Shoqata “Bijtë e shqipes” një ndër shoqatat më të mëdha në SHBA dhe që i ofron shumë shërbime komunitetit shqiptar aty, organizoi këtë vit 110 vjetorin e Pavarësisë. Kur bëhet fjalë për festa kombëtare, ato festohen shumë nga komunitetet shqiptare kudo nëpër botë. Edhe ky 110 vjetor pati festime nga Nju Xhersi në Filadelfia. Gazetarja Eva Dori, e cila për më shumë se dy dekadash ka dhënë kontributin e saj në Shqipëri, me dashurinë për profesionin, sot gëzon sukses edhe në Diasporë, me projektet e ndryshme që realizon. Përpos punëve të tjera përgjatë javës, ajo vazhdon me shumë dashuri pasionin për gazetarinë, ku fundjavën ja dedikon plotësisht kësaj dashurie, por edhe dëshirës për t’u mësuar gjuhën e bukur shqipe fëmijëve të emigrantëve shqiptarë në SHBA.
Një nga shprehjet që Eva Dori përdor është: “Duhet të jesh emigrant, që të kuptosh se sa e rëndësishme është të festosh ditën e pavarësisë”. Dhe duket vërtetë bukur teksa i sheh të gjithë shqiptarët bashkë me plot dashuri të veshur kuq e zi në çdo aktivitet dhe aq më tepër gjatë festave të Nëntorit, ku emocionet janë edhe më të mëdha. Një kontribut i vyer i është shtuar komunitetit shqiptar në SHBA, ai i gazetares Eva Dori, e cila në muajin mars të këtij viti u dekoruar edhe nga kryetari i Bashkisë së Nju Xhersit me titullin “Gruaja e Vitit”.
Eva Dori tregon për Grupin Mediatik të Kinës organizimin e festimeve të 110 vjetorit të Pavarësisë me komunitetin shqiptar në SHBA, por edhe të veçantën e këtij viti.
CMG: Festimet këtë vit kanë qenë të shumta, në këtë 110 vjetor të Pavarësisë nga Nju Xhersi deri në Filadelfia, ku është ngitur flamuri shqiptar dhe është kënduar himni. Çfarë e bëri të veçantë këtë herë festën?
Eva Dori: Faleminderit për ftesën, për të përcjellë atmosfërën e mrekullueshme, se si u festua 110 vjetori i pavarësisë nga komuniteti shqiptar në Filadelfia dhe në Nju Xhersi. Natyrisht ishte një festë e organizuar mirë, e menduar më së miri dhe pati surpriza pafund. Ne këto momente të gjithë së bashku si komunitet japim dhe marrim fotografitë dhe aty shohim momentet më të bukura, të cilat jam e sigurtë se do të mbeten gjatë në memorien e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Diasporë. Por çfarë e bëri të veçantë këtë 110 vjetor? Përveç numrit 110 ishin edhe të ftuarit ata që e bëjnë festën magjike. Në Filadelfia dhe në Nju Xhersi ne patëm fatin e madh që të kishim një ndër stilistet më të njohura shqiptare në SHBA Gerta Cami, e cila solli kostume për fëmijët e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” këtu në Filadelfia dhe komunitetit në Nju Xhersi. Të gjitha veshjet e fëmijëve ishin të miksuara në stilin princeshë dhe tradita popullore shqiptare. Ne bëmë përpjekje që fëmijët duke u veshur bukur me personazhet e tyre të përrallave, të kishin edhe elemente të folkut shqiptar dhe të gjithë spektatorët i duartrokitën fëmijët pafund. Një tjetër emocion i veçantë ishte momenti kur ne tashmë prej 10 vjetësh si komunitet shqiptar Shoqata “Bijtë e Shqipes” ngriti flamurin në qendër të Filadelfias. Këtë vit flamuri u ngrit nga Prefekti i qytetit të Kukësit Abdulla Domi, i cili përcolli mjaft emocion duke sjellë zërin dhe urimin e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri, për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Filadelfia.
CMG: Ti prej vitesh je e angazhuar me aktivitete të ndryshme, duke kontribuar për komunitetin shqiptar aty. Na trego për këtë eksperiencë dhe ecurinë e gjithçkaje që ti organizon aty?
