Ofertat lulëzojnë për fermat e Amerikës Latine
2022-12-08 11:13:30

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Kina është bërë një treg tërheqës për disa vende të Amerikës Latine, bazuar në marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të nismës së iniciuar nga Kina, “Një brez, një rrugë”. Blloku tregtar që përfshin Argjentinën, Brazilin, Paraguain dhe Uruguain kanë rritur gjithnjë e më shumë eksportet bujqësore me Kinën. Tregtia totale midis rajonit dhe Kinës arriti në 450 miliardë dollarë në vitin 2021.

Uruguai po zgjeron eksportet e tij të melekuqes në Kinë sipas një marrëveshjeje që është mirëpritur si një shembull tjetër i iniciativës së propozuar nga Kina “Një brez, një rrugë”, që nxit tregtinë bujqësore midis Amerikës Latine dhe një tregu gjithnjë e më të rëndësishëm.

Protokolli i ri i Kërkesave Fitosanitare do t'i lejojë Uruguait - i cili ka një popullsi prej vetëm 3.5 milionë banorësh, por është një prodhues i madh bujqësor - të zgjerojë edhe më shumë marrëdhëniet e tij tregtare bujqësore me Kinën. Sipas autoriteteve qeveritare në Uruguai, 21 kompani janë regjistruar për të eksportuar melekuqe në Kinë.

“Ky është një hap shumë i rëndësishëm pasi do të kontribuojë në rotacionin e të korrave në vendin tonë”,- tha Fatima Fierro, drejtoreshë ekzekutive e Dhomës së Tregtisë Uruguai-Kinë.

“Festojmë përfundimin e studimeve dhe faktin që një produkt i ri bujqësor mund të hyjë në Kinë, tashmë me të gjitha kredencialet”, tha Fierro.

Marrëveshja është e rëndësishme jo vetëm për Uruguain, por edhe për vendet e tjera të Amerikës Latine që kërkojnë të zgjerojnë tregtinë e tyre bujqësore me Kinën.

Argjentina pranoi t'i bashkohej nismës “Një brez, një rrugë” në shkurt. Presidenti argjentinas Alberto Fernandez ra gjithashtu dakord për një plan pesëvjeçar për bashkëpunimin bujqësor me Kinën.

Për Bolivinë, nisma “Një brez, një rrugë” ka ndihmuar në hapjen e dyerve për tregtinë e zgjeruar bujqësore gjatë viteve të fundit. Vendi bëri dërgesën e tij të parë të mishit të viçit në Kinë në vitin 2019 dhe ka zgjeruar tregtinë me produkte të tilla si kuinoa, kafe dhe soja.

Kili, një nënshkrues i hershëm i “Një brez, një rrugë”, ka rritur gjithashtu tregtinë e tij me Kinën qëkur iu bashkua nismës. Më shumë se një e treta e eksporteve të Kilit shkon në Kinë, një treg që ka ndihmuar në forcimin e industrisë së blegtorisë dhe sektorit të frutave të agrumeve në vend. Që nga viti 2018, Kina ka qenë destinacioni kryesor për produktet bujqësore të vendit.

Tregtia totale midis rajonit dhe Kinës arriti në 450 miliardë dollarë në vitin 2021.

Uruguai ishte vendi i parë i bllokut tregtar “Mercosur” (që përfshin Argjentinën, Brazilin, Paraguain dhe Uruguain) që u bë pjesë e “Një brez, një rrugë”. Në vitin 2021, vendi eksportoi mallra dhe shërbime me vlerë 2.8 miliardë dollarë në Kinë, partneri kryesor tregtar i Uruguait.

Kapja e tregjeve

Ekziston nevoja që vendi të hapet ndaj botës dhe të kapë tregje të tjera, tha Agustin Damboriarena, menaxher në Dhomën e Farërave të Uruguait.

Edhe pse funksionon brenda kornizës së “Një brez, një rrugë” Uruguai po negocion një marrëveshje të tregtisë së lirë me Kinën, e cila po monitorohet nga afër nga “Mercosur”.

Sipas kushteve të “Mercosur”, vendet anëtare të bllokut duhet të kenë miratimin e të gjithë anëtarëve për të negociuar marrëveshje të tregtisë së lirë me vendet e treta.

Brazili, një prodhues gjigant bujqësor, ka konsideruar t'i bashkohet “Një brez, një rrugë”. Kur presidenti i sapozgjedhur Luiz Inacio Lula da Silva të marrë pushtetin në janar, sipas ekspertëve, ai mund të marrë hapa për të përmirësuar marrëdhëniet me Kinën.

Në fund të nëntorit, Brazili bëri dërgesën e tij të parë të misrit në Kinë pasi “COFCO Corp”, një ndërmarrje shtetërore kineze, bleu 368.000 tonë misër brazilian.

Nisma “Një brez, një rrugë” mund të paraqesë mundësi të shumta për Brazilin dhe fqinjët e tij në vazhdim.

“Padyshim që është një mundësi fantastike. Ne jemi tashmë të fortë në sektorin bujqësor, kështu që mund të eksportojmë dhe do të vazhdojmë të jemi të fortë, dhe Kina është një treg jashtëzakonisht tërheqës”, tha Henrique Reis, menaxher i marrëdhënieve ndërkombëtare në “China Trade Center Group”, që promovon bashkëpunimin tregtar, teknologjik dhe kulturor midis Kinës dhe Brazilit.

Marrëveshja e re e Uruguait për të zgjeruar eksportet e melekuqes mund të hapë rrugën për vendet e tjera për të ndërmarrë hapa të ngjashëm, në rritje. “Tashmë globalisht po ndodh një migrim i tregjeve dhe Uruguai është i përfshirë. Tregu aziatik po shikohet me një rëndësi më të madhe, për shkak të vëllimeve të përfshira dhe kërkesës së vendeve”,- tha Damboriarena.

Andres Castro-Alegria, profesor i asociuar në Universitetin Qendror “Marta Abreu de Las Villas” në Kubë, tha se protokolli i nënshkruar midis Montevideos dhe Pekinit zyrtar është një mundësi e jashtëzakonshme jo vetëm për Uruguain, por për bujqësinë në të gjithë rajonin.