Prezantohet “Ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat”
2022-12-06 14:33:17

Delina Imbrahimaj (Burimi ministria.gov)

Delina Imbrahimaj (Burimi ministria.gov)

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, projektligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”. Në fjalën e saj, ministrja theksoi se hartimi i një ligji të ri për tatimin mbi të ardhurat ka lindur si nevojë për qasje të re në taksimin e individëve dhe të ardhurave të tyre nga burime të ndryshme, për shkak se ligji aktual daton që në vitin 1998 dhe amendimet e ndryshme që i janë bërë në vite nuk adresojnë risitë e reja që kanë lindur në fushën e taksimit të të ardhurave personale dhe fitimit korporativ.

Ministrja bëri me dije se projektligji është hartuar edhe me asistencën teknike të FMN dhe sjell një risi në legjislacionin tatimor shqiptar, duke synuar neutralitetin e tatimit, rritjen e transparencës dhe aplikimin e një sistemi sa më të drejtë tatimor, si dhe përafriminin gradual të sistemit të tatimit të të ardhurave në Shqipëri me direktivat e Bashkimit Europian.

Komisioni (Burimi ministria e financave)

Komisioni (Burimi ministria e financave)

Një prej risive të projektligjit është përcaktimi i taksimit të të ardhurave në dy kategori: taksimi i individëve dhe personave fizikë tregtarë me tatim mbi të ardhurat personale dhe taksimi i entiteteve juridike me tatim mbi fitimin korporativ.

Po ashtu, ai kategorizon 3 grupet e të ardhurave personale të cilat realizohen nga individët dhe personat fizikë tregtarë dhe të cilat i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat personale: të ardhurat nga punësimi; të ardhurat nga biznesi; dhe të ardhurat nga kapitali pasiv.

Lidhur me tatimin e individëve dhe bizneseve të vogla persona fizikë në fushën e prodhimit, tregtisë, transportit dhe shërbimeve, Ministrja sqaroi se projektligji propozon ruajtjen e skemës ekzistuese të tatimit me tarifë 0 % kryesisht të biznesit të vogël familjar, ku personat fizikë dhe personat juridikë me qarkullim deri në 14 milionë lekë do të paguajnë 0% tatim mbi të ardhurat nga biznesi dhe mbi të ardhurat e korporatës deri në vitin 2029.

“Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” përbën një komponent shumë të rëndësishëm të paketës së legjislacionit tatimor shqiptar.

Ky projektligj paraqitet përpara Kuvendit nga Këshilli i Ministrave, sipas procedurës ligjore, për miratim në kuadër të Paketës Fiskale të vitit të kaluar, që do të fillojë në vitin 2023, pasi është konsultuar me grupet e interesit, si dhe duke konsideruar afrimin gradual të sistemit të tatimit të të ardhurave të Shqipërisë me parimet e direktivave të Bashkimit Europian.

Prezantimi i projektligjit (Burimi ministria.gov.al)

Prezantimi i projektligjit (Burimi ministria.gov.al)

Projektligji parashikon disa zbritje të tjera: zbritje 48 mijë lekë nga baza e tatimit të punëmarrësit për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç; zbritje 100 mijë lekë për arsimin e çdo fëmijëve në ngarkim të  tij, të cilat do të deklarohen në deklaratën individuale të të ardhurave çdo vit, për vitin paraardhës, me qëllim që të njihen këto si shpenzime.

Projektligji në mënyrë të balancuar përcakton se:

Tatimi i individëve tregtarë dhe të vetëpunësuar, pra me normën 15 % mbi fitimin neto kur fitimi neto është deri 14 milionë lekë në vit; me normën 23 % të fitimit neto, vetëm për pjesën e fitimit mbi 14 milionë lekë në vit. Sistemi i propozuar i tatimit të personave fizikë, tregtarë dhe të vetëpunësuar synon: të trajtojë në mënyrë të barabartë dhe të ndershme të gjithë tatimpaguesit, pavarësisht formës juridike të tyre; të dekurajojë shmangien e tatimit nëpërmjet kalimit nga marrëdhëniet e punësimit, në marrëdhëniet e biznesit si i vetëpunësuar. Të ardhurat nga punësimi taksohen sipas skemës aktuale progresive të taksimit  0 %,  13 % dhe  23 %, me diferencën që është hequr tarifa 0 pasi skema e ligjit ka parashikuar zbritjen nga baza e tatimit duke ruajtur të njëjtin rezultat sikurse kemi në sistemin aktual por parashikohet që kategoria me të ardhura nga punësimi nga 40 deri në 50 mijë lekë të mos paguajë tatim.”

Tatimi mbi të ardhurat (Burimi tatimet.gov.al)

Tatimi mbi të ardhurat (Burimi tatimet.gov.al)

Projektligji propozon futjen në skemën e tatimit nga 1 janari 2023 të bizneseve furnizues të shërbimeve kryesisht profesionale, duke adresuar në këtë mënyrë fenomenin e identifikuar në lidhje me ofrimin e shërbimeve, kryesisht në profesione të lira, fenomen i cili ka eroduar bazën e listëpagesave dhe ka krijuar pakënaqësi në radhët e të punësuarve me paga të mesme dhe të larta, në lidhje me politikat e tatimit që zbatohen për profesionet e lira, apo furnizuesit e shërbimeve në përgjithësi.