Dr.Shkëlqim Sirika ka pëfunduar studimet në degën e gjeografisë në Universitetin e Tiranës dhe më pas ka kryer studimet master për gjeografi mjedisore si dhe doktoraturën në një temë të aspektit mjedisor dhe human. Ai prej vitesh ka dhënë mësim në shkolla të ndryshme të Tiranës si dhe ka qenë drejtor i Liceut Artistik “Jordan Misja”, duke zhvilluar disa aktivitete artistike si dhe binjakëzime me shkolla të tjera artistike të rajonit. Aktualisht është drejtor i shkollës 9 vjeçare “28 Nëntori” në Tiranë. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për karrierën e tij në arsim, punën si drejtues shkolle si dhe projektet e realizuara.
Shkelqim Sirika (Foto personale)
CMG: Si ka qenë rrugëtimi juaj në fushën e arsimit?
Shkëlqim Sirika: Unë që në gjimnaz kam menduar që të studioja në fushën e gjeografisë sepse vazhdimisht kam qenë një dashamirës i natyrës dhe ëndrra mu realizua sepse në atë periudhë studimet fitoheshin nëpërmjet konkursit. Në vitin 1993 arrita të fitoja konkursin dhe fillova studimet në degën e gjeografisë në Universitetin e Tiranës. Më vonë përfundova masterin dhe doktoraturën, ku në vitin 2009-2011 përfundova masterin për gjeografi mjedisore, ndërsa në vitin 2015 përfundova studimet në doktoraturë për një temë që ishte ndërmjet aspektit mjedisor dhe human.
CMG: Pra ju gjatë karrierës keni bërë dhe kërkime shkencore në fushën e mjedisit dhe turizmit?
Shkëlqim Sirika: Përveç asaj për të mbrojtur një titull doktor i shkencave, në sensin e portofolit duhen disa konferenca shkencore për të mbrojtur titullin, por unë nuk kam qëndruar në atë që ne thjesht duhet të bëjmë aq konferenca shkencore sa për të mbrojtur një titull, por në vazhdimësi kam vazhduar me punimet shkencore. Ndërkohë që tani kam filluar të dal pak dhe në aspektin metodik meqenëse jam mësimdhënës jo vetëm në mësimin parauniversitar por edhe në arsimin universitar, ku jam pedagog i jashtëm dhe kam dhënë mësim në universitetin shtetëror të Elbasanit dhe vazhdoj të jap mësim në Universitetin Europian të Tiranës dhe Universitetin “Marin Barleti”. Gjithashtu kam dhe një karrierë të shkurtër në Akademinë Infinit në Kosovë dhe në kolegjin universitar ISPE.
Shkelqim Sirika me kengetaren Rita Ora ne ambientet e liceut artistik (Foto personale)
Shkelqim Sirika me nxenesit e gjimnazit Isa Boletini (Foto peronale)
CMG: Një karrierë e gjatë në fushën e mësimdhënies. Si janë marrëdhëniet tuaja me nxënësit dhe studentët?
Shkëlqim Sirika: Të japësh mësim është vërtetë kënaqësi. Shpesh dëgjohet nëpër emisione të ndryshme mediatike apo në portale të ndryshme që mësimdhënia në Shqipëri po kalon një krizë për shkak të humbjes së interesit nga nxënësit apo tendenca për të studiuar jashtë shtetit. Ndërkohë që unë mendoj që kush e gjen veten si një mësimdhënës pasionant apo e bën lëndën e tij të dashur, interesi nuk humb asnjëherë. Në fakt vitet e fundit unë meqenëse jam drejtues dhe nuk jap mësim në arsimin parauniversitar përveç se në fakultet, kjo nuk do të thotë që unë jam shkëputur nga nxënësit pasi jap mësim dhe jam pranë studentëve. Nëse i kthehem pak kohës mbrapa kur mësimëdhënia ime me nxënësit ka qenë aq e afërt sa që shpeshherë nxënësit më thonin që vetëm tek ora ime ata nuk mendonin se kur po binte zilja. Unë nuk i përmbahem thjesht temës mësimore për të mbajtur programin mësimor, por për ta lidhur vazhdimisht me jetën e përditëshme të nxënësit që ta shikojë veten të aftë në shoqërinë ku jeton, duke menduar për të ardhmen e tij, që unë vazhdimisht e lidh me aspektin jetësor të tyre.
