Këngëtarja Niki Selmanaj emocionet e para në muzikë i ka marrë në qytetin e Korçës në vitin 2010 në spektaklin “Rin Show”, ku u shpall dhe “Këngëtarja më e mirë“. Ajo ka qenë e angazhuar me aktivitete dhe evente muzikore në këtë qytet si këngëtare e jashtme e teatrit “Andon Zako Çajupi” dhe pjesëmarrëse në festimet me interpretime live në Festën e Birrës për katër vite rradhazi. Në vitin 2011, Niki Selmanaj mori pjesë në “The Voice of Albania 1”, ka qenë zëri i kolonave zanore të tre shfaqjeve teatrale në qytetin e Korçës, në shfaqjen “Doktor Shuster” dhe fituese e çmimit special pas konkurrimit në “Koko Fest”. Ndërsa në “Kënga Magjike 2021” ajo garoi me këngën me titull “Zbrazur”, në kategorinë “New Artist” ku u kualifikua në netët finale. Në shtator të vitit 2022, Niki mori pjesë në “Kënga Magjike” me këngën "Melodi e pambaruar". Ajo vazhdon të këndojë në netët live ku për pesë vjet me rradhë ka interpretuar çdo mbrëmje për publikun që e ka ndjekur. Së bashku me Tani Xhaferin shoqëruar në piano kanë sjellë një repertor të zgjedhur me këngë shqiptare, angleze, franceze, greke në interpretimet live. Për Grupin Mediatik të Kinës, Niki ka treguar për fillimet e karrierës artistike, pjesëmarrjen në festivale, si dhe projektet në vazhdim.
NIki Selmanaj (Foto yuotube )
CMG: Niki, ti e ke nisur karrierën në qytetin e Korcës dhe më pas ke vazhduar në Tiranë ku edhe sot interpreton muzikë live. Si kanë qenë fillimet e tua, pjesëmarrjet dhe kush e ka zbuluar talentin tënd?
Niki Selmanaj: Unë mendoj se jam futur pak me vonesë në rrugën e muzikës. Pikënisja ime ka qenë në “Rin Show”, ku nisa për herë të parë të dilja në skenë dhe më spikatën pasi mora pjesë me këngë shqiptare dhe greke. Unë jam rritur në Greqi dhe kjo ishte arsyeja që i këndoja në atë kohë këngët greke. Më pas Zamira Kita pa disa elementë tek unë dhe tek disa të rinj të tjerë, dhe na mbajti si këngëtarë të jashtëm të Teatrit të Korcës. Ka disa vite që interpretoj aty me artiste të ndryshëm të talentuar dhe të mirënjohur. Më tej mund të vlerësoj shfaqje shumë të spikatura me regji të Qëndrim Mirjanit, ku ishte një kthesë e bukur e karrierës sime sepse pikërisht unë dhe Lazarela, kishim kolonën zanore të këtyre dy shfaqjeve. Kjo ka qenë relata ime me muzikën, Teatrin i Korçës gjithashtu.
Mendoj se do ishte mirë të kisha nisur më herët me muzikën, por unë e kam zbuluar shumë vonë talentin tim. Zakonisht ndodh që talenti zbulohet që në fëmijëri, por rasti im ishte pak ndryshe, e zbulova vetëm kur isha gjimnaziste. Më pas unë e ndërtova jetën në Tiranë. Nuk vazhdova studimet për muzikë, por për gjuhët e huaja dhe sot jam mësuese e gjuhës angleze në profesion, por muzikën të cilën e mësova në mënyrë autodidakte e kam pasionin tim më të madh, që është kthyer në një punë kolosale, të cilën prej pesë vitesh e ushtroj sistematikisht.
NIki Selmanaj (Foto personale)
CMG: Pas pjesëmarrjeve artistike në qytetin e Korçës ti more pjesë në një Talent Show e më pas në “The Voice”. Si ishte eksperienca e përballjes me talentë të tjerë nga e gjithë Shqipëria?
Niki Selmanaj: Mund të them se ishte një botë paksa e egër për mua. Unë kalova dy fazat e para dhe më pas u tërhoqa, për të vazhduar studimet. Mendoj që preokupimi im në atë kohë duhej të ishte pak më i madh. Vazhdova duke interpretuar në teatrin e Korçës me Zamirën në krah dhe kaq ishte për mua. Nuk e mendoja kurrë që do arrija me muzikën këtu ku jam sot.
