16 ditë e aktivizimit kundër dhunës ndaj gruas
2022-12-06 11:18:02

Dhuna ndaj grave dhe vajzave është krim dhe shkelje themelore e të drejtave të njeriut. Dhuna në familje mbetet ende një fenomen shqetësues i shoqërisë shqiptare. Ndaj saj kërkohet reagim ligjor, institucional por edhe shoqëror. Legjislacioni shqiptar e parashikon qartë mënyrën e reagimit ndaj këtij fenomeni shqetësues. Për Grupin Mediatik të Kinës Marsi Dhimitri, eksperte për çështjet sociale tregon se çfarë sjellin këto ditë në vendin tonë.

Foto:VCG

Foto:VCG

“16 Ditët e Aktivizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore është një fushatë vjetore që fillon më 25 Nëntor, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe vazhdon deri në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut më 10 Dhjetor. Kjo ditë përkon me vrasjen e tre motrave Mirabal, të cilat u ekzekutuan mizorisht në 1960 në Republikën Domenikane. E udhëhequr nga shoqëria civile, fushata mbështetet nga Kombet e Bashkuara përmes iniciativës UNiTE të Sekretarit të Përgjithshëm deri në vitin 2030 për t'i dhënë fund dhunës ndaj grave. Këtë vit, OKB-ja shënon 16 Ditët me temën “BASHKOHUNI! Aktivizohu për t'i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave”, tha Dhimitri

Çfarë tregojnë shifrat për Shqipërinë krahasuar me botën?

“Kemi një shkallëzim të dhunës me bazë gjinore e ndikuar nga faktorë socialë, ekonomikë dhe situatat konfliktuale brenda një shteti. Këtë vit janë më shumë se 4000 raste të denoncimit të dhunës në strukturat e shtetit. Me shumë se 2400 urdhra të menjëhershëm mbrojtje, 6 gra te vrara në Shqipëri deri më 25 Nëntor 2022. Janë 34 shërbime të specializuara, të organizuara në strehëza, linja këshillimi, shërbime të tjera për dhunën me bazë gjinore, dhunën në familje por edhe dhunën seksuale. Në buxhetin e vitit 2023 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, rritet me 30% financimi i Fondit Social për të zgjeruar bazën e shërbimeve sociale dhe shërbimeve mbështetëse dhe të specializuara. Sot në botë më shumë se 1 në 3 gra përjetojnë dhunë me bazë gjinore gjatë jetës së tyre. Në vitin 2021, gati 1 në 5 gra të moshës 20-24 vjeç ishin martuar para se të mbushnin 18 vjeç. Më pak se 40 për qind e grave që përjetojnë dhunë kërkojnë ndihmë të çdo lloji.”, theksoi ekspertja

Foto:VCG

Foto:VCG

Ka disa faktorë që shkaktojnë dhunën me bazë gjinore, por cilët janë?

“Dhuna me bazë gjinore është shkelje e integritetit fizik dhe psikologjik të njeriut, por duhet pranuar se është një krim që raportohet pak. Në kontekstin shqiptar dhuna me bazë gjinore nuk është një fenomen i ri.  Ndikojnë faktorët kulturorë, ligjorë, ekonomikë dhe  politikë. Disa nga zakonet e hershme, zakonet hierarkale tregojnë se dhuna me bazë gjinore i ka rrënjët e thella në shoqërinë tonë. Gjithashtu ndikon mungesa e informacionit mbi të drejtat e njeriut apo mbrojtjes ligjore.”, nënvizoi Dhimitri.

Barazia gjinore kërkon që gratë dhe burrat të kenë liri të barabartë për të bërë zgjedhje për jetën që duan si dhe  të jetojnë të papenguar nga stereotipet, rolet dhe paragjykimet gjinore dhe që të drejtat, përgjegjësitë dhe mundësitë e tyre si qytetarë të mos përcaktohen nga fakti nëse janë të lindur mashkull apo femër.

“Dhuna me bazë gjinore përshkruhet si dhuna drejtuar një personi për shkak të gjinisë, duke përfshirë veprime që sjellin dëmtim psikologjik apo fizik tek personi. Dhuna ndodh kudo por shoqëritë që kanë një koncept të ngushtë mbi rolet gjinore mund të jenë më të riskuara. Ky fenomen që sjell pasoja afatgjata mund  haset kudo në shoqëri. Disa nga format janë selljet kontrolluese, dhuna fizike, psikologjike, seksual, praktikat kontrolluese etj. Dhuna ma bazë gjinore mund të ketë pasoja afatgjata dhe të rrezikshme mbi jetën e individëve, këto pasoja variojnë që nga shkaktimi i paaftësisë deri në një larmi problemesh psikosociale, të cilët e ekspozojnë atë më tej ndaj dhunës dhe abuzimit.”, tha ajo.

Foto:VCG

Foto:VCG

Barazia gjinore parandalon dhunën ndaj grave dhe vajzave dhe është thelbësore për prosperitetin ekonomik. Shoqëritë që vlerësojnë gratë dhe burrat si të barabartë janë më të sigurta dhe më të shëndetshme. Barazia gjinore është një e drejtë e njeriut.