“Sofra Shkodrane” edhe njëhërë na tregoi se di të ruajë traditat dhe vlerat duke u rikthyer në çdo familje me një organizim madhështor. Duhet të evidentojmë se shkodranët krijues, përfaqësues të muzikës qytetare shkodrane në të kaluarën edhe sot, mbi traditën e këngës popullore kanë krijuar dhe krijojnë këngë të reja, të cilat bëhen pjesë e kësaj pasurie të madhe. Për ta mbajtur të gjallë këtë traditë, për të mbajtur në formë interpretuesit e vjetër dhe për të sjellë zëra të rinj, Agjensia e spektakleve “Jehona e Shkodrës” hodhi hapat e parë për të krijuar edhe ajo vetë një traditë, që tradita e vjetër të mbetet e gjallë, autentike, por edhe e freskuar me krijime të reja që janë sot përfaqësues të këtij burimi të pashtershëm.
Ideatori prej 20 vitesh i këtij evenimenti është Xhelal Halili. Veprimtaria “Sofra shkodrane” i mirëpret miqtë e saj ashtu siç i ka hije, me tingujt e këngëve të pavdekshme shkodrane. Xhelal Halili është një përsonalitet në botën e spektakleve, por njëkohësisht edhe i suksesshëm, jo vetëm në Shkodër, por në të gjitha trevat shqiptare e më gjerë.
Nga viti në vit, tashmë jemi mësuar që të shohim risi dhe prurje të reja e të freskëta. Nuk do të mungojnë rreth kësaj sofre as humori dhe të ashtuquajturat “bejte” të krijuara nga humorist, të cilët kanë dhënë gjithë energjinë e tyre për ta nxjerrë këtë sofër sa më të ngrohtë. Tradita nuk mund të vazhdohet nëse nuk duartokitet edhe nga talentet e reja, ndaj Xhelal Halili, ju bën një ftesë publike këtyre të fundit për t’i pasur pranë në këtë sofër. Magjia e festave të fundit të vitit, kompletohet në qytetin e Shkodrës me këtë aktivtitet sa kulturor, tradicional aq edhe bashkëkohor dhe të qëndrueshëm.
Organizatori i veprimtarisë “Sofra Shkodrane” Xhelal Halili flet për Grupin Mediatik të Kinës rreth përgatitjes së saj
CMG: Si ndiheni që pasuroni çdo vit kulturën shkodrane nëpërmjet këtij organizimi?
Xhelal Halili: Unë jam tejet i lumtur sepse qëllimi nuk jam unë, por qyteti. E ndiej të nevojshme që t’i përkushtohem çdo vit kësaj sofre për të nxjerrë diçka e cila përcillet nga njëri brez në tjetrin. Është tejet e vështirë të flasësh për mënyrën se si ndihem sepse mund të thoja që po aq sa ndihem krenar ndihem dhe i vlerësuar që aktorët, kengëtarët dhe të gjithë artistët mua më bësojnë këtë organizim duke u bërë pjesë e saj. Çfarë vlen për t’u përmendur është se ndihem djalë i asaj toke dhe djalë i një qyteti djep humori e kulture, që nëse nuk do të punoja unë dhe shumë të tjerë si unë, do ta kishim lënë humorin të humbiste dhe këtë sofër të pashtruar. Ndaj, jam i lumtur dhe krenar! Unë jam marrë gjatë me këto organizime, u bënë tashmë 23 vite dhe kjo është fitore e madhe.
CMG: Si ka lindur “Sofra Shkodrane”?
Xhelal Halili:”Sofra Shkodrane” ka 23-vite që organziohet dhe që vjen pranë publikut artdashës. Në vitin 2001 është ndërtuar “Jehona e Shkodrës” që është një komunitet i artit dhe kulturës, i cili mbështet të tilla evenimente.
Që prej atij viti në kemi risjellë këtë aktivitet si diçka të pakonkurueshme.
Sipas traditës që është organizuar vite më parë ne vijojmë edhe sot.
Ndërsa Sofra mbeti pa u organizuar gati tre vite, unë dhe grupi rreth meje u shqetësuam dhe u mblodhëm për ta risjellë.
CMG: Ndalemi tek organizimi i parë. Si ka qenë?
