“Katar 2022” stimulon konsumin e tifozëve në Kinë
2022-12-06 17:17:17

VCG

VCG

Tani në hemisferën veriore është dimër, por në Kinë ky dimër nuk është vetëm i ftohtë, por edhe “i nxehtë”, se njerëzit po konsumojnë shumë, duke “ngrohur” ekonominë e vendit.

 

Tani po zhvillohet në Katar Kupa e Botës në futboll për vitin 2022. Përveç mallrave kineze dhe partnerëve komercialë nga Kina, edhe tifozët kinezë kanë treguar pasion të madh për “Katar 2022”, duke stimuluar konsumin e vendit. Edhe pse botërori zhvillohet në dimër, ftohtësia dhe diferenca e orës nuk mund të ndalin zemrat e futbolldashësve, të cilat e kanë çuar ngrohtësinë e tyre edhe në fushën e konsumit në Kinë.

 

VCG

VCG

Të ardhurat nga transmetimet mediatike

 

Në Kinë, numri i dashamirësve të futbollit është afro 200 milionë, 30 milionë ndër të cilët i ndjekin ndeshjet e futbollit në mënyrë të rregullt dhe afro 14 milionë janë të gatshëm të paguajnë për shikimin e ndeshjeve në TV, kompjuter ose celular.

 

Të dhënat tregojnë që, qoftë për sa u përket kampionateve kryesore europiane ose Superligës Kineze, apo veprimtarive ndërkombëtare futbollistike dhe Kupës së Botës, tifozët kinezë janë pjesëmarrës aktivë, duke bërë pagesa të mjaftueshme për ndjekjen e ndeshjeve.

 

Ndër veprimtaritë e shumta futbollistike, Kupa e Botës është më e ndjekura nga adhuruesit kinezë të futbollit.

 

Në vitin 2018, “Youku” për herë të parë mori të drejtën e transmetimit për botërorin në Rusi dhe disa ndeshje mund të shiheshin vetëm nga klientët e abonuar. Në ditën e hapjes së “Rusi 2018”, numri i përdoruesve në “Youku” shënoi rritje me afro 160 % dhe numri i shikuesve të transmetimeve të drejtpërdrejta të botërorit arriti mbi 12 milionë, duke vendosur rekord të ri në këtë platformë interneti. Nëse një abonent paguante 15 juanë në muaj, atëherë vetëm abonentët do të kishin sjellë mbi 100 milionë juanë për platformën “Youku”.

 

Ndërsa për “Katar 2022”, platformat e videove të gjata janë zëvendësuar nga ato të videove të shkurtra, posaçërisht “TikTok”, që ka marrë autorizimin nga Grupi Mediatik i Kinës për transmetimin e ndeshjeve. Ky pa dyshim është një konsum i dukshëm gjatë Kupës së Botës.

 

VCG

VCG

Konsum i ri nga ndjekjet e ndeshjeve

 

“Rezervimi i hoteleve për ndeshjet” është një koncept i ri konsumi dhe tani në Kinë ky lloj konsumi është në rritje të dukshme.

 

Kohët e fundit, numri i rezervimeve për hotel me video dhe ekran të madh shënoi rritje të dukshme dhe çmimi është rritur mjaft. Numri i rezervimeve u shtua 2.5 herë dhe vëllimi i konsumit është afro tre herë më shumë se në ditët e zakonshme.

 

“Duam të shikojmë ndeshjet, por natën kemi merak se mos zhurma shqetëson familjen, prandaj kërkojmë një hotel afër shtëpisë dhe tani jemi të lirë për të ndjekur ndeshjet,” thotë z. Zhang, i cili ka rezervuar hotel për disa ditë gjatë “Katar 2022”.

 

Sipas të dhënave të platformave turistike “Ctrip”, LY, FLIGGY dhe “Qunar”, vetëm në natën e 20 nëntorit, numri i “rezervimeve të hoteleve për ndeshjet” ishte mbi 30 herë më shumë se një muaj më parë.

 

Shangai, Changsha, Wuhan, Xian dhe Hangzhou janë qytetet kryesore të “rezervimit të hoteleve për ndeshjet”. Ndër to, në Wuhan, Changsha dhe Shangai janë kryesisht tifozë meshkuj, ndërsa në Shangai, Hangzhou dhe Shenzhen ka më shumë tifoze femra.

 

VCG

VCG

Konsumi i pijeve dhe ushqimeve

 

Për ndjekjen e futbollit, pijet dhe ushqimet janë konsum tradicional dhe këtë herë për “Katar 2022”, këto lloje konsumi vazhdojnë të shënojnë një rritje të dukshme.

 

Vetëm në tre ditët e para pas hapjes së botërorit, sipas platformës ELEME.com, numri i porosive natën për pije alkoolike u rrit me afro 50 %, kurse për fruta e ushqime të vogla mbi 30 %.

 

Sipas “Dianping.com”, tre javë para “Katar 2022”, tifozët kishin filluar rezervimet për restorante që kanë ekrane të mëdha për ndeshjet, ndërsa kërkimet për “restorant, botëror” dhe “restorant për ndjekje ndeshjesh” kanë shënuar rritje me 556 %.

 

Ndërsa të dhënat e ELEME.com tregojnë që në Shangai konsumi i pijeve u rrit 50 % dhe porositë për mish të pjekur dhe kafe u ngritën me mbi 40 %. Përveç Shangait, edhe në Guangzhou, Chengdu, Chongqing e Nankin konsumi i pijeve shënoi rritje me rreth 35 %.

(Jiang Lei)