Historia e bandave muzikore shqiptare
2022-12-07 13:43:18

Në rrugët e qyteteve, në ditë të caktuara festive, mund të ndeshim një spektakël të mrekullueshëm të muzikës, ritmit, atmosferës dhe gëzimit. Është Banda e Qytetit, shpirti muzikor i tij, identiteti dhe tradita, e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja, ajo që i bashkon njerëzit rreth muzikës, nëpër lagjet dhe rrugët plot me banorë. Është ajo që e lajmëron dhe bën thirrjen e parë. Një traditë e hershme kjo, që vazhdon.

banda e Biranes - foto Diaspora shqiptare

banda e Biranes - foto Diaspora shqiptare

Bandat, ose Orkestrat Frymore në Shqipëri kanë një histori të vjetër, e dokumentuar me foto dhe dëshmi. Ka një rrugë të natyrshme të krijimit të bandave, të cilat shumë shpejt u bënë pjesë e rëndësishme e kulturës qytetare. Këto formacione u ngritën pothuajse në çdo qytet shumë herët, duke u bërë pjesë e rëndësishme e jetës artistike dhe kulturore të vendit. Njëkohësisht, u shdërruan në themelin e muzikës së kultivuar kombëtare.

Është Shkodra që njihet si qyteti i themelimit të orkestrës së parë frymore në Shqipëri, në vitin 1878. Ishte një prift franceskan, arbëreshi At‘Markoci, ai që mblodhi ndihma monetare në popull dhe bëri të mundur ardhjen e një mjeshtri napolitan për të ngritur bandën e parë. Mjeshtri i ardhur, Giovanni Canale, për katër vite me radhë, jo vetëm që e drejtoi këtë bandë muzikore, por përgatiti edhe instrumentistë të rinj. Pra, që në vitin 1878 Shkodra ka bandës e saj të qytetit. Por gjithashtu ka edhe një sërë bandash që u ngritën pothuajse në çdo lagje të qytetit, ndërkohë që përfaqësuesit më të mirë mblidheshin në bandën kryesore.

Banda e Forcave te Armatosura- foto Liberalee

Banda e Forcave te Armatosura- foto Liberalee

Mjeshtri Italian gjeti në Shkodër një atmosferë fantastike të dashurisë për muzikën dhe të kultivimit muzikor. Pjesëtarë të bandës në vite, u bënë instrumentistë të talentuar e pasionantë të qytetit. Në repertorin e Bandës u përfshi literatura tradicionale shqiptare si dhe literaturë e zgjedhur nga muzika e kultivuar botërore, si Verdi, Shubert, etj.,të përshtatur për formacionin e bandës frymore.

Kjo gjë pati dy të mira, së pari muzika popullore shkoi tek qytetarët në një tjetër formë, gjë që solli mjaft interes dhe përmbushje shpirtërore; nga ana tjetër, muzika e kultivuar botërore, u bë pjesë e mëngjeseve shkodrane, gjë që ndikoi edhe në kultivimin muzikor. Si rezultat i ndryshimeve social-politike që ndodhën në Shqipëri, banda e humbi funksionin e saj, për ta fituar përsëri pas vitit 2001. Sot kjo bandë ka 40 instrumentistë, ndërkohë që është një vlerë e shtuar e qytetit të Shkodrës.

Banda e Forcavve te Armatosura- foto Liberale

Banda e Forcavve te Armatosura- foto Liberale

Por duke iu rikthyer historisë, është fakt se pas vitit 1909, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Xhonturqve, në Shqipëri u krijuan hapësira për të zhvilluar kulturën edhe në qytete të tjera dhe kështu nisën të krijohen klubet kulturore. Në këtë logjikë bandat muzikore nisën të krijohen edhe në qytete të tjera, si në Korçë, Elbasan, Vlorë etj. Qytetet e mëdha kishin, banda ndërsa të voglat Fanfara. Mjaft artistë të talentuar, filluan jo vetëm të arranxhonin këngët e kohës, por edhe të shkruajnë vetë muzikë. Në këtë mënyrë këto klube kulturore nisën të funksiononin edhe si shkolla muzike për instrumentistët amatorë që luanin në këto banda. Kjo sigurisht që dha një impakt në mësimin e instrumenteve, mësimin e muzikës së kultivuar. E kështu më vonë do të kishim personalitete të shquar të muzikës si Çesk Zadeja, Preng Jakova, Tonin Harapi, Ramadan Sokoli etj. Kështu këto banda nisën të kishin një efekt nacional, mobilizues patriotik dhe rilindas njëkohësisht. Kjo lëvizje kulturore mori hov dhe solli gjallëri jo vetëm në aspektin e jetës së përditshme dhe gjallërimin e saj, por në edukimin dhe me muzikë të mirë e bashkëkohore. Disa prej këtyre klubeve kulturore filluan të kishin grupin e teatrit, të pikturës, të këngës etj.