CMG: Theksove se prej pesë vjetësh interpreton live çdo mbrëmje. Si ka qenë për ty gjithë kjo eksperiencë?
Niki Selmanaj: Po , është e vërtetë. Tanin e kam njohur afërsisht para 5 vitesh dhe ishte vërtet një bekim. Ka ndodhur në një fazë ku unë interpretoja me një repertor të muzikës Jazz, të cilin e këndoj edhe sot disi më rrallë. Aty më ka parë Tani, i cili spikati talentin dhe nguli këmbë që të bashkëpunonim. Më pas ne krijuam një repertor të gjithanshëm që prek çdo zhanër të muzikës, e mendoj se ky është çelësi i suksesit në këto live që ne realizojmë. Jemi kudo, këndojmë muzikë të ndryshme, që nga ajo e lehtë shqiptare, popullore, greke, angleze, franceze, etj.
Rrugëtimi s’ka qenë aspak i lehtë, Tani më ka gjetur në fillim si një fëmijë të vogël që po zbulonte botën e muzikës edhe pse kisha disa vite që merresha, por ai më udhëzoi dhe më tregoi hapat se si është një sukses në botën e muzikës live. Që nga ai moment pasioni im u kthye në një punë shumë të suksesshme dhe për të cilën unë e falenderoj Tanin shumë.
NIki Selmanaj (Foto personale)
CMG: Në interpretimet live ti këndon në disa gjuhë të huaja, por ku e ndjen veten më mirë?
Niki Selmanaj: Po është e vërtetë, i përshtatem shumë mirë gjuhëve që përmende, jo vetëm në anglisht, që është gjuha që kam studiuar dhe jap mësim, por edhe greqishten e kam si gjuhën e nënës sepse jam rritur në Greqi dhe kam qëndruar mjaft vite atje. Gjithashtu është edhe frëngjishtja, për të cilën kam pak njohuri, por them se e flas dhe i jap aksentin e duhur në këngë. Zhanri ku unë ndjehem më mirë, janë këngët që i themi “black voice”, tipi i këngëve të Celine Dion, Whitney Houston etj, ku këndoj mjaft cover-a nga këngët e tyre. Publiku mendoj i do të gjitha këngët që unë këndoj, por asnjë festë shqiptare nuk mund të mbyllet pa një muzikë popullore të bukur.
CMG: Ti ke qenë prezente vitin e kaluar dhe këtë vit po ashtu në festivalin “Kënga Magjike”. Si u prit nga publiku këtë vit kënga jote pjesëmarrëse?
Niki Selmanaj: Ishte një vendim që e kisha menduar gjatë për të sjellë këngën time aty, titullohet “Zbrazur” dhe muzika e teksti u punuan nga Elgit Doda. Elgiti krijoi një këngë mjaft të ndjerë për mua, mjaft delikate, ashtu si ja kisha kërkuar, që u mahnita kur e kam parë si është pritur nga publiku. Shkoi mjaft mirë si për herë të parë, kënga kaloi fazën e parë dhe të dytë deri në gjysmëfinale, por fati im i keq që vjet ishte periudha e pandemisë ende dhe gjysëmfinalet nuk u zhvilluan te Pallati i kongreseve kështu që gjysmëfinalja nuk u zhvillua te skena e madhe, por u bë përsëri te studio e së “Dielës Shqiptare”.
NIki Selmanaj ne netet live (Foto personale)
Më pas këtë vit mora pjesë me një këngë tjetër, një baladë e fuqishme e realizuar nga profesor Shpëtim Saraçit. Në krahasim me këngën e vitit të kaluar kjo këngë erdhi në mënyrë të vrullshme nga ana ime, ndërkohë që e kisha ndarë mendjen për të mos marrë pjesë, por më erdhi natyrshëm në mendje dhe mendova të marr pjesë edhe këtë vit. Profesor Shpëtimi më dëgjoi dhe rekomandoi disa gjëra derisa përfunduam te “Melodia e pambaruar” që mban tekstin e shkrimtarit të njohur korçar Skënder Rusi dhe u bë një këngë lirike në vetveten e saj. Shumë e ndjerë dhe e pëlqyer nga publiku edhe kjo këngë i përshtatej mirë vokalit tim. Kishte nuanca serenate, elementin e kitares të futur nga Shpëtim Dulja, por fatkeqësisht ngeli “Melodi e pambaruar…”, ashtu si edhe titulli dhe nuk kaloi tek netët finale në Pallatin e Kongreseve. Edhe pse pritej që të kalonte, jo vetëm unë, por edhe publiku kishte pritshmëri se e përqafoi si këngë e nuk ka gjë më të bukur se kur sheh qe publiku këndon bashkë me këngëtarin, por kjo këngë nuk shkoi në netët live.