Eva Dori: Unë jetoj prej 10 vjetësh në SHBA dhe këtu në Filadefia prej 20 vjetësh i gjendet pranë komunitetit shqiptar Shoqata “Bijtë e Shqipes”. Kjo shoqatë ka kalendarin e saj të aktiviteteve dhe unë kam fatin që ta ndjek këtë kalendar dhe në një farë mënyrë të gjej edhe personazhet që më duhen për emisionet që realizoj. Në harkun kohor të këtyre viteve kam sjellë me sukses emisionin “8 Marsi jam unë”, që i fokusohet tërësisht figurës së gruas. Cilat janë gratë që kanë arritur që të jenë të suksesshme në fusha të ndryshme të jetës së tyre, etj. Aktualisht kam dy emisione që i realizoj me shqiptarët që jetojnë këtu. Emisioni i parë është “Shtëpia e ëndrrave” të cilën e kam sjellë nga formati që e realizoja dikur në Shqipëri, por këtu e kam me logon dhe sloganin “Si të flasim, kërcejmë dhe këndojmë shqip”. Në Filadelfia është shkolla shqipe “Gjuha Jonë”, e cila funksionon çdo të dielë, ku emigrantët shqiptarë sjellin fëmijët për të mësuar gjuhën shqipe. Me këta fëmijë ne organizojmë emisione dhe aktivitete, të cilët na ndihmojnë për të përcjellë sa më shumë traditën dhe folklorin shqiptar tek fëmijët e emigrantëve.
CMG: Pas eksperiencës në Shqipëri për më shumë se dy dekadash, prej vitesh ti vazhdon ta udhëheqësh pasionin për profesionin edhe jashtë vendit. A është e lehtë apo e vështirë t’i bësh shqiptarët bashkë ?
Eva Dori: Për t’i bërë bashkë shqiptarët që jetojnë në Filadelfia dhe Nju Xhersi, nuk është e vështirë, ne të vështirë kemi vetëm të gjejmë kohën për t’u bërë bashkë. Sepse siç e dinë të gjithë, shqiptarët për të realizuar ëndrrat e tyre këtu janë të paktë, ata që punojnë vetëm një punë, shumica punojnë dy ose tre punë dhe është e pamundur për t’i bërë bashkë vetëm për efektin e kohës. Por nëse ne vendosim që do të organizojmë festat kryesore siç janë; Festa e nënës, e mësuesit, dhe Festa e flamurit, shqiptarët bëhen të gjithë bashkë. Janë këto festa që na bëjnë që të heqim mallin që kemi për vendin tonë, të flasim shqip, të ndihmojmë edhe emigrantët e rinj që vijnë. Nëpërmjet emisionit “Albanian dream”, jo vetëm që promovojmë të gjithë shqiptarët që janë të suksesshëm, por në një farë mënyre ndihmojmë edhe emigrantët e rinj, i orientojmë ata për të gjetur sa më shpejt një vend pune, një vend ku të jetojnë, një shtëpi me qira, pra janë udhërrëfyese, janë dritat në tunelin e errët që gjendet çdo imigrant i sapoardhur. Flas të paktën për Filadelfian, është një eksperiencë e mirë, pasi emigrantë që jetojnë këtu prej vitesh janë të gatshëm të ndihmojnë, të punësojnë të gjithë emigrantët e rinj. Është shumë e rëndësishme që të kesh një dorë që të ndihmon, një derë që të hapet, një mik apo një mikeshë që të flasësh shqip e të përcjellësh problemet, hallet, etj.
CMG: Si po ecën puna me Shoqatën "Bijtë e shqipes" dhe me shkollën e gjuhës shqipe?
Eva Dori: Shoqata “Bijtë e Shqipes” në 20 vjetorin e krijimit të saj, pati rastin që të organizonte edhe një festë të madhe, ku ne u njohëm edhe me gjashtë kryetarët që kanë kontribuar për vite me rradhë dhe që e bëjnë sot këtë shoqatë ndër më të dashurat për komunitetin shqiptar që jeton këtu.
Intervistoi: Sava Lena