Huateng ka shtatë stalla të tjera inteligjente derrash në Zhejiang. Të ardhurat e kompanisë nga shitja e derrave pritet të kalojnë 150 milionë juanë (21.5 milionë dollarë) këtë vit. Për më tepër, stalla të tilla janë bërë gjithnjë e më të zakonshme në Kinë.

Në Wuhan, provincën Hubei, një tjetër fermë inteligjente derrash u vu në përdorim në tetor. Ajo ka kapacitetin për të rritur dhe therur 100,000 derra në vit, sipas kompanisë së saj mëmë “Wuhan Muyuan Pig Breeding Co Ltd”, e cila ka investuar 150 milionë juanë në fermë.

Luo Chunyang, kreu i kompanisë, tha se përdorimi i teknologjisë i ka lejuar një punonjësi të kujdeset për 2,400 deri në 3,000 derra. Gjithashtu, sistemi i automatizuar i të ushqyerit mund të përziejë lloje të ndryshme ushqimi për derrat në cikle të ndryshme jetësore.

"Teknologjitë, duke përfshirë rrjetin 5G, të dhënat e mëdha dhe inteligjencën artificiale e kanë bërë fermën e derrave më vete shumë inteligjente. Ferma mund të kontrollojë mjedisin e derrave, të ushqejë automatikisht derrat dhe të paralajmërojë ekipin e menaxhimit për sjellje jonormale të tufës",- tha Luo.

Robotët patrullues janë gjithashtu të rëndësishëm, tha Zhou Kehua, drejtuesi i fermës. "Ata janë më shumë si infermierë. Duke analizuar tingujt që bëjnë derrat, ata mund të përcaktojnë nëse derrat kolliten. Për më tepër, mund të paralajmërojnë stafin që të kontrollojë për sëmundje të caktuara bazuar në modelet e kollitjes".

Krahas stallave inteligjente të derrave, Kina ka ndërtuar edhe stalla në ndërtesa shumëkatëshe të stilit të apartamenteve për të zgjidhur problemin e mungesës së tokës dhe për të stabilizuar furnizimin. Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale, Kina do të prodhojë rreth 55 milionë tonë metrikë mish derri deri në vitin 2025 dhe vlera e prodhimit të industrisë së kultivimit të derrave në Kinë pritet të arrijë në 1.5 trilion juanë.

Një ndërtesë 26-katëshe në periferi të Ezhou, Hubei, është bërë ferma   më e madhe e derrave me një ndërtesë të vetme në botë, me një kapacitet për të rritur dhe therur 1.2 milionë derra në vit, e cila filloi funksionimin në tetor. Ferma të tilla derrash janë ndërtuar gjithashtu në Shenzhen në provincën Guangdong, provincat Zhejiang dhe Hainan.

Përhapja e gripit afrikan të derrit në vitin 2018 ka përshpejtuar inovacionet në fermat e derrave në Kinë, tha Yao Debiao, kreu i Shoqatës së Industrisë së Derrave të Provincës Hainan.

"Më shumë ferma derrash në ndërtesa të mëdha dhe shumëkatëshe janë ndërtuar rreth Kinës dhe ato po lulëzojnë. Pa dyshim, fermat e industrializuara të derrave me teknologji të fundit dhe përdorim minimal të tokës do të bëhen shtylla kryesore e industrisë në të ardhmen”, - tha Yao.

Zhong Yu,  nga një fshat afër fermës së derrave të Huateng në Tongxiang, shpesh e nxjerr vajzën e saj tre muajshe në parkun e fermës për një shëtitje dhe ha sallam të sapopjekur në skarë të bërë nga mishi i derrit të prodhuar në fermë. Ajo beson se mishi i derrit i rritur me teknologji të tilla është më i shijshëm.

"Shumë fshatarë që e dinë shumë mirë se si rriten derrat në mënyrë tradicionale thonë se është e qartë se fermat e derrave në Kinë nuk do të jenë më kurrë njëlloj",- tha ajo.