Firmoset marrëveshja për uljen e tarifave “roaming” mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor nga 1 tetori 2023
2022-12-07 16:06:29

Samiti (Foto RTSH)

Samiti (Foto RTSH)

Në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor, mbajtur të martën në Tiranë, u firmos marrëveshja për uljen e tarifave “roaming” mes operatorëve të telekomunikacionit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Të pranishëm gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ishin 6 udhëheqës të Ballkanit Perëndimor, presidenti i Këshillit të Evropës, presidentja e Komisionit Evropian, komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin dhe sekretarja e përgjithshme e Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, bën të ditur “RTSH”.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në konferencën për shtyp pas nënshkrimit, tha se me arritjen e kësaj marrëveshjeje qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të përfitojnë reduktim të shërbimit “roaming” me vendet e Bashkimit Evropian.

“Nënshkrimi nga një sërë operatorësh të telefonisë celulare të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor të deklaratës së përbashkët për jetësimin e udhërrëfyesit për heqjen e tarifave të “roaming”-ut mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor përbën një nga arritjet madhore të viteve të fundit”,- tha Balluku.

Sipas saj, ndikimi i kësaj marrëveshjeje është konkret dhe real për jetën e qytetarëve. Balluku shtoi se kjo marrëveshje ka ndikim të jashtëzakonshëm dhe sa i përket përshpejtimit të hapave integrues.

Marrëveshja, e cila do të mundësojë uljen e tarifave “roaming” midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, do të nisë nga 1 tetori 2023. (Elona)