Grubi: Projekte bashkëpunimi nga porti i thatë deri te linja hekurudhore Shkup-Durrës
2022-12-13 11:52:17

 Zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, (Foto:ATSh)

Zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, (Foto:ATSh)

Zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, mori pjesë në prezantimin e projektit të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano.

Në fjalën e tij, Grubi foli për projektet e mëdha mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si ndërtimi i autostradës Shkup-Qafë-Thanë, linjën hekurudhore Shkup-Kërçovë-Pogradec-Durrës dhe bashkimin e kontrolleve kufitare.

“Po ndërtojmë autostradë me 6 korsi nga Shkupi në Qafë-Thanë që do të zvogëlojë distancën Shkup-Tiranë me 2.5 orë, Shkup-Vlorë në 3 orë. Për të pasur qasje në port, po planifikojmë linjën hekurudhore Shkup-Kërçovë-Pogradec-Durrës. Në janar, bashkojmë dy kontrollet tona kufitare në një të vetëm me synimin për të hequr përfundimisht kufijtë mes nesh. Po ndërtojmë edhe linjë interkonjuktive energjetike midis nesh me dy projekte stacionin në Ohër dhe linjën e tensionit të lartë Manastir-Elbasan”, tha Grubi.

Foto:VCG

Foto:VCG

Zv.kryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut nënvizoi se risia e këtyre projekteve është ndërtimi i portit të thatë në qytetin e Strugës.

“Një risi që bashkë me kryeministrin Rama e diskutuam në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive ishte ndërtimi i një porti të thatë në qytetin e Strugës. Një dimension i ri dhe kreativ komunikimi që pa dyshim do të kontribuojë në shkëmbimin tregtar mes dy vendeve dhe është pjesë e pandarë e ndërtimit të Porti të Ri të Durrësit. Erdhi dita që këtë ide ta formatizojmë tashmë edhe me firmosjen e marrëveshjes për realizimin e saj. Qofshin të shumta projektet e përbashkëta me vendet tona”, -tha ai. (Fatosi)