Ilva Kurti:Unë nuk e njoh dështimin
2022-12-16 19:45:14

Ilva Kurti është një nga ato gra sipërmarrëse, të cilat kanë guxuar për të qenë të sukseshme. Me disa vite përvojë në fushën e medias, duke provuar pozicione të ndryshme në këtë sektor, ajo mendon se çelësi kryesor i një njeriu të sukseshëm është të gjejë atë që dëshiron të bëjë në jetë dhe më pas të ketë aftësinë për të avancuar me mençuri. Ilva prej disa vitesh është futur në fushën e biznesit dhe tani vjen në Shqipëri me një klinikë në dermoestetikë. Ky është një investim me mjekët më të mirë nga e gjithë bota. Megjithëse kjo nuk është puna e parë që Ilva bën apo ndërmerr, ajo është një eksperte në marketing duke qenë një ndër vajzat e para që ka lidhur edhe kontrata me biznese të suksesshme.

Ilva ka një parim në jetë : “Nuk ka deshtime, ka vetëm tentativa të pandalshme”. Ajo flet për gjithë rrugëtimet në jetë shumë sinqerisht për Grupin Mediatik të Kinës.

CMG:Ilva, si është të rikthehesh në Shqipëri me biznes?

Ilva Kurti: Ka vështirësitë e veta sepse duke qenë që kam vite që jam shkëputur nga vendi im dhe tani rikthehem, patjetër që shoh një lloj vështirësie. Por unë kam kuptuar që shqiptarët janë njerëz të zotë dhe bujarë. Ne dimë të sillemi dhe të mirëpresim këdo që dëshiron të bëjë biznes. Në Shqipëri unë kam ardhur me një eksperiencë të re, e cila do të duket hap pas hapi se si do të operohet.

CMG: Nëse ndodhesh përpara një pasqyre, cila do të ishte ajo që do t'i thoje vetes?

Ilva Kurti: Une jam Ilva , mami shembullore. Kështu më pëlqen ta quaj veten. Jam e angazhuar me kohë të plotë me fëmijët e mi. Që në momentin që linda unë vendosa që të jem e angazhuar me familjen dhe t’i dedikohem plotësisht. Çdo gjë kërkon kohën dhe vëmendjen e vet dhe prandaj unë jam e angazhuar me familjen sepse kam menduar përhere që është ajo së pari dhe së dyti vjen gjithçka tjetër .

CMG: Ti ke vendosur të shkëputesh tashmë nga të qenit një grua që qëndron vetëm në shtëpi ?

Ilva Kurti: Çdo grua duhet ta bëjë këtë gjë mendoj. Është më e drejtë që të rrisim fillimisht fëmijët dhe më pas jeta jonë profesionale kalon patjetër edhe ajo në vendin e parë. Dua të jem e sinqertë, që më duket pak e çuditshme vetja kështu siç po të tregoj, sepse sapo kam nisur të riangazhohem dhe patjetër që çdo gjë kërkon kohën e vet .

CMG: Ilva a je ti pasqyrë e prindërve të tu ?

Ilva Kurti: Une kam pasur prindër të mrekullueshëm. Jam një nga ato vajza që të gjithë dashurinë dhe përkujdesin e tyre e kam përkthyer në pasion për punën dhe siguri për veten. Ndihem plot me siguri sepse jam falë tyre këtu ku jam. Jam rritur në një qytet të vogël dhe të bukur, siç është Elbasani. Aty kam kujtimet më të bukura, fëmijëria ime ka qenë e artë.

CMG: Merreni ndër të tjera edhe me marketing. Është një nga pasionet tuaja? Si lindi ky pasion ?

Ilva Kurti: E kam dashur gjithmonë sepse është një fushë që i lidh njerëzit me njëri- tjetrin . Partneri im nuk ka qenë kurrë gati që unë të bëj këtë gjë sepse nuk ka preferuar që gjërat të jenë publike. Megjithatë pavarësisht kohës unë kam arritur tashmë ta bind që njerëzit më duan dhe kanë krijuar besim tek unë, që është shumë i nevojshëm. Unë promovoj gjëra të ndryshme, të cilat sapo i nxjerr shiten apo marrin vemendje, sepse me aq sa unë kuptoj kam arritur të krijoj besueshmëri të lartë .

CMG: Ti ke krijuar një rrjet tëndin që bashkëpunon?

Ilva Kurti: Po, une kam lidhur kontrata me kompani të mëdha, të cilat janë shumë të njohura në Shqipëri po ashtu edhe në vende të tjera jashtë shtetit, ku unë veproj. Ky është rrjetëzimi që unë jam përpjekur të bëj. Pastaj me kohën ndërtohet gjithçka. Në botën digjitale duhet të dish se si të operosh dhe çfarë të krijosh. Është shumë e rëndësishme pastërtia dhe qartësia e materialit që nxjerr.

CMG: A ishte marketingu një shtysë për të hapur edhe klinikën tuaj ?

Ilva Kurti: Po ishte. Unë kuptova se si funksionon dhe mbi të gjitha kam kuptuar se çfarë duan klientët. Sot bota po shkon drejt emancipimit dhe ndoshta jo të gjithë, por një pjesë e mirë e njerëzve duan që të ndihen shumë herë më të bukur. Ndaj është edhe dermo- estetika .

CMG: Kjo është një punë shumë e madhe, si e keni marrë përsipër ?

Ilva Kurti: E kam marrë përsipër sepse kam pasur mbështetjen e drejtpërdrejtë të të gjithë mjekëve më të mirë, të cilët janë të garantuar për të ofruar shërbim. Nuk do ta merrja përsipër gjithashtu edhe pa mbështetjen e partnerit tim, i cili më gjendet në çdo hap timin .

CMG: Çfarë ndodh, nëse ju dështoni?

Ilva Kurti: Unë nuk e njoh dështimin. Për mua ka vetëm tentativa të pandalshme. Çdo gjë në jetë vlen qoftë edhe si mësim.

Intervistoi : Megi Latifi