Gloria Xhomaqi është këngëtare e muzikës popullore të trevës së jugut dhe kryesisht asaj kolonjare. Ajo ka studiuar për kanto në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe më vonë ka përfunduar studimet e larta në degën e drejtësisë. Gloria ka publikuar disa këngë popullore të trevës së juglindjes dhe të gjitha këto produksione janë krijimtari e re popullore. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ajo tregon për fillimet e saj në muzikë si dhe projektet në të ardhmen.
Gloria Xhomaqi (Facebook)
CMG: Kur keni nisur të këndoni në muzikën popullore?
Gloria Xhomaqi: Në fakt unë muzikën popullore e kam filluar shumë vonë sepse kam kënduar që e vogël në pallatin e pionerëve në Ersekë në atë kohë ku bëheshin festivalet e këngëve për fëmijë dhe kam kënduar që në klasën e pestë kur isha 10 vjeçe. Kënga ime e parë ka qenë “Kujtimi më i shtrenjtë” një këngë për fëmijë. Ndërsa më vonë unë thosha në shtëpi se dua të filloj shkollën e muzikës ose nuk vazhdoj asnjë shkollë dhe babai nuk këmbënguli për këtë punë, por më tha jo se do të vazhdosh gjimnazin. Sipas tij nëse unë konkuroja nuk mund të fitoja, ngaqë konkurenca në atë kohë ishte shumë e fortë sepse në shkollën e muzikës shkonin gjithmonë nxënës që kishin prindërit intelektualë, ndërsa prindërit e mi kanë qenë kooperativistë dhe nuk kanë pasur ndonjë profesion. Megjithatë unë i thashë që të konkuroj ku dhe fitova. Kështu fillova shkollën e muzikës për kanto soprano dramatike në atë kohë nuk e dija që në shkollat e muzikës këndohej vetëm muzikë operistike. Megjithatë filloi të më pëlqente dhe muzika operistike, ku pasi mbarova dy vitet e para në Korçë u shkëputa sepse erdhëm të banonim në Tiranë dhe i mbarova studimet te Licau Artistik “Jordan Misja”.
Gloria Xhomaqi duke interpretuar (Facebook)
Gloria Xhomaqi gjate nje eventi muzikor (Facebook)
Pasi mbarova shkollën e mesme të muzikës, më vonë nuk vazhdova shkollën e lartë të muzikës, por vazhdova studimet për drejtësi sepse mu duk që mora mjaftueshëm leksione për muzikë. Unë e kam pasur shumë pasion muzikën dhe nuk hoqa dorë, por u shkëputa për rreth pesë vjet pasi mbarova studimet e larta sepse doja të merresha me drejtësinë dhe mos të punoja më me muzikë. Pastaj rastësisht në ditëlindjen e nipit u takova me një këngëtar të njohur shkodran, ku unë këndova një këngë për qejf dhe kur më dëgjoi më tha se pse nuk këndoja sepse kisha një zë shumë të bukur dhe që nga ai moment u futa seriozisht në muzikë.
CMG: Mendon se ka lidhje muzika me drejtësinë për të cilën keni përfunduar studimet e larta?
Gloria Xhomaqi: Në fakt nuk kanë shumë lidhje me njëra- tjetrën. Drejtësia me muzikën janë shumë larg, por unë muzikën e kam pasion më shumë sesa për faktin që kam mbaruar një shkollë. Unë muzikën e kam ndjenjë të shpirtit dhe nuk mund të rri pa kënduar. Kur jam në shtëpi duke bërë punët unë po nuk këndova nuk i bëj dot punët e shtëpisë. Megjithatë unë studiova për drejtësi sepse në atë kohë muzikës operistike nuk po i jepej shumë rëndësi si degë dhe mendova që në Shqipëri ose duhet të shkëlqesh në muzikën operistike ose do të mbetesh gjithë jetën në kor mbrapa zërave të solistëve të Teatrit të Operas dhe Baletit. Kështu që mendova një degë tjetër dhe nuk kisha shumë qejf të këndoja muzikë opersitike.
Gloria Xhomaqi me kengetarin Petrit Lulo )Facebook)
Gloria Xhomaqi me koleget (Facebook)
CMG: Keni pasur dikë nga familja që ka kënduar para jush?
Gloria Xhomaqi: Mami im ka kënduar si dhe tezja dhe të dyja kanë një zë shumë të ëmbël. Ne në atë periudhë kemi qenë të persekutuar dhe njëherë ku mamin e caktuan të këndonte në festivalin folklorik të Gjirokastrës, vetëm për shkak të biografisë nuk e çuan në festival. Faktikisht asaj i ka mbetur peng që nuk mori pjesë. Unë mendoj se zërin e kam të trashëguar nga ajo sepse nga fisi i babait nuk kanë lidhje me muzikën.
CMG: Çfarë kanë të veçantë këngët popullore kolonjare nga trevat e tjera të jugut?
