Sektori Call center në krizë për fuqi punëtore
2022-12-08 11:03:13

Sektori i Call Center në Shqipëri po përballet me një mungesë të fuqisë punëtore për shkak të emigracionit.  Në një intervistë për revistën “Monitor” menaxherja e burimeve njerëzore pranë kompanisë Call Center “Facile.it”, Ina Grabocka thotë se që nga viti 2018  po përballen me këtë fenomen.

 “U bënë disa vitë që ne po hasim vështirësi në rritjen tonë. Sektori Call Center ka një motor të brendshëm pa të cilin nuk mund të lëvizë dhe këto janë burimet njerëzore. Pra, konsulentët ose operatorët siç quhen rëndom. Ndoshta që nga fundi i vitit 2018 që në këtë aspekt ne po hasim shumë vështirësi. Është shumë më e vështirë se sa qenë përpara pandemisë Covid 19 të punësosh njerëz sidomos në rastin tonë që kërkojmë punonjës që të jenë të rrjedhshëm në gjuhën italiane. Italisht folësit janë të mbledhur në një grupmoshë të caktuar dhe italisht folësit e fundit janë ata të lindur në vitin ‘95. Do të thotë, hapësira për të gjetur punonjës me këtë background, me këtë aftësi të të folurit italisht është një mundësi e zvogëluar sepse mbetemi po tek kjo gjeneratë. Ky si sektor konsiderohet pak si dytësore ose si një punë të cilën e bën për një farë kohë sezonale, por jo për një kohë të gjatë. Pavarësisht pagave shumë të mira që ofron, pavarësisht rregullsisë që ky sektor dhe këto kompani kanë krahasimisht me kompani të tjera dhe pavarësisht mundësive për të mësuar gjëra të reja, sepse fakti që të qenit operator nuk konsiderohet një profesion i mirëfilltë, nuk do të thotë që në këtë punë nuk ke mundësi të mësosh dhe të zgjerosh horizontin dhe bagazhin personal dhe profesional gjithashtu.” – shprehet  Grabocka.

Kjo duket se është e lidhur me largimin e të rinjve sipas menaxheres së  burimeve njerëzore në kompaninë e Call Center.

“Problematika më e madhe me të cilën po përballemi aktualisht është emigrimi. Nuk është vetëm problematikë e cila shfaqet në gjetjen e punonjësve të rinj. Pra, niveli i aplikimeve ka rënë ndjeshëm të paktën në 30% për shkak se popullata jonë po tkurret, po largohet më saktë. E  ndeshim dhe tek punonjësit të cilët janë të brendshëm, të cilët largohen dhe arsyeja kryesore në mbi 80% të rasteve është sepse do të largohen jashtë shtetit. Nëse ke krijuar një organikë pak a shumë të qëndrueshme, nuk është më e qëndrueshme pasi u stabilizua pak situata gjatë pandemisë kur njerëzit nuk lëviznin dot. Patëm një prurje në nivele më të larta gjatë pandemisë dhe nga momenti në të cilin njerëzit patën përsëri mundësinë për të aplikuar për punë dhe për leje qëndrimi jashtë, kjo problematikë u rishfaq më fuqishëm sesa ishte përpara vitit pandemik.”- shprehet Grabocka.

Konkurenca e pandershme nga sektori Forex duket se është një tjetër sfidë.

“Ne tashmë jemi mësuar me këtë  dhe nuk na duket risi sepse u bënë disa vite. Po, patjetër, sepse kompanitë Forex përgjithësisht nuk janë të legalizuara. Rrjedhimisht kanë mundësinë të paguajnë më shumë. Pra, kostot e tyra janë më të ulta nga pikëpamja e burimeve njerëzore. Pra, ata paguajnë Cash, ndërkohë që ne dhe kompani të tjera serioze të cilat kanë vite në sektorin e Call Center respektojnë të gjitha rregullat, kalojnë të gjitha kontrrollet me sukses dhe paguajnë çdo detyrim si ndaj organeve shtetërore dhe punonjësve. Ndërsa kompanitë Forex paguajnë vetëm punonjësin. Aq më tepër që bëjnë aktivitet të jashtëligjshëm pra mundësitë për të paguar janë shumë më të larta. Patjetër që në këtë pikë ne jemi shumë të penalizuar.”, thekson menaxherja

Aktorët e tregut thonë se   pas luftës në Ukrainë, nevoja për punë është më e madhe se oferta nga tregu i punës.