Këshilli i Transportit i BE-së përfshin rrugën Sofje-Shkup-Durrës-Bari në korridorin e ri evropian
2022-12-08 18:31:48

Këshilli i Transportit i BE-së përfshiu rrugën Sofje-Shkup-Durrës-Bari në Korridorin e ri Evropian të Transportit “Ballkani Perëndimor-Mesdheu Lindor” dhe vendimi lehtëson financimin për këtë iniciativë.

“Ky është një sukses i madh për Bullgarinë”,- tha zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Hristo Aleksiev në Bruksel, pas takimit në Këshillin e Transportit të BE-së.

“Bullgaria ishte shumë aktive gjatë katër muajve të fundit në fushatën për një rifillim të projektit. Ne bëmë lobim të fortë”,- theksoi Aleksiev, duke vënë në dukje se lidhja e transportit është një nga elementët më të rëndësishëm të integrimit, citon “RTSH”.

Sipas ministrit, vendimi e bën të plotë Korridorin Evropian të Transportit “Ballkani Perëndimor-Mesdheu Lindor”.

“Ai do të sigurojë vlerë të konsiderueshme të shtuar për BE-në në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në situatën aktuale të komplikuar gjeopolitike”, - tha Aleksiev.

Ai kujtoi se Bullgaria dhe Italia, si vende anëtare të BE-së, dhe partnerët e tyre në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, miratuan një deklaratë të përbashkët më 25 nëntor, duke konfirmuar angazhimin e tyre të përbashkët për të ndërtuar infrastrukturën përgjatë rrugës Sofje-Shkup-Durrës-Bari si pjesë e Korridorit VIII. (Elona)