Gloria Xhomaqi: Unë mendoj që jo vetëm këngët kolonjare, por dhe këngët e juglindjes kanë një ëmbëlsi dhe nuk këndohen aq fort. Këngët labe duan një fortësi dhe duhet të jesh dhe pak burrërore për këngët labe, ndërsa këngët kolonjare dhe ato korçare duhet t’i ledhatosh dhe jo ti këndosh fort si lebërit me isot e forta që ka muzika labe. Këngët kolonjare më duken më të buta, më ledhatare dhe më melodioze ku mua më pëlqejnë shumë, jo se jam vetë kolonjare por më pëlqejnë më shumë këngët popullore të juglindjes.
CMG: Këngët popullore që ju keni publikuar janë krijimtari e re muzikore apo jeni bazuar dhe në këngët e vjetra popullore?
Gloria Xhomaqi: Të gjitha këngët që kam publikuar janë të reja, dhe nuk kam marrë asnjë këngë tabani që ta përpunoj. Kisha dëshirë të bëja një kolazh me këngë popullore të jugut, por kompozitori më dha shumë këngë të njohura të cilat ishin ezauruar dhe unë nuk i mora. Gjithmonë mendoj të sjell këngë të reja sepse këngët e vjetra mund të jenë shumë të bukura dhe të kënduara nga shumë këngëtarë, por unë dua të nxjerr diçka timen që mos ta ketë kënduar dikush tjetër.
CMG: Kush janë bashkëpunëtorët në realizimin e këngëve tuaja?
Gloria Xhomaqi: Në këngën e parë tekstin e ka bërë i ndjeri Arben Duka dhe Geci Malaj ka qenë kompozitori i këngës. Ndërsa në këngën e dytë është Valteri, një djalë shumë i talentuar gjirokastrit dhe këngën e tretë e ka kompozuar një djalë i ri Mario Bregu që ka hyrë në treg tani.
CMG: Në të gjitha këngët që ju keni publikuar deri tani e keni ruajtur tabain popullor, duke sjellë muzikë të pastër popullore.
Gloria Xhomaqi ne interviste per CMG
Gloria Xhomaqi: Kur i dëgjon këngët e mia janë komplet karakteri i zërit tim dhe unë nuk imitoj askënd. Kjo më pëlqen tek këngët e mia sepse unë jam gjithmonë unike në atë që bëj duke mos dalë nga vetja.
CMG: Keni menduar që të bashkëpunoni me ndonjë këngëtar tjetër të trevës së jugut apo ndonjë treve tjetër?
Gloria Xhomaqi: Kam menduar për bashkëpunime dhe kisha dëshirë të bëja një bashkëpunim me këngëtarin Petrit Lulo, por e pashë sikur u mënjanua dhe nuk këmbëngula që t’i thosha patjetër sepse më tha që kishte hequr dora nga duetet. Megjithatë nuk është keq të sjellësh një bashkëpunim dhe unë e kam dëshirën, por nuk po gjej këngëtarin e duhur sepse këngëtarë jugu ka shumë, por unë duhet të gjej dikë që më përshtatet me natyrën dhe zërin tim. Për momentin jam akoma në kërkim dhe kur ta gjej besoj se do ta realizoj një bashkëpunim.
CMG: Përveç koncerteve keni marrë pjesë dhe në gëzimet familjare apo dasma?
Gloria Xhomaqi: Pothuajse gjithë karriera ime janë dasmat dhe gëzimet familjare. Unë kam filluar të këndoj shumë herët nëpër dasma dhe vazhdoj të këndoj, por këndoj dhe në raste festash në lokale. Unë shkoj në të gjitha eventet muzikore dhe nuk i them jo punës.
CMG: Kur shkoni në evente të gëzimeve familjare keni provuar të këndoni dhe këngë të trevave të tjera?
Gloria Xhomaqi: Unë i këndoj të gjitha trevat pavarësisht se fokusohem te jugu, por kur jam në një ambiet festash të Shqipërisë së mesme sigurisht që do këndoj atë trevë. I këndoj të gjitha trevat e Shqipërisë, duke filluar nga baladat dhe këngët e veriut, por dhe këngë të muzikës së lehtë sepse më pëlqejnë shumë.
CMG: Të pëlqejnë më shumë baladat apo këngët e gëzueshme popullore?
Gloria Xhomaqi: Ka shumë balada që janë të bukura, por duhet të dish ti interpretosh baladat sepse është e vështirë ta interpretohsh ashtu siç duhet. Pastaj këngët e gëzuara janë më të mira sepse në ambientet festive ku shkojmë ne njerëzit duan këngë të gëzuara.
Gloria Xhomaqi. (Facebook)
CMG: Keni ndonjë idhull në muzikën popullore?
Gloria Xhomaqi: Unë në muzikën popullore të trevës së jugut më pëlqen vetëm Petrit Lulo i cili interpreton me shpirt dhe është i lindur për atë punë, dhe mendoj që për muzikën e jugut është këngëtari më i mirë.
CMG: Kostumin popullor tradicional e keni veshur ndonjëherë?
Gloria Xhomaqi: Këngën e re që do të realizoj kam menduar që të vesh kostumin popullor të Kolonjës.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.
Gloria Xhomaqi: Unë ju them të gjithëve që të dëgjojnë sa më shumë emisionin Bio Folk sepse është një emision që transmeton muzikë të zgjedhur popullore të traditës. Faleminderit për ftesën dhe ju uroj suksese në vazhdim.
Intervistoi: Gazmend Agaj