Presidenti Begaj: Idealet e studentëve të '90 frymëzim për rrugëtimin europian
2022-12-09 15:03:22

Presidenti Bajram Begaj ka deklaruar se 8 dhjetori i 32 viteve më parë i studentëve të Tiranës ndau historinë e shtetit shqiptar në dy epoka. Me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë, kreu i shtetit shqiptar thotë se idealet e studentëve të dhjetorit ’90 duhet të jenë frymëzim dhe angazhim për rrugëtimin e vendit drejt integrimit europian.

Në një postim zyrtar në rrjetet sociale, presidenti Begaj shkruan se largpamësia dhe mençuria vizionare e studentëve shqiptarë të atij brezi, bëri bashkë njerëz nga të gjitha shtresat, të cilët pa mëdyshje dhe me bindje e vullnet patriotik përcaktuan rrugën e të ardhmes së vendit, duke pasur si promotor thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”!

“Është pikërisht kjo arsyeja se pse 8 dhjetorin e nderojmë dhe e festojmë si Ditën Kombëtare të Rinisë, duke shprehur në këtë mënyrë sa mirënjohjen ndaj studentëve dhe të rinjve të asaj kohe, edhe përgjegjësinë dhe detyrimin ndaj rinisë shqiptare në çdo kohë. Mesazhi i kësaj dite është amanet, është mision, është detyrim dhe përgjegjësi. Idealet e studentëve të dhjetorit 1990 duhet të na frymëzojnë gjithnjë për të punuar me përgjegjësi, me seriozitet dhe përkushtim, në mënyrë që të vazhdojmë pa ndalur rrugën tonë të integrimit euroatlantik. 8 Dhjetori është ëndrra e një brezi shprehur në thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, por mbetet edhe aspirata e një kombi për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”,- shkruan presidenti Begaj në postimin zyrtar në “Facebook”. (Irma)