Belshi, qyteti i parë shqiptar pjesë e programit “Green Destinations”
2022-12-13 17:50:43

Bashkia e Belshit është angazhuar me “Green Destinations”, një program ndërkombëtar për menaxhimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në rajon.

Green Destinations (Foto:Bashkia Belsh)

Green Destinations (Foto:Bashkia Belsh)

I njohur si vendi i liqeneve, kryeqendra e zonës së Dumresë që mban emrin Belsh është kthyer në një nga zonat më të frekuentuara të turistëve vendas dhe të huaj .

Për shkak të bukurive të shumta dhe vlerave që mbart Belshi është bërë tashmë pjesë e “Green destinations”. Bashkia Belsh ka njoftuar se do të jenë pjesë e një programi ndërkombëtar për menaxhimin e qëndrueshëm të turizmit, për të ndihmuar në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në rajon. Për këtë flet punonjësja e Bashkisë së Belshit Matea Gjoshi.

“Javën e kaluar, Bashkia nënshkroi një marrëveshje me Spoonbill Nest Innovation Center, përfaqësuesi i Destinacioneve të Gjelbërta për Shqipërinë, për të filluar punën drejt përmbushjes së kritereve të Këshillit Global të Turizmit të Qëndrueshëm për menaxhimin e qëndrueshëm të turizmit. Në njoftim thuhet se gjatë vitit të ardhshëm, Bashkia Belsh do të fokusohet në kriteret bazë, me një synim afatgjatë për marrjen e çmimit të Destinacionit të Gjelbër dhe Certifikimin. “

Qendra e qytetit (Foto:Bashkia Belsh)

Qendra e qytetit (Foto:Bashkia Belsh)

Në një postim në rrjetet sociale, kryetari i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani tha se “Bashkia nënshkroi javën e kaluar një marrëveshje me Spoonbill Nest Innovation Center, Përfaqësuesi i Destinacioneve të Gjelbra për Shqipërinë, për të filluar punën drejt përmbushjes së kritereve të Global Sustainable Tourism Council (GSTC) (Këshillit Global të Turizmit të Qëndrueshëm) për menaxhimin e qëndrueshëm të turizmit”.

Sipas tij, gjatë vitit të ardhshëm Bashkia e Belshit do të fokusohet në kriteret bazë, me një synim afatgjatë për marrjen e çmimit të Destinacionit të Gjelbër dhe Certifikimin.

“Peizazhet natyrore, vendet historike dhe produktet vendase të Bashkisë Belsh e bëjnë atë një vend ideal për turizmin rural dhe të jashtëm. Bashkia shpreh nevojën për të zhvilluar turizmin me shumë kujdes dhe vizion afatgjatë dhe ka zgjedhur të ndjekë objektivat e turizmit të qëndrueshëm për të garantuar cilësinë dhe shëndetin e komunitetit dhe ekonomisë lokale për brezat që do të vijnë.”, tha kreu i Bashkisë.

Dumrea (Foto:bashkia Belsh)

Dumrea (Foto:bashkia Belsh)

Projekti i rilindjes urbane (Foto:bashkia Belsh)

Projekti i rilindjes urbane (Foto:bashkia Belsh)

Gjatë shekujve IV-VI e.s. Belshi ishte një qytet i fortifikuar me mure guri, por më pas mbeti vetëm një fshat i zakonshëm. Në qendër të historisë qëndron Kalaja e Gradishtës dhe bashkë me të historia për princin ilir të Belshit.

Me lartësinë prej rreth 350 m, mali i Gradishtes dominon gjithë zonën përreth. Ky është një nga destinacionet më tërheqëse të Dumresë dhe preferohet nga të gjithë për shkak të lehtësisë për t'u ngjitur në majë.

85 liqenet karstike të zonës së Dumresë, ku bën pjesë edhe Belshi, i vizitojnë veçanërisht turistët e huaj, por vitet e fundit me transformimin që i është bërë kësaj zone me bukuri të jashtëzakonshme natyrore, fluksi i vizitorëve po shtohet edhe me qytetarë shqiptarë, sidomos nga Tirana dhe Durrësi.