Historia e filmit “Koncert në vitin 1936”
2022-12-14 15:19:06

Jemi në Shqipërinë e vitit 1936, në kohën e monarkisë. Dy artiste të reja, njëra soprano dhe tjetra pianiste, bashkë me pianon e tyre udhëtojnë përmes baltërave të Myzeqesë, për të mbërritur në Lushnjë, ku do të japin një koncert.

Ideja e koncertit pritet ftohtë nga drejtuesit lokalë me mendësi feudale dhe i gjithë filmi bazohet në përpjekjen e dy artisteve për të realizuar koncertin e tyre. Kjo është historia mbi të cilën ndërtohet filmi “Koncert në vitin 1936” me regjisor Saimir Kumbaron dhe që tashmë numëron mbi 40 vjet nga koha e realizimit të tij. Filmi “Koncert në vitin 1936”, është ndër ato filma që i ka rezistuar kohëve duke siguruar simpatinë e publikut, sidomos me personazhet e karaktereve që solli, të cilët kanë mbetur po kaq të dashur edhe sot për publikun.

Gjatë filmit, dy artistet e reja takojnë shumë njerëz, mikpriten prej tyre, gëzojnë simpatinë e qytetarëve, ndërkohë që autoritetet lokale nuk u krijojnë asnjë lehtësi për shfaqje. Ata duan të duken të civilizuar në sytë e dy artisteve, por në fakt bëhen qesharakë e tekanjozë, duke u konfrontuar edhe me njëri-tjetrin.

Filmi i restauruar me ngjyra- foto ATSh

Filmi i restauruar me ngjyra- foto ATSh

Në pak minuta, duke parë filmin kuptohen lehtësisht tre linjat e ndërtimit të tij: shteti monarkist në periferi; qytetaria shqiptare, patriotike e me frymëzim perëndimor; situata feudale mbizotëruese dhe varfëria e jetës së popullit. Në fakt ekziston dhe një linjë apo perspektivë e katërt: lëvizja anti-monarkiste, anti-feudale dhe progresiste. Të katërta këto perspektiva analitike kanë një dallim të qartë. Në njërën anë ndodhet shteti monarkist me pushtetin feudal. Në tjetrën janë intelektualë, profesionistë dhe artistët. Shoqëria e vjetër kundër risisë dhe emancipimit modernizues …

Vepra bazohet te tregimi “Baltërave të Myzeqesë” shkruar nga Dhimitër Shuteriqi me personazh kryesor, këngëtaren Donika Prokopi (interpretuar nga Manushaqe Qinami), e cila personifikon sopranon Tefta Tashko-Koço, e cila në periudhën që fokuson filmi, sapo ishte kthye nga Franca në Shqipëri dhe realisht zhvilloi dhjetëra koncerte dhe interpretime operistike.

Po kështu pianistja Eleni Jankollari (interpretuar nga Margarita Xhepa), personifikon pianisten Lola Gjoka, e cila ka qenë shoqëruese e Tefta Tashkos dhe muzikante e shquar, një nga themelueset e Akademisë së Arteve të Tiranës. Për të dëshmuar faktet reale të këtij turneu, kemi edhe dëshmi historike, të cilat dëshmojnë se ky tur ka qenë i vërtetë dhe serioz, pavarësisht këndvështrimit me të cilin realizohet në film.

Filmi është ndërtuar me elementët më të mirë që kërkon kinematografia: gjuhën e imazhit, skenarin, portretizimin dhe kostumet e kohës, por mbi të gjitha është një koncert i shoqërisë njerëzore në vitet ‘30. Aty prezantohen dy botë; bota qesharake e shtetit dhe bota e njerëzve të thjeshtë.

Grupi i xhirimit- foto Aktoret shqiptare facebook

Grupi i xhirimit- foto Aktoret shqiptare facebook

“Koncert në vitin 1836” është një film i bukur, i freskët dhe sarkastik. Ai u realizua në vitin 1978 nga “Kinostudio Shqipëria e re” nga regjisori Saimir Kumbaro i cili angazhoi një trupë realizuese mjaft cilësore.  