CMG: Cilat janë planet e tua në vazhdim?
Niki Selmanaj: Nuk kam gjëra konkrete ende, por do të krijoj diçka të re. Ndoshta mund të jetë një duet me një artist të njohur dhe kemi shumë artistë ndër to edhe patriotë të mi, të cilët janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim dhe mund të kem një duet në të ardhmen.
CMG: Niki, si e sheh veten pas 10 vjetësh, ku synon të arrish?
Niki Selmanaj: Nuk dua të flas me fjalë të mëdha sepse nuk i dihet, por jam mirënjohëse për këtë që kam sot sepse disa vite më parë nuk e mendoja se do të arrija deri këtu. Brenda një 10-vjeçari në punën time profesionale shoh shkallë të arritura, ndërsa në botën e muzikës shoh krijime. Nuk po them gjëra shumë të mëdha, por dua të arrij deri aty sa ime bijë të thotë: “Bravo mami !”. Kjo do të ishte arritja ime më e madhe.
CMG: Ndërkohë ti je mësuese e gjuhës angleze në një shkollë private 9-vjeçare. Si është raporti yt me nxënësit si mësuese dhe si këngëtare? Si të presin ata kur të shohin edhe nëpërmjet ekranit?
Niki Selmanaj: Ishte shumë i bukur reagimi i nxënësve të mi dhe jo vetëm i tyre, por edhe i kolegëve dhe drejtuesve. Ata u shprehën shumë krenarë dhe po ashtu u zhgënjyen njëlloj si unë kur nuk u futa në finale. Por në këtë rast nuk mund të them se jam mësuesja e tyre, por dhe shoqja e tyre sepse duke dhënë mësim në klasa më të larta, fëmijët kanë evoluar dhe ecur mjaft në kohët e sotme. Unë përpiqem të jem gjithmonë si shoqja e tyre, duke i mirëkuptuar në çdo rast dhe më pas si mësuese. Jam mirënjohëse vërtet që kam këtë profesion në jetën time.
CMG: Nga këto dy profesione cilin do më fort?
Niki Selmanaj: Është e vështirë në fakt. Njëri ka profesionin në tërësinë e fjalës, ndërsa tjetri ka shpirtin dhe plotësimin, pra është ushqim i shpirtit tim. Tani për tani nuk mundem t’i ndaj dhe në të ardhmen nëse do të më kërkohej përsëri, tani nuk e kam një përgjigje se cilën.
NIki Selmanaj ne interviste per Radio Ejani
CMG: Ke dëshirë që vajza të merret me artin?
Niki Selmanaj: Jo ende, është e vogël vetëm 3 vjeç, por mendoj se do ta le të lirë në zgjedhjet e saj, kuptohet deri aty ku duhet. Nëse ajo ka talent, pse jo.
CMG: Niki, jemi afër festave të fundvitit, ku do të të gjejë ndërrimi i viteve?
Niki Selmanaj: Kam pasur shumë oferta, por besoj se do jem në Tiranë, në një prej lokaleve më prestigjoze në qendër. Ndryshe nga njerëzit e tjerë që festojmë në familje ne jemi këtë natë të veçantë në kulmin e punës tonë.
CMG: Do vijnë të të ndjekin familjarët?
Niki Selmanaj: Bashkëshorti nuk ndjehet mirë kur unë këndoj dhe rri ulur në tavolinë (qesh).
CMG: Çfarë pret nga viti i ri 2023?
Niki Selmanaj: Uroj sa më shumë dashuri dhe punë.
Intervistoi: Sava Lena