CMG: Aktualisht jeni drejtor i shkollës 9 vjeçare “28 Nëntori”, ndërkohë që më përpara keni drejtuar dhe Liceun Artistik “Jordan Misja”. Sa e vështirë është të jesh drejtues në arsim?
Shkëlqim Sirika: Karrierën në drejtim e kam nisur në shkollat e Kamzës, ku për një periudhë të gjatë kam qenë mësimdhënës në gjimnazin “Isa Boletini” dhe aty kam filluar për herë të parë zv/drejtor dhe kisha kolegë që dikur i kisha edhe mësues që pinim bashkë kafen, ndanim përvojat. Kjo bëri që të ishte i lehtë drejtimi dhe nuk kisha ndonjë sfidë të madhe për shkak se kolektivi të mbështeste, nxënësit ishin të dashur dhe bashkëpunonin. Më pas mu afrua drejtimi i Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe në fillim mendova pse unë te liceu artistic, sepse nuk i përkas artit por studimeve mjedisore dhe të zhvillimit të qëndrueshëm. Duke qenë se prej vitesh unë kam ndjekur vajzën time në shkollën e baletit dhe mendova se fundja drejtuesi është thjesht një administrator dhe menaxhues dhe nuk është ajo që në jetën e përditëshme të thuhet që në shkollat artistike drejtuesi duhet të jetë artist, por të jetë artist në drejtim.
CMG: Cilat kanë qenë risitë që ju keni sjellë në Liceun Artistik kur ishit drejtues?
Shkëlqim Sirika: Unë e nisa në fakt drejtimin në një kohë të zbehtë sepse ishte kohë pandemie, pak nxënës, pak mësues dhe në fillim ishte e vështirë sesi do i jepja jetë Liceut Artistik. Duke qenë se kam studiuar për gjeografi dhe lidhem deri diku edhe me historinë dhe për drejtimin e një institucioni kam parë dhe historinë e tij. Para se të merrja drejtimin e liceut i bëra një skaner të shpejtë historikut të tij dhe mendova se ka diçka për të dhënë atë vit, sepse përkonte me 75 vjetorin e liceut. Gjënë e parë që bëra pasi dolëm nga pandemia dhe filloi mësimdhënia fizikisht, mblodha kolektivin dhe ngrita grupin e punës për festimet e 75 vjetorit krejt ndryshe nga çfarë ishte festuar më parë. Hapi i parë i veçantë dhe mendoj se mbetet në historikun e Liceut Artistik është krijimi i ALUMNI-t dhe kjo ishte një risi për vendin tonë sepse zakonisht është traditë e universiteteve jashtë vendit. Në Shqipëri ishte hera e parë që krijohej një rrjet i tillë artistik. Këtë e mendova sepse Liceu Artistik ka nxjerrë të gjithë artistët që sot janë me emër në Shqipëri dhe jashtë në skenat botërore. Mendova që për të krijuar një vit të veçantë në 75 vjetorin baza kryesore do ishte ALUMNI dhe mendova sesi do ta krijoj këtë gjë. Meqenëse vija nga bota jo artistike, gjënë e parë mendova se sot jetojmë në botën digjitale ku rrjetet sociale të afrojnë mundësinë për kontaktet me ata që jetojnë jashtë. Kështu që fillova të bëja ftesat e para nëpërmjet Facebook-ut, duke hapur dhe një faqe të veçantë Liceu Artistik të cilën e menaxhoja vetë.
