Plani Kombëtar i Pastrimit, ministrja Kumbaro: Janë hequr 126 mijë tonë mbetje
2022-12-05 11:19:18

Foto Facebook Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

 Plani Kombëtar i Pastrimit ka dhënë rezultate të prekshme në të gjithë vendin, ku për 1 vit nga nëntori 2021 deri në nëntor 2022 janë hequr mbi 126 mijë tonë mbetje nga territori.

Rezultatet u bënë publike nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro. Ajo tha se ky plan jo vetëm bën detyrën funksionale të pastrimit të territorit, por edhe shërben si formë edukimi për të kuptuar se çfarë njerëzit i bëjnë natyrës me papërgjegjshmërinë e tyre, shkruan “RTSH”.

Plani Kombëtar i Pastrimit është shtrirë në të 12 qarqet e vendit, ku janë angazhuar mbi 58 mijë persona dhe 1422 mjete për pastrimin e 1891 pikave të synuara.

Ky plan ka gjetur mbështetjen jo vetëm në autoriteteve si prefektëve, forcave të ushtrisë, bashkive përkatëse, institucioneve lokale, por edhe komunitetit dhe nxënësve në mënyrë vullnetare.

Ministrja Kumbaro tha se Plani Kombëtar i Pastrimit do të vijojë edhe gjatë vitit 2023. (Fatosi)