Drita Haxhillar (Burimi foto personale)
Të gjithë mund të kenë momente në jetë që u është dashur të reflektojnë për jetën dhe arritjet e tyre. Çfarë është më e bukur ? Janë njerëzit, ata që ulen përballë një pasqyre dhe shohin veten përballë ndërgjegjes. Të njëjtën gjë bëri edhe Drita Haxhillari, një poete e re, pena e së cilës do të vazhdojë të rritet .
Mes shumë sfidash dhe përpjekjesh për jetën e saj sot atë e shohim tepër vitale. Drita është diagnostikuar me tumor por kjo nuk e ka ndaluar dhe nuk e ndalon aspak ta dojë jetën dhe të punojë shumë fort. Ajo për Grupin Mediatik të Kinës rrëfen sfidat e jetës.
CMG: Drita përballë një pasqyre… kush je ti ?
Drita Haxhillari: Përballë një pasqyre unë jam Drita, që lëshon dritë në shpirtin e kujtdo. Thënë troç: Jam vetvetja .
Drita Haxhillari libri i saj (Burimi foto personale).jpg
CMG: A jeni e lumtur?
Drita Haxhillari: Pooo dhe e them me të madhe sa Toka dhe Qielli. Jam e lumtur se Zoti më ka sjellë në jetë si krijesë ëngjëllore, më ka dhënë mundësinë të frymoj dhe jam me këmbë mbi tokë në sajë të mrekullive që bën i madhi Zot.
CMG: Në çfarë sfidash të ka kaluar jeta ?
Drita Haxhillari: Jeta për mua ka qenë me kthesa, me mistere dhe një oaz plot surpriza jo të këndshme. Jetë me malore, me sfida, por i'a kam dale se kam Zotin para, kam familjen aq të dashur, miq dhe shoqëri të mrekullueshme. Mbi gjithçka kam forcën dhe kurajon time,që më buron si ujëvarë.
Drita Haxhillari (Burimi foto personale)
CMG: Je natyrë ëndërrimtare?
Drita Haxhillari: Ëndrrat për mua janë oksigjen jete dhe jam produkt i ëndrrave që me shpirtin tim të lire më janë bërë realitet. Notoj në kopshtin e ëndrrave të mia të bukura.
CMG: Ju shkruani, por kujt i shkruani më tepër?
Drita Haxhillari:Unë shkruaj dhe pema e shpirtit tim do të shkruajë dhe në botën e përtejme,se shpirti kurrë nuk vdes.
I shkuaj realitetit që po e prek çdo ditë...Botës së brendshme të çdokujt, që po e provoj nën lëkurë në përditshmërinë e një trysnie hallesh që rëndojnë thuajse tek çdo njeri pak apo shumë, kalvar jo i lehtë për të mbijetuar.
I shkruaj çdo krijese, për katër putroshët që na falin dashuri pa kushte, për lulet që na zbukurojnë dhe na mbushin shpirtin me aromën e tyre, për zogjtë që na trokasin lehtë në dritaren e zemrës me melodinë e tyre të ëmbël, për fusha, male e vargmale që i shtojnë hijeshinë tokës mëmë, për të rinjtë dhe botën e tyre plot ngjyra,për moshën e thyer dhe fisnikërinë e tyre etj. Por dhe për njeriun, që më jep motiv dhe inspirim për jetën, bashkëshortin tim të mrekullueshëm.
CMG: Cilat janë fjalët që i thua më shpesh në përditshmëri?
Drita Haxhillari: Fjalët që unë them më shpesh në jetë janë :
Mrekullitë ekzistojnë !
Mëngjeset e mia janë Diell !
Më këndon shpirti në vargje !
Dua të vallëzoj me yjet !
E dua jetën, lërmëni të jetoj !
CMG: Çfarë të lumturon më tepër në jetë ?
Drita Haxhillari: Më tepër më lumturon buzëqeshja që më dhuron bashkëshorti im në zgjimin e mëngjesit, teksa më sjell pranë një çaj të ngrohtë si ngrohje të shpirtit tim.
CMG: Drita, çfarë mendon për kohën e cila kalon shumë shpejt?
Drita Haxhillari: Kur shoh kohën që kalon...mendoj...koha na i rrëmbeu ditët apo ne u rrëmbyem pas kohës !?