Pika e më e vështirë për Kumbaron ka qenë përzgjedhja e aktorëve që dëshironte. Në rolin e Tefta Tashkos, u zgjodh Manushaqe Qenani, në profesion këngëtare e operas, meqë edhe roli i saj përmbante shumë pjesë të kënduara. Kjo ishte një zgjedhje mjaft e mirë për filmin, por edhe e vështirë për interpretuesen, pasi ajo nuk e kishte aspak të thjeshtë të punonte përballë aktorëve profesionistë. Përballë ajo kishte aktorë si margarita Xhepa, Roland Trebicka, Mirush Kabashi, Robert Ndrenika, Bep Shiroka, Birçe Hasko, Albert Verria, Gjon Karma, Ilia Shyti, Enver Dauti, etj, Prej tyre kemi regjistruar në kujtesën tonë me dhjetëra batuta, që e hijeshojnë edhe më shumë filmin. Duhet theksuar se batutat dhe e qeshura, notat sarkastike janë tipar dallues i këtij filmi, që e bëjnë atë të pavdekshëm.   

Filmi që i bazon ngjarjet në Shqipërinë e viteve ‘30 kërkonte përveç të tjerash trajtim koherent të skenografisë dhe kostumografisë. Për të krijuar atë çfarë ne shohim në film, regjisori Saimir Kumbaro hulumtoi për pesë muaj në bibliotekë, duke shfletuar materiale të kohës, në mënyrë që të gjithë elementet t’i vinte në shërbim të epokës në të cilën zhvillohej ngjarja.

Edhe pse ngjarjet në film zhvillohen në Lushnjë, xhirimet e filmit u bënë në Libohovë dhe Divjakë. Krijimi i skenave masive, ku angazhohen me dhjetëra banorë të zonës, si dhe dirigjimi i këtyre skenave në një terren të vëshirë janë disa nga momentet më të vështira, por edhe më të bukura në film. Filmi u vlerësua në Festivalin e Filmit që u zhvillua atë vit dhe të gjithë elementet e filmit u nderuan me çmime, përveç regjisorit. Por ky film shënoi fillimin e një karriere të mbarë për Kumbaron. Sot, “Koncert në vitin 1936” është një nga filmat më të dashur për shkak edhe të humorit që përcjell dhe batutave, të cilat janë bërë pjesë e përditshmërisë shqiptare.

Mirush Kabashi dhe Robert Ndrenika ne filmin Koncert ne vitin 1936

Mirush Kabashi dhe Robert Ndrenika ne filmin Koncert ne vitin 1936

“S’na urdhëroka ndonjë gjerman, po një korçarkë ! Dhe vjen të këndojë, me piano, midis Myzeqesë… Ka të marrë kjo botë, po kur marrosen korçarkat! Sidoqoftë, e marrë, po i lumshin këmbët. Plasëm me kërnetën e Rremës e me zërin e Leme çingisë. Po kush do ta dëgjojë në Lushnjë korçarkën?”, janë vetëm disa nga batutat e filmit “Koncert në vitin 1936”, batuta që nuk lënë indiferent asnjë.

Për të ruajtur freskinë e filmit si dhe për ta sjellë më pranë kohës ku jetojmë, Arkivi Qëndror i Filmit ka bërë një punë kolosale për ta restauruar dhe për ta prezantuar në konkurrime dinjitoze. Është punuar fort për kthimin e ngjyrave dhe forcimin e zërit. Filmi është stamposur në Bullgari, në laboratorin e Sofjes, dërsa është prezantuar në disa përfaqësime dhe konkurrime ndërkombëtare.

Riprodhimi i filmit me ngjyra Manushaqe Qinami dhe Margarita Xhepa - foto Sot

Riprodhimi i filmit me ngjyra Manushaqe Qinami dhe Margarita Xhepa - foto Sot


Përgatiti: N. Kraja