Ministria e Jashtme kineze paraqet bisedimet kino-amerikane në Hebei
2022-12-13 21:32:09

Foto: MPJ

Zv.ministri i Jashtëm kinez Xie Feng,  ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet e Azisë dhe Paqësorit Daniel Kritenbrink dhe Drejtorja e Lartë për Çështjet e Kinës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë Laura Rosenberger zhvilluan bisedime në Langfang të provincës Hebei, të cilat kanë tërhequr vëmendje të madhe.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin u shpreh në një konferencë të rregullt shtypi të martën se të dy palët zhvilluan komunikim të thellë për zbatimin e konsensusit të arritur në takimin e presidentëve të Kinës e ShBA-së në Bali të Indonezisë, nxitjen e konsultimeve mbi parimet drejtuese të marrëdhënieve kino-amerikane, trajtimin e duhur të çështjeve të rëndësishme e të ndjeshme në marrëdhëniet dypalëshe, si Tajvani, forcimin e shkëmbimeve në të gjitha nivelet dhe realizimin e bashkëpunimit në fushat përkatëse. Të dyja palët shkëmbyen gjerësisht pikëpamje edhe për çështjet ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët.

Gjatë bisedimeve, pala kineze u shpreh se Kina dhe ShBA-ja duhet ta trajtojnë zbatimin e konsensusit të rëndësishëm të arritur nga të dy liderët në Bali si boshtin kryesor të stabilizimit dhe zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe në fazën e ardhshme. Ato duhet të forcojnë komunikimin dhe dialogun, të realizojnë bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella, të kontrollojnë dallimet dhe të nxitin kthimin e marrëdhënieve kino-amerikane në rrugën e duhur të zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm. Veprimet e gabuara të "shkëputjes e ndërprerjes së furnizimit" e shtypjes teknologjike duhet të ndalojnë.

Pala kineze theksoi se çështja e Tajvanit është thelbi i interesave thelbësore të Kinës, baza e themelit politik të marrëdhënieve kino-amerikane dhe vija e parë e kuqe e pakapërcyeshme në marrëdhëniet kino-amerikane. Zv.ministri Xie Feng deklaroi edhe një herë qëndrimin e tij solemn ndaj veprimeve të gabuara, si shkëmbimet e nivelit të lartë ShBA-Tajvan, shitja e armëve amerikane Tajvanit dhe ligji mbi Tajvanin, dhe i kërkoi ShBA-së të respektojë parimin e “Një Kine” dhe tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane me veprime konkrete.

Pala kineze vuri në dukje se Kina nuk e shmang ose nuk e ka frikë konkurrencën, por kundërshton që konkurrenca të jetë përcaktuese e marrëdhënieve kino-amerikane, dhe është kundër frenimit e shtypjes në emër të konkurrencës. ShBA-ja ka konceptin e vlerave amerikane dhe Kina ka konceptin e vlerave kineze.  Të dyja palët duhet të respektojnë njëra-tjetrën e nuk duhet t'u imponohen të tjerëve, dhe nuk duhet të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve të tjera.

Për çështjen e Ukrainës dhe çështjen bërthamore të Gadishullit Korean, numri dy i diplomacisë kineze përsëriti qëndrimin e qartë dhe konsekuent të Kinës.

Të dyja palët ishin të mendimit që bisedimet ishin të sinqerta, të thella e konstruktive dhe pranuan të vazhdojnë të ruajnë komunikimin dhe të zbatojnë bashkërisht konsensusin e rëndësishëm të arritur nga liderët e dy vendeve. (Çang Çuo)