Eventet promovuese ndihmojnë në rritjen e eksporteve dhe markave vendase
2022-12-08 11:09:46

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Markat kineze kanë pasur rritje të shitjeve dhe po fitojnë popullaritet te konsumatorët jashtë shtetit gjatë eventeve promovuese. Blerësit e huaj kanë shfaqur shumë interes ndaj produkteve dhe pajisjeve shtëpiake inteligjente të prodhuara në Kinë. Po ashtu nuk mungon interesi edhe për sendet e prodhuara në Kinë që kanë lidhje me Kupën e Botës në futboll që po zhvillohet në Katar.

Markat kineze kanë pasur rritje të shitjeve dhe po fitojnë popullaritet te konsumatorët jashtë shtetit gjatë eventeve promovuese si e Premtja e Zezë dhe blerjet në internet për “Cyber Monday”, pasi një numër në rritje i kompanive kineze po shtojnë përpjekjet për të zgjeruar gjurmën e tyre globale.

Blerësit e huaj kanë shfaqur shumë interes ndaj produkteve dhe pajisjeve shtëpiake inteligjente të prodhuara në Kinë dhe pajisjet e zërit, duke rezultuar në një rritje shpërthyese të shitjeve. Në ditën e parë të blerjeve të së Premtes së Zezë, shitjet e pastruesve robotikë nga “Dreame”, një prodhues kinez i pajisjeve shtëpiake, u renditën të parat në tregun online të “Amazon” në Gjermani.

Statistikat nga “AliExpress”, platforma e “Alibaba Group”, treguan se syzet kineze të realitetit të shtuar kanë qenë produktet më të shitura gjatë fushatës promovuese të këtij viti në tregjet jashtë shtetit, me të ardhurat që janë rritur më shumë se pesëfish në baza vjetore në nëntor.

“Shenzhen Everycom Technology Co” njoftoi se vëllimi i transaksioneve të projektorëve të saj u rrit tetëfish në nëntor krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Administrata e Përgjithshme e Doganave bëri të ditur se eksportet kineze u rritën nga 22 miliardë dollarë në vitin 1981 në 3.36 trilionë dollarë në vitin 2021, duke u rritur më shumë se 100 herë gjatë 40 viteve të fundit.

Panelet shtëpiake të energjisë diellore, batanijet elektrike, makineritë e prerjes me lazer dhe sende të ndryshme që lidhen me Kupën e Botës FIFA në vazhdim në Katar janë disa nga kategoritë më të njohura me konsumatorët jashtë shtetit në mesin e të gjitha produkteve të prodhuara në Kinë, bëri të ditur “Alibaba.com”, platforma e biznesit të “Alibaba Group”, që ndihmon në lehtësimin e tregtisë së jashtme.

Sipas “Alibaba.com”, shitjet e produkteve kineze që lidhen me energjinë e re kanë ruajtur një rritje treshifrore për tre vjet radhazi. Në tre tremujorët e parë të vitit, shitja e pajisjeve të ngrohjes shtëpiake - duke përfshirë ngrohës elektrikë të ujit dhe batanije elektrike - u rrit në mënyrë dramatike për shkak të rritjes së çmimit të gazit natyror.

Mallrat e lidhura me Botërorin e Futbollit të prodhuara nga kompani në Yiwu, qendra e vogël e mallrave të Kinës në provincën Zhejiang, janë të njohura në mesin e konsumatorëve nga e gjithë bota. Për më tepër, biçikletat elektrike të prodhuara në Kinë, produktet e kampingut dhe pajisjet e bletarisë kanë fituar tërheqje midis blerësve jashtë shtetit, njoftoi “Alibaba.com”.

Zhang Kuo, president i “Alibaba.com”, theksoi qëndrueshmërinë e tregtarëve të tregtisë së jashtme të Kinës, duke thënë se popullariteti i mallrave të prodhuara nga Kina tregon rolin gjithnjë e më të rëndësishëm që vendi ka luajtur në sigurimin e stabilitetit të zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit global.

Vëllimi i importit dhe eksportit të tregtisë elektronike ndërkufitare të Kinës arriti në 1.98 trilionë juanë (284.3 miliardë dollarë) në vitin 2021, 15 për qind më shumë në baza vjetore, sipas Administratës së Përgjithshme të Doganave. Eksportet e tregtisë elektronike qëndruan në 1.44 trilionë juanë, një rritje vjetore prej 24.5 për qind.

“Si një formë e re e tregtisë së jashtme, tregtia elektronike ndërkufitare ka dëshmuar një rritje të shpejtë gjatë pandemisë Covid-19 dhe është bërë një forcë e rëndësishme lëvizëse në stabilizimin e tregtisë së jashtme të Kinës”,- tha Zhang Zhouping, analist i lartë i biznesit dhe aktiviteteve ndërkufitare në Institutin e Ekonomisë së Internetit, një konsulencë vendase.

Konsumatorët jashtë shtetit kanë rritur gradualisht ndërgjegjësimin dhe besimin e tyre ndaj kompanive dhe produkteve kineze dhe kanë pasur një qëndrim optimist ndaj markave kineze, thuhet në një raport të publikuar nga mediat online “Sina News” dhe “Huanqiu.com”.