Rritja e çmimit të pronave mund të rrisë kostot e kapitalit të bankave
2022-12-13 17:56:42

Rritja e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme mund të ndikojë në mënyrë të tërthortë në rritjen e kostove të kapitalit për bankat dhe në një shtrenjtim të mëtejshëm të kredisë. Agjentja Imobiliare Irma Meta shprehet se tendenca rritëse e çmimeve të apartamenteve vijon.

Zonat më të preferuara (Foto:buletini ekonomik)

Zonat më të preferuara (Foto:buletini ekonomik)

“Situata e çmimeve vijon të ketë një tendencë rritëse, kjo si pasojë e investimeve të mëdha që pronarët bëjnë në pronat e tyre, kryesisht tek pronat me qira apo investimi teknik dhe risitë që godinat e reja sjellin. Klientët evidentojnë një rritje, por duke marrë parasysh raportin mes çmimit dhe cilësisë tek banesa që investojnë mund të konsiderohet normal, pavarësisht vështirësisë për ta përballuar referuar dhe kostos së përgjithshme të jetesës.”, u shpreh agjentja imobiliare.

Ka disa faktorë që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve dhe ndër kryesorët renditet rritja e kërkesës.

“Në lidhje me rritjen e çmimit të banesave evidentojmë disa faktorë, një ndër to është kërkesa e lartë që ka për banesat qoftë për blerje apo për ta marrë me qira. Ne si ballkanas e vlerësojmë shumë pronën dhe duam ta disponojmë një të tillë pavarësisht çmimit. Një faktor tjetër është edhe rritja e kostos së materialeve të ndërtimit, apo shesheve të ndërtimit. Vitet e fundit po gjenerohet një metodë e shembjes së shtëpive të vjetra dhe ndërtimit të pallateve në ato zona, kështu që kjo sjell rritje të çmimit të banesave duke qenë se kemi të bëjmë me pjesët më të frekuentuara të qytetit. Nëse i referohemi zonave periferike, të cilat kanë një disnivel rritje nga banesa e vjetër me pallatet që ndërtohen kjo për shkak të rritjes së standardit të jetesës.” Theksoi agjentja imobiliare.

Irma Meta (Foto: Burim personal)

Irma Meta (Foto: Burim personal)

Prej vitit 2019, Banka e Shqipërisë ka miratuar shtesat makroprudenciale të kapitalit, një ndër të cilat është edhe shtesa kundërciklike.

Qëllimi i kësaj shtese është të ngadalësojë rritjen e huadhënies nga sektori bankar, në situata kur Banka e Shqipërisë gjykon se kreditimi po rritet me ritme tepër të larta ku edhe kërkesa për zonat më të mira brenda unazës nga qytetarët vazhdon ende.

“Zonat më të pëlqyera të qytetit mbeten zonat brenda unazës dhe pjesa përreth, të cilat kanë akses me institucionet më të rëndësishme të qytetit. Këtu përfshihet Liqeni artificial i Tiranës, zona “ Komuna e Parisit” apo “Liqeni i thatë” për pamjen panoramike që ofron dhe kjo e bën të pëlqyer nga klientët. Në Tiranë po gjenerohen banesa të reja dhe mendoj se rritja do të vijojë për disa vite duke e ruajtur dhe standardin e vendosur të çmimit sipas zonave. Nëse e krahasojmë me një vit më pare, çmimet vijojnë të kenë një rritje në apartamentet me qira dhe ato për shitje.” shprehet Irma Meta.

Në analizën e tremujorit të tretë të këtij viti, Banka e Shqipërisë ka evidentuar se disa prej treguesve dhe sidomos ata të lidhur me çmimet në tregun e pasurive të paluajtshme janë në rritje dhe mund të diktojnë një ndërhyrje.

Qendra e Tiranës (Foto:ballkanweb)

Qendra e Tiranës (Foto:ballkanweb)

Pavarësisht ecurisë së treguesit parësor, Banka e Shqipërisë shprehet se nëse indeksi plotësues vijon të rritet dhe fiton qëndrueshmëri në periudhat në vijim, mund të sugjerojë nevojën për rritjen e normës së shtesës kundërciklike të kapitalit.