Banda e pare ne Shkoder - foto Po.al

Banda e pare ne Shkoder - foto Po.al

Po cila ka qenë historia e bandës së Tiranës, kryeqytetit të shqiptarëve? Qyteti i Tiranës nuk ka pasur një orkestër frymore të vetën, të përhershme, deri me shpalljen e Tiranës kryeqytet, ku kanë nisur të ushtrojnë aktivitetetin e bandës disa orkestra. E para ishte “Banda Presidenciale Shqiptare”, ndërkohë që pas shpalljes së Shqipërisë Mbretëri, në vitin 1928, krijohet “Banda Muzikore Mbretërore”, e cila me pushtimin e vendin nga Italia mbetet si bandë shtetërore.

Pas Çlirimit të vendit, Banda e Tiranës, u krijua në shkurt të vitit 1966, si një nevojë për të përballuar aktivitetin artistik të kryeqytetit. Fillimisht, si një orkestër frymore amatore, e cila me kalimin e viteve u bë Orkestra Frymore Profesioniste e Tiranës. Aktualisht Banda e Tiranës përbëhet nga 39 instrumentistë, ku në përbërje të saj ka saks, klarinetë, tromb, trombonë, korno, tenor, bass, perkusione, flaut, etj. Banda e Tiranës si formacion muzikor i lëvizshëm ka aftësinë të komunikojnë drejtpërdrejtë me publikun, duke dhënë koncerte në natyrë, në sheshe e në çdo ambient. Eshtë banda më serioze dhe e pasur me instrumentistë dhe repertor, si dhe me një jetë të pasur artistike.

Banda e Tiranes- foto Sot.al

Banda e Tiranes- foto Sot.al

Një tjetër bandë e rëndësishme në vend, është edhe Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura, ose Banda e Ushtrisë. Banda e Ushtrisë është trupë artistike profesioniste e “rradhëve të blerta” të Forcave të Armatosur Shqiptare. Kjo bandë, është pararendëse e Bandës Muzikore “Vatra” që frymëzoi vullnetarët shqiptaro-amerikanë, pjesëmarrës në Luftën e Vlorës 1920 . Ritualet e kahershme kur binin trimat në luftë, apo kur ata varroseshin me të gjitha nderet që iu takonin, shoqëroheshin nga këngët e trimërisë, që brenda tyre kishin tinguj që evokonin krenarinë. Dhe kjo krenari pastaj përcillej nga brezi në brez.

Në vazhdën e kësaj tradite të ndërprerë, Banda e Ushtrisë, si formacion muzikor, u krijua më 18 tetor 1944 në fshatin Priskë të Tiranës, ku u grumbullua një grup i madh muzikantësh partizanë dhe u formua orkestra frymore e këtij formacioni. Pas Çlirimit, kjo orkestër u plotësua me të gjithë elementet e nevojshme të një bande muzikore moderne dhe e tillë vazhdon të jetë edhe sot. Ajo është pjesë e rëndësishme e ceremonive zyrtare të shtetit shqiptar, që i jep tonin solemn momenteve të zbatimit të protokollit shtetëror. Që nga krijimi i saj e deri më sot, ajo ka një histori shumë të pasur aktivitetesh të rëndësishme që përbëjnë edhe pjesën më të qenësishme të krenarisë së saj legjitime.

Sot, qytetet më të rëndësishme shqiptare kanë bandat e tyre, ndërkohë që ata zbukurojnë ceremonialet apo ditët festive.

bandat muzikore ne shkoder - foto Albumi Ak facebook

bandat muzikore ne shkoder - foto Albumi Ak facebook

Neritana Kraja