Xhelal Halili: Në vitin 2001 ka qenë një super emocion sepse u risoll diçka e ndaluar. Patjetër që ne u bazuam tek vitet e kaluara dhe e vazhduan aty ku e lanë të parët tanë .Gjithçka erdhi si iniciativë personale, kam qenë unë së pari i gatshëm për ta sjellë këtë festë dhe më pas janë bashkuar edhe artistët e tjerë.
Radio Televizioni Shqiptar dhe Teatri “Migjeni” kanë qenë mbështesit e parë.
Kjo festë vjen çdo fundvit dhe përcillet me humor dhe këngë. Këtë vit bëhen 23 vite organizim.
CMG: Si kanë qenë fillimet tuaja ?
Xhelal Halili: Kujtoj që ka qenë shumë vështirë në vitet e mëparshme sepse jo çdo gjë ka qenë e siguruar dhe madje shumë elementë të aspektit teknik mungonin .
Kujtoj që në vitet e para më është dashur që të lë skenën në mes dhe të shkoj në shtëpi për të marrë një ekran. Pra, vështirësitë për ta sjellë këtë organizim kanë qene dhe vazhdojne të jenë të mëdha. Ende nuk e kemi mbështetjen që duam por dëshira për të mos e lejuar traditën të vdesë na ka mbajtur deri tani. Nga viti në vit është rritur cilësia artistike, por edhe pjesëmarrja është në rritje.
CMG: Çfarë ju ka dalluar nga njëri vit në tjetrin?
Xhelal Halili: Në fillimet e këtij organizimi ishin vetëm artistët vendas, ata të cilët merrnin pjesë dhe shoqëronin këtë event. Ajo që unë kam bërë ndryshe është që kam ftuar edhe diasporën. Diaspora nuk mund t'i mungojë këtij aktiviteti. Ne kemi artistë të shquar në Kosovë e me gjerë që e meritojnë të jenë pjesë e sofrës sonë .
Patjetër që edhe këngëtarët janë nga të gjitha qytetet shqiptare sepse ne jemi një.
CMG: Flasim disa ditë para provave, si po shkojnë provat për këtë vit ?
Xhelal Halili: Çdo vit një nga humoristët merr përsipër regjinë e humorit dhe këtë vit e ka marrë përsipër Besnik Çinari “Mjeshtër i madh” i humorit.
Ai bën gati çdo gjë dhe e vendos në skenë . Çdo gjë është premierë dhe asnjë gjë prej tyre nuk përkon me diçka që mund të jetë dhënë më parë. Provat zgjasin deri në ditën e fundit që jepet “Sofra Shkodrane”.
Gjithçka është live , grupi muzikor merr përsipër të këndojë live . I gjithë koncerti është një dhuratë për spektatorët që e ndjekin në sallë.
CMG: Ju krijuat Shoqatën "Jehona e Shkodrës", për të mbrojtur "Sofrën Shkodrane", pse ?
Xhelal Halili: Sepse e ndjeva si domosdoshmëri për të mbrojtur kulturën dhe traditën. Sofra nuk po organizohej më dhe mua kjo gjë po më shqetësonte tej mase. Ndaj e hodha këtë hap drejt hapjes së kësaj shoqate. Unë vetë jam marrë me art dhe kulturë gjithnjë dhe dëshira ime ishte të nxisja një nismë të tillë . Ku ka më bukur se në Shkodër te "Jehonë Shkodra"!.
CMG: Të rinjtë a janë të interesuar për "Sofrën Shkodrane"?
Xhelal Halili: Kjo më shqetëson sepse nuk janë aq sa unë do të doja të ishin.
Ju duket si diçka e vjetër, por në fakt duhet të jenë vetë ata që të mbrojnë dhe ta nxisin organizimin.
CMG: Ku do të ndodhë ky organizim?
Xhelal Halili: Une ju ftoj të gjithëve të jeni pjesë tek "Blue Sky" restorant me një hapësirë të madhe që të do të mbajë mbi 500 pjesëmarrës. Në datën 26 dhjetor të këtij viti “Sofra Shkodrane” shtrohet e festohet me artistët më të mirë shkodranë.
Intervistoi:Megi Latifi