Nëntor: Rritet besimi në ekonomi
2022-12-15 10:22:03

Kostot e ndërtimit janë rritur ndjeshëm. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në tremujorin e tretë Indeksi i Kushtimit në Ndërtim arriti në 109.4% kundrejt tremujorit të katërt 2020 si periudha bazë. Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e tretë 2022 është 7,2 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 2,2 %. Rritja më e madhe është konstatuar për shpenzimet e energjisë elektrike me 15.5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Krahasuar me të njejtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 15,5 %, pasuar nga grupet, “Shpenzime materiale” me 8,0 %, “Kosto të tjera” me 7,9 %, “Shpenzime për paga” me 4,6 %, “Shpenzime makinerie” me 4,4 % dhe “Shpenzime transporti” me 2,3 %. Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indekset e nëngrupit “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” shënuan rritjen më të lartë me 8,8 %, pasuar nga grupi “Materiale ndërtimi” me 8,2 % dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 6,2 %.”- thuhet ne raportin e publikuar nga Instat.

Sa i takon ndryshimeve tremujore, rritja më e madhe është për shpenzime materiale.

“Indeksi i Kushtimit në Ndërtim shënoi rritje me 1,5 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022. Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime materiale” me 2,1 %, pasuar nga grupet “Shpenzime për paga”, “Shpenzime makinerie”, “Shpenzime energjie” me 1,4 % secila, “Shpenzime transporti” dhe “Kosto të tjera” përkatësisht me 0,7 % secila.”- thuhet në raportin e Instat.

Pavarësisht rritjes së çmimeve, sipas matjeve periodike që bën Banka e Shqipërisë treguesi i besimit në ndërtim shënoi rritje në muajin nëntor.

“Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) regjistroi rritje me 5.8 pikë përqindje në muajin nëntor. Ky zhvillim u përcaktua nga vlerësime më optimiste për porositë aktuale në ndërtim, si dhe për punësimin në të ardhmen. Vlerësimi për aktivitetin aktual në sektorin e ndërtimit regjistroi gjithashtu rritje, por në një masë më të vogël se komponentët e tjetër të TBN-së. Rritje të lehtë kanë pësuar dhe pritjet për çmimet në të ardhmen “- thotë Banka e Shqipërisë.

E kundërta ka ndodhur me sektorin e industrisë.

“Treguesi i besimit të industrisë (TBI) ra me 3.8 pikë përqindjeje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar si nga vlerësimet më pesimiste për prodhimin aktual ashtu edhe nga vlerësimet në rënie për kontratat porositëse. Ndërkohë, pritjet e bizneseve për prodhimin në të ardhmen regjistruan një rritje të lehtë. Pritjet për çmimet janë në rënie këtë muaj“

Ndërkohë treguesi i besimit në shërbime shënoi një kthesë pozitive, duke u rritur me 3.2 pikë përqindje në muajin nëntor, pasi kishte shënuar rënie gjatë katër muajve paraardhës.

“U ndikuar nga vlerësime pozitive, si për ecurinë aktuale të biznesit ashtu edhe për nivelin e kërkesës. Vlerësimet e bizneseve të shërbimeve për nivelin e punësimit nuk kanë ndryshime të ndjeshme nga muaji i kaluar. Pritjet e tyre për ecurinë e çmimeve në të ardhmen regjistruan rënie .”

Treguesi i besimit në tregti  shënoi rritje të lehtë me 0.5 pikë përqindje.

“Bizneset e tregtisë vlerësuan më pozitivisht ecurinë aktuale të biznesit të tyre, si dhe presin rritje të lehtë të punësimit Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen janë vlerësuar në rënie.”

Sipas Bankës së Shqipërisë, Treguesi i besimit konsumator rezultoi me rritje të lehtë në muajin nëntor, duke reflektuar përmirësime të vogla në të katër komponentët përbërës; pritjet për situatën ekonomike e financiare si dhe vlerësimi për blerjet në shuma të mëdha, si në periudhën aktuale ashtu edhe në të ardhmen . Pritjet për papunësinë dhe nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për poshtë këtë muaj.

Në total Treguesi i ndjesisë ekonomike që mat ndjesinë e bizneseve dhe konsumatorëve për situatën ekonomike në vend; u rrit me 2 pikë në muajin nëntor. Niveli i tij aktualisht qëndron 2.3 pikë mbi mesataren afatgjatë .Përmirësimi i këtij treguesi u ndikua kryesisht nga rritja e besimit në sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve. Gjithashtu, përmirësimi i besimit konsumator dhe atij në sektorin e tregtisë ndikuan pozitivisht rritjen e TNE-së, megjithëse në një masë më të vogël.