Shkelqim Sirika me nxenesit e liceut artistik Jordan Misja (Foto personale)
CMG: Keni pasur dhe projekte të tjera apo binjakëzime me shkolla të tjera artistike të rajonit?
Shkëlqim Sirika: Vitin e parë të drejtimit të Liceut Artistik mendova të fillonim me një koncert dhe binjakëzime, duke u pëfaqësuar me koncerte. Gjënë e parë bëra binjakëzimin me shkollën artistike të Gjilanit ku dhamë një koncert, i cili u prit mjaft mirë. Ishte një përvojë vërtetë shumë e mirë ku u ndjenë shumë mirë nxënësit dhe mësuesit sepse vinin nga dy vitet e pandemisë, një shkëputje ku Liceu Artistik nuk kishte performuar me koncerte apo me ekspozita. Duke qenë se Gjilani na priti mirë dhe pati një akses për nxënësit dhe pedagogët e liceut menduam që këtë ta shtrinim në të gjitha shkollat artistike të rajonit. Brenda vitit arritëm që në të gjitha shkollat simotra të Kosovës të bënim binjakëzim. Në këtë kuadër po mendonim që ta shtrinim dhe në Malin e Zi apo Maqedoninë e Veriut. Më vonë fillova ta shtrija përtej rajonit ku hapi më i rëndësishëm që mbeti i pafinalizuar sepse ashtu erdhën rrethanat dhe unë u largova nga Liceu artistik, ishte binjakëzimi me Konservatorin e Parisit ku gjatë drejtimit tim patëm dhe një koncert të përbashkët me studentë nga Parisi.
CMG: Mendon se je i plotësuar në karrierën profesionale në gjithë këto vite eksperiencë në mësimdhënie dhe si drejtues në institucioneve arsimore?
Shkelqim Sirika me sopranon Inva Mula (Foto personale)
Shkëlqim Sirika: Njeriu vazhdimisht duhet të kualifikohet profesionalisht, jo vetëm për t’iu përshtatur zhvillimeve që ka çdo vend apo në kuadër të globalizimit, ku tani dinamika është aq e shpejtë saqë duhet t’i përshtatesh çdo gjëje, ashtu siç u përshtata edhe unë nga një mësimëdhënës shkencor në drejtimin e një liceu artistik. Nuk është e thënë që të kualifikohesh nga ana profesionale vetëm aty ku ti ke studiuar. Unë në fillim kualifikimet i kam pasur në kuadër të gjeografisë, jo vetëm se mbrojta titullin doktor i shkencave, por dhe se kam marrë pjesë në shoqata mjedisore, pastaj kam marrë pjesë në disa aksione vullnetare të shoqatave të ndryshme, por dhe në shoqata kulturore siç është dhe ajo e Ishmit ku jam pjesë e drejtimit, apo shoqata kulturore “Ibrahim Kodra”. Kisha një plan që nuk arrita ta mbyll dot që të krijoja një klub Ibrahim Kodra në Liceun Artistik meqenëse është një piktor i cili ka lënë emër në arenën ndërkombëtare.
CMG: Cili do të ishte mesazhi juaj për brezin e ri?
Shkëlqim Sirika: Brezit të ri do t’i jepja mesazhin që asnjëherë shkolla nuk humbet. Është e vërtetë që sot njerëzit janë të prirur drejt fitimit sa më të shpejtë duke dalë jashtë profesionit të tyre dhe jashtë studimeve që kanë mbaruar, por gjithmonë studimet të çojnë tek fitimi i qëndrueshëm. Mund të fitosh dhe të bëhesh i pasur për momentin, por mund t’i humbasësh shumë shpejt. Ndërkohë që kualifikimet dhe zhvillimin tënd profesional nuk e humbet asnjëherë. Prandaj unë do t’i thoja brezit të ri që sa nuk është vonë të studiojnë.
Shkelqim Sirika ne interviste per CMG
Shkelqim Sirika ne nje konference shkencore ne Struge (Foto personale)
Intervistoi: Gazmend Agaj