Certifikimi i produkteve shqiptare, mundësi në tregjet ndërkombëtare
2022-12-07 13:36:39

Sektori i fruta-perimeve konsiderohet si një industri me kërkesa konsumatore të qendrueshme, e cila siguron të ardhura ekonomike të vazhdueshme dhe që në raport me industritë e tjera është më rezistente ndaj periudhave të recensionit. Prodhimi i fruta-perimeve është i lidhur ngushtë me bujqësinë, duke vepruar si furnizues i lëndës së parë për një pjesë kryesore të kësaj industrie. Megjithëse certifikimi i sigurisë ushqimore nuk është i detyrueshëm sipas legjislacionit europian, ai është bërë një domosdoshmëri për pothuajse të gjithë importuesit europianë të ushqimit. 

Fruta (Foto Doni Fruit)

Irjana Gjana  nga  Bio.Inspecta, Grupi teknik i punës Global G.A.P thotë se certifikimi është një ndër proceset më të rëndësishme të prodhimit të produkteve bujqësore

“Sigurisht që nëse flasim për certifikim koncepti i parë që gjithsecilit i vjen në mendje është cilësia, siguria, aksesi në tregje, besueshmëria dhe garancia për konsumatorin. Certifikimi është një ndër proceset më të rëndësishme të prodhimit të produkteve bujqësore, pa dashur që të heq fokusin nga gjithë procedurat dhe proceset e tjera për shkak se është finalizimi dhe mundësia që një kompani ka për t’u prezantuar me të tjerët. Ajo se çfarë doja të vija në fokus është që dy vitet e fundit kanë qenë jo shumë të lehta për fermerët shqiptarë, për eksportuesit shqiptarë dhe në vitin 2020 realisht të gjithë ishin në një pikë në të cilën do të prisnim se cçfarë do të ndodhte. Ai ka qenë viti që me të vërtetë kur secili prej nesh ka kuptuar që rëndësia e fermerit, rëndësia e prodhimit bujqësor vendas është jashtëzakonisht e madhe kur bëhet fjalë për kriza, për katastrofa, për pandemi dhe sigurisht edhe për aspekte financiare në këtë mes. Në këtë periudhë ne jemi ndjerë shumë fatlumë që bëjmë pjesë në një industri të tillë të prodhimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore, duke qenë se jo vetëm që eksportet tona nuk u zvogëluan por përkundrazi eksportet e produkteve ushqimore të certifikuara patën një rritje vit pas viti, pavarësisht një pandemie të kaluar dhe një situate financiare jo shumë të kënaqshme. “- thekson  Irjana Gjana.

Certifikimi i sigurisë ushqimore është shumë i rëndësishëm në eksportin e produkteve në vendet anëtare të BE. Kërkesat shtesë të blerësve për standarde të caktuara janë të ndryshme. Për eksportin e frutave dhe perimeve të freskëta blerësit kryesisht kërkojnë standardin Global G.A.P. Standardi Global G.A.P është standard i njohur ndërkombëtarisht për prodhime bujqësore të fermës. 

Fruta-perime (Foto agroweb)

“Përsa i përket certifikimeve sot bota e certifikimeve është shumë e gjerë. Certifikimi i produkteve bujqësore po pajisjet me label të ndryshëm, por një ndër certifikimet e para të cilat ka patur një histori dhe me të hershme në histori është Rregullorja Organike, një rregullore e hartuar nga BE për eksportet në vendet e BE-së. Unë këtu kam paraqitur shumë shkurtimisht disa të dhëna sasiore në lidhje me sipërfaqen e produkteve, por në fakt theksin doja ta vija dhe tek të dhënat cilësore përtej shifrave që ne shikojmë. Kemi mbi 1200 hektarë të certifikuar për Rregulloren Organike dhe mbi 70 operatorë eksportues të certifikuar sipas kësaj rregulloreje për eksport në vendet e Bashkimit Europian. Me shumë vlerë është që koncepti i prodhuesve dhe i eksportuesve shqiptarë ka ndryshuar në dy dimensione. E para po shikojmë gjithnjë e më shumë eksportues vizionarë, të cilët nuk e duan certifikimin thjesht për aksesin në tregje, por e duan për të gjithë benefitet që ai certifikim u siguron në kompani. Pra, për një metodë prodhimi të ndryshuar, për një menaxhim më të mirë, për një kontroll cilësie më të mirë dhe kjo është për t’u përshëndetur kundrejt prodhuesve dhe eksportuesve shqiptarë” – shprehet Irjana Gjana  nga  Bio.Inspecta.

Shpesh janë edhe vetë kompanitë eksportuese që negociojnë direkt me blerësit.

“Pjesa tjetër që doja të theksoja është që shpesh herë në jemi trupë certifikuese dhe sigurisht që jemi në fokus dhe në gjurmim të standardeve të ndryshme të certifikimit për t’i ofruar në treg. Por jo në pak raste janë vetë eksportuesit të cilët në kontakt me një blerës iniciojnë kërkesa specifike për standarde të reja, të cilat duan që t’i kenë në portofolin e tyre të certifikimeve dhe të kompanisë. Pra, ne shpeshherë jemi në diskutime me eksportues të ndryshëm, në lidhje me një rregullore të re që një blerës u ka kërkuar, në lidhje me një modul shtesë që kontrata me të cilën ata janë në diskutime ua ka kërkuar si benefit për të patur një çmim premium e kështu me rradhë. Rregullore të tjera që lidhen me eksporte specifike janë rregulloret organike që kanë të bëjnë me eksportet në Zvicër që është rregullorja Bio Swiss për të cilën kemi rreth 5 operatorë të certifikuar në Shqipëri në rang kombëtar, si dhe rregullorja për eksport në SHBA, që është rregullorja 9.”- thekson Gjana  nga  Bio.Inspecta.

Irjana Gjana (Foto personale)