Dilemë që vështirë t'i japësh zgjidhje, sepse si e djeshmja që ikën dhe e sotmja janë formulë abstrakte, ku ne mund të bëjmë llogaritje në kronometër, por koha të sjell të papritura dhe të përnbys sistemin aritmetik. Mendoj rilindje dhe jo regres.
CMG: Kush janë njerëzit që ndër vite të kanë qëndruar më pranë ?
Drita Haxhillari: Familja ime e dashur. Bashkëshorti im i shtrenjtë. Miqësia ime e respektuar. Dua t’u them se ju kam esencë lulesh në bahçe të shpirtit tim. Ju vlerësoj në versionin tuaj bio, ju dua aq sa dua vetveten, ju dhuroj botën e ngjyrave të mirësisë sime
CMG: Si të gjen rutina jote e ditës ?
Drita Haxhillari: Zgjimi im në muzikë relaks... Hap dritaren e dhomës që të depërtojnë rrezet e diellit. Vrapi i mëngjesit në unazën e gjelbërt të qytetit tim të bukur Poliçanit. Gatimi i një mëngjesi të ngrohtë dhe kafja e mëngjesit me bashkëshortin tim, në buzëqeshje. Punët e përditshme si zonjë shtëpie. Ulem në tavolinën time të punës dhe vargëzoj...ç'të më vijë në mëndje, muzë e lirë. Një kafe a shëtitje me shoqet e mia pasdite dhe mbrëmjet e mia në lexim të librave nga poetë, shkrimtarë dhe studiues. Primare kam këngë të kohës në sfond nga kompjuteri mbi tavolinë.
CMG: Çfarë është për ty gruaja ?
Drita Haxhillari: Gruaja për mua është bota e brishtësisë është riprodhim filizash, është forca, dashuria dhe përjetësia.
CMG: Nëse jeta juaj do ishte film, si do ta quaje?
Drita Haxhillari: Nëse jeta ime do ishte film do ta quaja “Poezi që sfidon betejat e jetës”
CMG: Si lindi libri juaj me poezi ?
Drita Haxhillari: Libri im me poezi lindi si një lule që u vyshk dikur nga shkretëtira e vetmisë së ftohtë dhe çeli përsëri në kopshtin e pranverës së mrekullive të Zotit.
Ideja apo nxitja për të botuar librin tim të parë me poezi është Kushtrim Azemi, një djal inteligjent, me vizion dhe mjaft punëtor, dizenjator në studio Trimi në Lipjan Kosovë. Ai më dha idenë e titullit të librit, më dizenjoi kopertinën e librit, më qëndroi pranë në çdo hap deri në finalizim të librit. Ai është impakt pozitiv dhe vazhdimësi në rrugëtimin tim të fjalës së shkruar, gur themeli në suksesin e librit tim të parë dhe dritë jeshile për librat në proçes botimi.
CMG: A keni ju një arsye përse shkruani ?
Drita Haxhillari: Përse unë shkruaj është se shpirti im ushqehet në art dhe pena e shpirtit tim ngjyhet në shpresë për të jetuar botën time si dua unë dhe jo si duan të tjerët. Shkruaj se arti është kulturë dhe busull jete.
CMG: A mund të na tregoni një shkrimtar, të cilin e keni të preferuar?
Drita Haxhillari: Po, kam një shkrimtart të preferuar dhe ai është i madhi Ismail Kadare. Në raftin e librave të mi mjeshtri ynë më vështron përmes librave të tij të larmishëm, çiltër dhe në intuitë nxitëse për të vargëzuar me shpirt të lirë.
Miqësia më njohim si poete "rrebele" dhe madje më thonë shpesh : Hë,ç'do na ofrosh sot nga "rrebelizmi" yt ( me të qeshur ) dhe unë u përgjigjem po me të qeshur : Ç'të më dalë para, do e mar para si uragan, do e përpunoj në fabrikën e "impulsit" tim dhe do ua servir ju miq, si poezi trendi për të zgjuar ndërgjegjen e fjetur të kupolës së padrejtësive.
CMG: Cilat janë disa nga poezitë e tua me të bukura ?
Drita Haxhillari: Poezitë e mia janë të thjeshta dhe vlerësimin e tyre e bën lexuesi im artdashës, por unë mund të veçoj tre poezi konçize me domethënie të thellë :
“Zgjatma dorën, “Unë jam” dhe “Përqafoje jetën”