Strategjitë e zhvillimit të “Baker Hughes”
2022-12-08 11:17:02

Foto nga China Daily

Foto nga China Daily

Kompania globale e energjisë “Baker Hughes” synon të përshpejtojë strategjitë e zhvillimit të lokalizuara për biznesin e saj kryesor në Kinë. Kompania synon të zgjerojë aftësinë e zinxhirit të furnizimit në Kinë, ndërsa përpiqet të plotësojë shërbimet për klientët. Sistemi i furnizimit me energji në Kinë është përmirësuar gjatë dekadës së fundit me një normë vetëmjaftueshmërie që kalon 80 për qind.

Kompania globale e energjisë “Baker Hughes” synon të përshpejtojë strategjitë e zhvillimit të lokalizuara për biznesin e saj kryesor në Kinë, për të shfrytëzuar më tej potencialin e tregut në ekonominë e dytë më të madhe në botë, sipas një drejtuesi të lartë të kompanisë.

“Ne do të bëjmë përparim përmes provave strategjike për të përmbushur më mirë kërkesën e veçantë në tregun kinez”,- tha Cao Yang, zv.president i “Baker Hughes” dhe president i “Baker Hughes China”.

“Vendosmëria e Kinës për të garantuar sigurinë energjetike si dhe angazhimi i vendit për tranzicionin energjetik në mënyrë të rregullt do të sjellë mundësi të mëdha biznesi për ndërmarrjet e huaja në sektorët përkatës”,- tha Cao.

“Baker Hughes” do të zgjerojë vazhdimisht aftësinë e zinxhirit të furnizimit në Kinë, ndërsa përpiqet të plotësojë shërbimet për klientët, të cilat përfshijnë prodhimin e produkteve, përpunimin dhe kultivimin e talenteve, shtoi ai.

Ndërsa pandemia Covid-19 vazhdon, zinxhirët globalë industrialë dhe të furnizimit janë nën stres dhe siguria e energjisë është kthyer në një sfidë urgjente për shumë ekonomi në botë.

Sipas ekspertëve, Kina, një vend me burime të pasura qymyrguri, por gjithashtu me një varësi relativisht të lartë për importet e naftës dhe gazit natyror, i ka rezistuar provave për të zbutur në mënyrë efektive ndikimin e çmimeve të paqëndrueshme ndërkombëtare të energjisë në vitet e fundit.

Administrata Kombëtare e Energjisë bëri të ditur se sistemi i furnizimit me energji të vendit është përmirësuar gjatë dekadës së fundit me një normë vetëmjaftueshmërie që kalon 80 për qind.

Ren Jingdong, zv.drejtor i agjencisë, tha në një konferencë shtypi në kuadër të Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës, se vendi do të ofrojë hapësirë të plotë për qymyrin në përzierjen energjetike, ndërsa në të njëjtën kohë forcon kërkimin dhe zhvillimin e gazit natyror.

Sipas tij, qëllimi është të rritet kapaciteti i përgjithshëm vjetor i prodhimit të energjisë në mbi 4.6 miliardë tonë qymyr standard deri në vitin 2025 dhe Kina do të ndërtojë në mënyrë gjithëpërfshirëse një sistem furnizimi me energji të pastër që mbulon energjinë e erës, energjinë diellore, hidrocentralin dhe energjinë bërthamore për një periudhë afatgjatë.

Cao tha se kompania ka dëshmuar një kërkesë në rritje në Kinë për teknologji dhe shërbime më të avancuara në sektorin e ri të energjisë si kapja, përdorimi dhe ruajtja e karbonit dhe hidrogjeni i gjelbër, dhe në të njëjtën kohë, klientët në industritë tradicionale të energjisë - nafta dhe gazi natyror - dëshirojnë të prodhojnë energji në një mënyrë më efikase dhe më të gjelbër duke siguruar furnizimin me energji.

Për më tepër, Kina nuk është vetëm një treg i rëndësishëm për kompaninë, por edhe një pjesë kyçe e zinxhirit të saj të furnizimit global, tha Cao, duke shtuar se zinxhiri industrial i Kinës ofron mbështetje të fortë për produktet dhe prodhimin e pajisjeve të kompanisë në sektorin e ri të energjisë, dhe kompania është përpjekur të integrohet më thellë në zinxhirin industrial të Kinës në shumë mënyra.

“Ne do të avancojmë përmirësimet e biznesit tonë kryesor në tregun kinez, do të vazhdojmë të investojmë për të rritur prodhimin dhe për të hyrë më shumë në kufijtë e rinj të teknologjive të energjisë”,- tha ai.

Cao bëri të ditur se kompania do të forcojë aftësinë e saj për të ofruar produkte dhe shërbime që u nevojiten klientëve kinezë dhe do të përmirësojë efikasitetin e prodhimit dhe konkurrencën në prodhimin dhe përdorimin e energjisë fosile.

Sipas tij, po ashtu, kompania do të fokusohet tek investimi në sektorët industrialë që kanë potencial të madh të kërkesës për kontrollin dhe parandalimin e emetimeve të karbonit në Kinë, si minierat, prodhimi dhe industritë e letrës.