Tirana është edhe zyrtarisht “Qyteti Evropian i Sportit” për vitin 2023, ndërsa titullin e mori kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një ceremoni të mbajtur në selinë e Parlamentit Evropian në Bruksel.
Veliaj shoqërohej nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli dhe zv/ministri i Arsimit dhe Sportit, Endri Hoxha.
Në fjalën e tij, Veliaj tha se viti 2023 do t’i kushtohet tërësisht sportit në kryeqytet dhe se do të jetë një parapërgatitje e mirë për Shqipërinë në Lojërat Olimpike 2024, citon “RTSH”.
“Është një mënyrë e mirë për t’u përgatitur për Lojërat Olimpike në 2024 dhe për Lojërat Mesdhetare në vitin 2026. Një njeri mund të fitojë një ndeshje, por duhet një skuadër për të fituar një kampionat dhe sot skuadra e Tiranës, e ka fituar këtë kampionat”,- vijoi Veliaj.
Nga ana e tij, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e konsideroi titullin si përmbyllje kuptimplotë e vitit 2022 për Tiranën, por edhe fillimin më të bukur për vitin 2023.
Tirana këtë vit mbajti titullin e Kryeqytetit Evropian të Rinisë dhe një sërë aktivitetesh u organizuan për të rinjtë në qytet. (Elona)