Investimet e dyanshme dhe tregtia Kinë-vendet arabe kanë arritur rritje të shumëfishtë
2022-12-08 17:01:45

阿拉伯---[ā lā bó]---arab

foto/VCG

foto/VCG

Vitet e fundit, marrëdhëniet e partneritetit strategjik ndërmjet Kinës e vendeve arabe kanë pasur përparime të reja dhe ndërtimi i përbashkët i “Një brez, një rrugë” ka arritur në një fazë të re. Bashkëpunimi konkret dypalësh ka nxitur thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve Kinë-vendet arabe.

"Pa dyshim që kompanitë kineze janë të mirënjohura në botë për zhvillimin e tyre të fuqishëm në sferë globale vitet e fundit, veçanërisht për rolin e rëndësishëm që luajnë në zinxhirin e furnizimit global. Si brenda Kinës, ashtu edhe jashtë saj, produktet e prodhuara nga kompanitë kineze janë të gjitha shumë konkurruese. Ne shpresojmë që Arabia Saudite të bëhet një pikë tranziti që produktet dhe investimet kineze të shkojnë në pjesën tjetër të botës."

Kështu u shpreh ministri i Industrisë dhe i Burimeve Minerare i Arabisë Saudite Bandar Al-Khorayef për bashkëpunimin ndërmjet Kinës dhe vendeve arabe në konferencën e Nismës së Investimeve për të Ardhmen, të njohur edhe si “Davosi i Shkretëtirës”, të mbajtur kohët e fundit.

Bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe vendeve arabe u përmbahet përfitimeve të ndërsjella dhe promovon në mënyrë aktive lehtësimin e tregtisë dhe investimeve, duke nxitur rritjen e shumëfishtë të investimeve të dyanshme dhe tregtisë dypalëshe. Në vitin 2021, vlera e investimeve të drejtpërdrejta të dyanshme Kinë-vendet arabe arriti në 27 miliardë dollarë, ndërsa vëllimi i tregtisë dypalëshe në 330.3 miliardë dollarë, duke u rritur përkatësisht 2.6 herë dhe 1.5 herë në krahasim me 10 vjet më parë. Ndërkohë, në tre tremujorët e parë të vitit 2022, vlera e tregtisë Kinë-vendet arabe arriti në 319.295 miliardë dollarë, 35.28 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhën të vitit të kaluar, duke iu afruar nivelit të mbarë vitit 2021.

Ndërkohë, edhe bashkëpunimi në fushën energjetike ndërmjet të dyja palëve është thelluar vazhdimisht. Në fushën e energjive tradicionale, modeli i bashkëpunimit “naftë dhe gaz+” është promovuar më tej dhe është vendosur bashkëpunim në të gjithë zinxhirin industrial të naftës e gazit, eksplorimit, rafinimit, rezervimit dhe transportit, duke ndërtuar një sërë veprash të rëndësishme, si rafineria “YASREF” në Arabinë Saudite. Në vitin 2021, vlera e importit të naftës bruto të Kinës nga vendet arabe arriti në 264 milionë tonë, duke zënë 51.47 % të vëllimit të përgjithshëm të importit të naftës bruto gjatë së njëjtës periudhë.

foto/VCG

foto/VCG

Përveç kësaj, në fushën e energjive të reja, Kina po zgjeron aktivisht bashkëpunimin me vendet arabe në energjinë diellore, energjinë e erës, energjinë ujore dhe fusha të tjera. Ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe në Kinë Ali Al Dhaheri bëri të ditur se bashkëpunimi ndërmjet të dy palëve në fushën e energjisë së rinovueshme është një shembull i mirë.

"Emiratet e Bashkuara Arabe kanë centralin më të madh të energjisë diellore në një pikë të vetme në botë, centralin elektrik “Matoum”, që është ndërtuar nga Grupi Elektrik i Shangait në bashkëpunim me Dubain. Bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe ofron një shembull për vendet e tjera për të arritur zhvillim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim”.

foto/VCG

foto/VCG

Vendet arabe gjenden në kryqëzimin e “Një brez, një rrugë” dhe kanë qenë pjesëmarrëse të rëndësishme në qytetërimin e Rrugës së Mëndafshit në histori, duke qenë kësisoj partnere natyrore të bashkëpunimit për ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë”. Tani Kina ka nënshkruar dokumente bashkëpunimi me 20 vende arabe për ndërtimin e përbashkët të nismës “Një brez, një rrugë”. Mbi 200 projekte të mëdha të bashkëpunimit kino-arab kanë sjellë përfitime për afro 200 milionë veta nga të dy palët. Drejtori ekzekutiv i Portit të Abu-Dabit në Emiratet e Bashkuara Arabe tha se ndërtimi i përbashkët i “Një brez, një rrugë” do të ketë një ndikim të thellë në modelin e tregtisë botërore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian vuri në dukje nga ana e tij se Kina do të vazhdojë të punojë me vendet arabe për të thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme.

"Kina i ka konsideruar gjithmonë vendet arabe si partnere strategjike, që ndjekin me vendosmëri rrugën e zhvillimit paqësor, forcojnë bashkëpunimin me vendet në zhvillim dhe promovojnë ndërtimin e një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Kina do të vazhdojë të punojë me vendet arabe për të çuar përpara miqësinë tradicionale, për të  thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme, për të forcuar shkëmbimet kulturore dhe për të punuar së bashku për promovimin e paqes dhe zhvillimit botëror," vuri në dukje zëdhënësi i diplomacisë kineze.  (Fang Xiaoyu/Artan)