Pekini dënon raportin e ShBA-së që përbalt zhvillimin ushtarak të Kinës
2022-12-06 20:02:04

Foto: VCG

Kina u ka paraqitur demarsh serioz Shteteve të Bashkuara pasi Pentagoni publikoi kohët e fundit raportin "Fuqia ushtarake kineze 2022", i cili trumbeton të ashtuquajturin “kërcënim ushtarak të Kinës," tha të martën zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, kolonel i lartë Tan Kefei.

Sipas tij, raporti shtrembëron politikën kombëtare të mbrojtjes dhe strategjinë ushtarake të Kinës, bën spekulime pa bazë rreth zhvillimit ushtarak të Kinës dhe ndërhyn rëndë në punët e brendshme të Kinës lidhur me çështjen e Tajvanit.

Tan theksoi se Kina është e përkushtuar me vendosmëri në rrugën e zhvillimit paqësor, mbështet një politikë kombëtare ushtarake me natyrë mbrojtëse dhe është gjithmonë ndërtuese e paqes botërore, kontribuuese në zhvillimin botëror dhe mbrojtëse e rendit ndërkombëtar.

Zhvillimi ushtarak i Kinës synon të mbrojë sovranitetin, interesat e sigurisë dhe zhvillimin e saj, tha Tan. "Pavarësisht se sa mund të zhvillohet, Kina nuk do të kërkojë kurrë hegjemoni e nuk do të angazhohet kurrë në ekspansion," vuri në dukje ai.

Duke synuar interesat e vet, ShBA-ja ka krijuar ndarje e kundërvënie në të tërë botën, tha zëdhënësi, duke shtuar se kjo përsëri provon se ShBA-ja është ngatërrestarja më e madhe dhe minuese e paqes dhe e qëndrueshmërisë botërore.

Tan tha se Tajvani është i Kinës dhe çështja e Tajvanit është punë e brendshme e Kinës që nuk lejon ndërhyrje të huaj.

Duke vënë në dukje se pala amerikane vazhdon "ta përdorë Tajvanin për të përmbajtur Kinën," Tan tha se forcat e armatosura kineze kanë besimin dhe aftësinë për të penguar çdo ndërhyrje të huaj e përpjekjet separatiste për "pavarësinë e Tajvanit" dhe për të arritur ribashkimin e plotë të atdheut.

Tan kritikoi gjithashtu raportin e ShBA-së mbi forcat bërthamore të Kinës.

Kina ndjek me vendosmëri një strategji bërthamore vetëmbrojtjeje, respekton politikën e mospërdorimit e para të armëve bërthamore në çfarëdo kohe e rrethane dhe i mban kapacitetet e veta bërthamore në nivelin minimal të kërkuar për sigurinë kombëtare, tha zëdhënësi.

Megjithatë, ShBA-ja po përshpejton ndërtimin e forcës bërthamore "Triniteti", duke zhvilluar e duke synuar dislokimin e armëve bërthamore taktike dhe duke ulur pragun për përdorimin e armëve bërthamore, vërejti zëdhënësi.

Duke përmendur partneritetin trepalësh të sigurisë ndërmjet ShBA-së, Britanisë së Madhe dhe Australisë, Tan theksoi se ShBA-ja është bërë gjithnjë e më shumë burim i konflikteve bërthamore.

"Ne i kërkojmë palës amerikane të braktisë mendësinë e Luftës së Ftohtë, të ndalojë paragjykimet e stereotipet rreth Kinës, të ndreqë perceptimin e gabuar të Kinës, t’i shohë zhvillimin e mbrojtjes kombëtare dhe të forcave të armatosura të Kinës në mënyrë të arsyeshme, të ndalojë komentet e gabuara dhe publikimin e raporteve përkatëse dhe të ndërmarrë veprime konkrete për t’i kthyer marrëdhëniet dypalëshe dhe ato ushtarake në rrugën e zhvillimit të shëndetshëm e të qëndrueshëm," u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Kinës Tan Kefei.