Inventari i produkteve nga Evropa Qendrore dhe Lindore në tryezën kineze
2022-12-07 10:33:34

Foto: VCG

Këtë vit, ativiteti i shitjes së mallrave nga vendet e EQL-së në Ningbo të provincës Zhejiang të Kinës Lindore, ndezi një mani lokale për kuzhinën e Evropës Qendrore dhe Lindore. Mjalti nga Shqipëria, vera e kuqe nga Serbia, vaji i ullirit nga Greqia dhe qumështi nga Polonia kanë hyrë në shtëpitë e njerëzve të thjeshtë, duke pasuruar tryezën e kinezëve.

Sipas statistikave të Doganës Ningbo, në tetë muajt e parë të këtij viti, Ningbo importoi 180 milionë juanë produkte bujqësore nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, një rritje nga viti në vit prej 65.4 për qind. Midis tyre, mishi i viçit i importuar ishte 44.399 milionë juanë, një rritje prej 64.2 herë nga viti në vit. Vëllimi i importit dhe eksportit midis qytetit Ningbo dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore ishte 29.57 miliardë juanë, një rritje nga viti në vit prej 22.7 për qind. Mes tyre, importet ishin 6.61 miliardë juanë, me një rritje nga viti në vit prej 40.6 për qind.

Në fakt, Ningbo është vetëm një miniaturë e bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Ekspozita Kinë - Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore që organizohet në Ningbo çdo vit, Ekspozita Ndërkombëtare e Importit të Kinës në Shangai dhe Panairi i Mallrave të Eksportit të Kinës në Guangzhou, kanë forcuar shkëmbimet dhe bashkëpunimin midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. 

Mekanizmi i “Bashkëpunimit Kinë - Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore” funksionon prej dhjetë vitesh dhe gjithnjë e më shumë produkte të veçanta bujqësore nga ky rajon po shtrohen në tryezat e kinezëve të zakonshëm. 

Foto: CMG

Në shkurt 2020 u mbajt me sukses Samiti i Liderëve Kinë – EQL. Në këtë aktivitet presidenti i Kinës Xi Jinping njoftoi se "Kina planifikon të importojë mallra me vlerë më shumë se 170 miliardë dollarë nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në pesë vitet e ardhshme" dhe se "do përpiqet të dyfishojë importet bujqësore të Kinës nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore gjatë pesë viteve të ardhshme." Që atëherë, Kina dhe Shqipëria kanë nënshkruar një protokoll për inspektimin dhe karantinimin e mjaltit dhe produkteve të qumështit të eksportuara në Kinë, duke hapur rrugën që produktet bujqësore shqiptare të futen në tregun kinez. Sot, mund të blihet me lehtësi mjalti origjinal shqiptar kur viziton pavijonet e përhershme të mallrave të vendeve Evropës Qendrore dhe Lindore në Ningbo.

Në fillim të tetorit 2020, treni i parë Kinë-Evropë që transportonte produkte qumështi të importuara nga Polonia mbërriti në Wuhan të Kinës. Andrzej Juchniewicz, përfaqësuesi kryesor i drejtorisë polake të Investimeve dhe Tregtisë në Kinë tha se kjo është hera e parë që produktet e qumështit nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore sillen me tren në Kinë. Mësohet se ky “tren qumështi”  mbante 50 kontejnerë, me gjithsej 16.770 njësi qumështi të lëngshëm dhe pluhur dhe vëllim peshe rreth 1.100 tonë. Qumështi “Polka” është pëlqyer nga konsumatorët kinezë. Sipas Leon Meredyk, menaxher i zhvillimit të biznesit të Grupit VICI, qumështi mund të transportohet nga Polonia në Wuhan për vetëm 18 ditë përmes trenit Kinë-Evropë. Krahasuar me transportin tradicional detar, çmimi është 20 për qind më i lirë, ndërsa koha e transportit shkurtohet nga 35 në 18 ditë. Sot, edhe lëngu polak i mollës apo ushqime të tjera, gjithashtu po futen vazhdimisht në tregun kinez përmes trenave Kinë-Evropë.

Në Konferencën për Furnizimin dhe Prokurimin e Produkteve Bujqësore të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore të mbajtur në Budapest këtë verë, kompania e tregtisë ndërkombëtare  Lianbang Changyun në Ningbo nënshkroi një kontratë të konsiderueshme blerjeje me fabrikën  "351", e cila është më e madhja për përpunimin e viçit në Hungari. Plot 200 milionë dollarë mish viçi do të importohet gjatë pesë viteve të ardhshme nga kjo fabrikë në Kinë. Sun Chonglong, kreu i kompanisë Lianbang Changyun, tha se produktet bujqësore nga Hungaria dhe vendet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore kanë marrë një përgjigje shumë të mirë nga tregu kinez. Shumë kompani të EQL-së kanë filluar të prodhojnë sipas preferencave  të konsumatorëve kinezë, duke ofruar më shumë zgjedhje për ta.

Foto:VCG

Në Ekspozitën Ndërkombëtare të Verës që sapo përfundoi në Serbi, biznesmeni kinez Guo Xiao nënshkroi në emër të Federatës Serbe të Biznesit Kinez dy kontrata me kantinat serbe të verës Mrđanin dhe Đurđić për blerjen e 110 mijë shisheve me vlerë 800 mijë euro. Kështu një grup i madh verërash serbe do të futen njëra pas tjetrës në tregun kinez. Deri tani, Guo Xiao ka krijuar "Shtëpitë e Evropës Qendrore dhe Lindore" në shtatë qytete kineze, duke shitur produkte nga këto vende dhe ku vera e kuqe serbe është asortimenti kryesor. Verërat e importuara në Kinë janë përzgjedhur me kujdes dhe pas një testimi dyvjeçar në tregun kinez, kanë marrrë një reagim shumë të mirë.

Tani, gjithnjë e më shumë produkte bujqësore të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore po hyjnë në shtëpitë e kinezëve përmes platformave të transmetimit të drejtpërdrejtë në internet. Duke marrë si shembull "Ejani në Festivalin e Mallrave të Evropës Qendrore dhe Lindore" të mbajtur nga CMG, produkte me kualitet të përzgjedhura nga Polonia, Bullgaria, Greqia dhe vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore u mblodhën në dhomën e transmetimit të drejtpërdrejtë të CMG-së në internet. Këto produkte janë pëlqyer nga përdoruesit e internetit, ndërsa shitjet totale të këtij transmetimi të drejtpërdrejtë arritën në 37 milionë juanë, me një shikueshmëri që kaloi mbi 19 milionë. Ky është vetëm një prej shumë transmetimeve të drejtpërdrejta për shitje, duke treguar popullaritetin e produkteve bujqësore dhe ushqimeve nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në Kinë.

Besohet se me avancimin e mëtejshëm të mekanizmit të “Bashkëpunimit Kinë - Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore", gjithnjë e më shumë produkte nga këto vende do të shfaqen në tregun kinez. Futja e këtyre produkteve jo vetëm që ka sjellë përfitime për kompanitë tregtare dhe fermerët në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, por ka pasuruar më shumë edhe llojet e produkteve bujqësore në tregun kinez, duke  ofruar më shumë zgjedhje për “shportën e perimeve” të konsumatorëve nga ky vend.