Sa larg ndodhet Kina nga Kupa e Botës?
2022-12-13 16:59:41

VCG

VCG

Në Kinë, efektet ekonomike nga veprimtaritë sportive janë gjithnjë e më të dukshme. Përveç suksesit të madh të lojërave olimpike, edhe Kupa e Botës në futboll ka sjellë efekte pozitive për ekonominë e 2-të të botës.

 

Tani “Katar 2022” është futur në fazën e fundit. Këtë herë, një veçanti e dukshme është që mallrat dhe investimet kineze kanë “sunduar” veprimtarinë më të madhe të futbollit botëror. Përveç suksesit komercial në Botëror, edhe në tregun kinez, “Katar 2022” ka stimuluar një kulm konsumi, si fluksi i pagesave në internet për ndjekjen e ndeshjeve, blerja e shumë suvenireve dhe konsumi i lartë i pijeve dhe i ushqimeve.

 

VCG

VCG

Sukses komercial me FIFA-n

 

Botërori është një biznes i madh. Futbollisti i shquar gjerman Franc Bekenbauer ka thënë: “Ai që rrotullohet në fushë, nuk është topi, por ari.” Katër vjet më parë, “Rusi 2018” i solli afro 5.4 miliardë dollarë FIFA-s, ndërsa tani në “Katar 2022” të ardhurat e FIFA-s sigurisht do të jenë më të larta.

 

Në fakt, markat kineze kanë hyrë në “qarkun komercial” të FIFA-s qysh nga viti 2015, kur FIFA zhvilloi reformë, duke zgjeruar numrin e partnerëve dhe sponsorëve të kategorive të ndryshme. Në periudhën 2015-2018, FIFA nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me 14 sponsorë globalë, dhe shtatë prej tyre janë kinezë, si “Wanda”, “Hisense”, “Mengniu” dhe VIVO.

 

Në vitin 2016, “Hisense” u shpall si sponsori zyrtar i FIFA-s dhe VIVO e “Mengniu” janë futur gjithashtu në këtë kategori komerciale. Po të njëjtën vit, grupi “Wanda” u shpall si partner global i FIFA-s me një afat bashkëpunimi 15 vjet. Në këtë kategori përfshihen edhe gjigantë të famshëm, si “Coca Cola”, “Adidas” dhe VISA. Në kategorinë rajonale, kompania “Yadea” që merret me biçikletat elektrike, është bërë sponsor mbështetës për FIFA-n.

Me zgjerimin e markave komerciale të FIFA-s, tani tifozët që ndjekin ndeshjet mund të citojnë mirë jo vetëm emrat e yjeve në fushë, por edhe gjigantët komercialë buzë fushës që vijnë nga Kina.

 

VCG

VCG

Praktika të shumta për zhvillimin e botërorit

 

Nga mallrat “Made in China” (Prodhuar në Kinë) deri në markat komerciale kineze që mbushin fushat, Kina ka dhënë kontribut të rëndësishëm edhe për zhvillimin e ndeshjeve. Në “Katar 2022” Kina është e njohur më mirë për stadiumet dhe automjetet elektrike, që kanë siguruar zhvillim të mbarë të aktivitetit.

 

Kjo është hera e parë që botërori zhvillohet në Lindjen e Mesme dhe stadiumi kryesor ka tërhequr vëmendjen e botës. “Lusail” është ndërtuar nga një kompani kineze dhe për të përkujtuar këtë stadium të bukur, Katari e ka përfshirë atë në kartmonedhën e vet 10 rialë.

 

Përveç stadiumit kryesor, kompanitë kineze kanë marrë pjesë edhe në ndërtimin e infrastrukturës me energji të ripërtëritshme. P. sh., stacioni i energjisë fotovoltaike në Al Kasa është një nga stacionet që furnizon energji elektrike për “Katar 2022”.

 

Për Kupën e Botës të FIFA-s 2022 është ndërtuar në Katar “fshati i tifozëve”, i cili ofron akomodim për afro 12 mijë veta. Kjo zonë e formuar në bazë të shtëpive-kontejner për tifozët është ndërtuar bashkërisht nga kinezët.

 

Një tjetër kontribut kinez është që autobusët elektrikë për “Katar 2022” janë furnizuar nga kompania kineze “Yutong”. 1500 autobusë dhe 888 autobusë elektrikë të kësaj kompanie janë përdorur për mbartjen e tifozëve në Katar. Kështu, nga “fshati i tifozëve” deri në transportin publik dhe në stadiumin kryesor, ku u zhvillua ndeshja e hapjes dhe do të luhet ndeshja finale, të gjitha këto janë krijuar me mbështetjen nga kinezët.

 

VCG

VCG

Pasioni nga konsumatorët

 

Edhe pse botërori zhvillohet në dimër, ftohtësia dhe diferenca e orës nuk mund të ndalin zemrat e futbolldashësve, të cilat e kanë çuar ngrohtësinë e tyre edhe në fushën e konsumit në Kinë.

 

Në Kinë, numri i dashamirësve të futbollit është afro 200 milionë, 30 milionë ndër të cilët i ndjekin ndeshjet e futbollit në mënyrë të rregullt dhe afro 14 milionë janë të gatshëm të paguajnë për shikimin e ndeshjeve në TV, kompjuter ose celular.

 

Të dhënat tregojnë që, qoftë për sa u përket kampionateve kryesore europiane ose Superligës Kineze, apo veprimtarive ndërkombëtare futbollistike dhe Kupës së Botës, tifozët kinezë janë pjesëmarrës aktivë, duke bërë pagesa të mjaftueshme për ndjekjen e ndeshjeve.

 

Ndër veprimtaritë e shumta futbollistike, Kupa e Botës është më e ndjekura nga adhuruesit kinezë të futbollit.

 

Në vitin 2018, “Youku” për herë të parë mori të drejtën e transmetimit për botërorin në Rusi dhe disa ndeshje mund të shiheshin vetëm nga klientët e abonuar. Në ditën e hapjes së “Rusi 2018”, numri i përdoruesve në “Youku” shënoi rritje me afro 160 % dhe numri i shikuesve të transmetimeve të drejtpërdrejta të botërorit arriti mbi 12 milionë, duke vendosur rekord të ri në këtë platformë interneti. Nëse një abonent paguante 15 juanë në muaj, atëherë vetëm abonentët do të kishin sjellë mbi 100 milionë juanë për platformën “Youku”.

 

Ndërsa për “Katar 2022”, platformat e videove të gjata janë zëvendësuar nga ato të videove të shkurtra, posaçërisht “TikTok”, që ka marrë autorizimin nga Grupi Mediatik i Kinës për transmetimin e ndeshjeve. Ky pa dyshim është një konsum i dukshëm gjatë Kupës së Botës.

 

Për ndjekjen e futbollit, pijet dhe ushqimet janë konsum tradicional dhe këtë herë, për “Katar 2022”, këto lloje konsumi vazhdojnë të shënojnë një rritje të dukshme.

 

Vetëm në tre ditët e para pas hapjes së botërorit, sipas platformës ELEME.com, numri i porosive natën për pije alkoolike u rrit me afro 50 %, kurse për fruta e ushqime të vogla mbi 30 %. Sipas “Dianping.com”, tre javë para “Katar 2022”, tifozët kishin filluar rezervimet për restorante që kanë ekrane të mëdha për ndeshjet, ndërsa kërkimet për “restorant, botëror” dhe “restorant për ndjekje ndeshjesh” kanë shënuar rritje me 556 %.  (Jiang Lei)