“Gegë e toskë” i publicistit Mustafa Nano, një libër për të treguar historinë dhe njohur veten
2022-12-05 14:39:39

Foto personale

Gege e Toske - foto Mustafa Nano facebook

Libri “Gegë e toskë” i publicistit Mustafa Nano, i prezantuar në Panairin e 25 të Librit gjatë muajit nëntor në Tiranë, e ka gjetur rrugën e  tij për te lexuesi.

Pas romanit “Një javë në Manastir”, shkrimtari dhe publicisti Mustafa Nano vjen me “Gegë e Toskë”, një ripunim i thelluar i librit të  shumëdiskutuar “Unë jam Gegë”, në rrekjen për të sintetizuar një profil identitar të shqiptarëve të Jugut dhe të Veriut. Me skrupulozitetin e studiuesit dhe rrjedhshmërinë e rrëfimit të gazetarit, autori Nano tërheq edhe një herë vëmendjen për një ndalesë të kujdesshme e të ftohtë në ‘veten’ tonë si strukturë njerëzore e historike në rrjedhën e kohës.

Të provokuar ndoshta nga titulli, por edhe nga argumenti i zgjedhur nga autori, për të hapur një diskutim mbi një temë të konsideruar në heshtje si tabu, libri është bërë shumë i kërkuar nga lexuesit.

“Unë të them të drejtën nuk bëj pjesë tek ata autorë që mezi e presin panairin për të qendruar tek stenda, për të komunikuar me lexuesin. Unë do të doja shumë që libri të komunikonte vetë me lexuesin, jo autori”, shprehet publicisti Mustafa Nano.  

“Libri sidoqoftë është duke ecur mirë, i tërheq tema “Gegë dhe toskë”. Për shumë njerëz kjo ka qenë një temë tabu, jo vetëm për njerëz të zakonshëm por edhe për skolarë, për studiues. Sidomos deri në vitet ’90, termat “gegë” dhe “toskë” në librat e historisë nuk gjendeshin dhe kjo është një nga gjërat që mua më ka nxitur për t’u fokusuar te kjo temë”.

Mustafa Nano, pranon se një ndër gjërat që i pëlqen është guximi për të shkruar për tema për të cilat nuk është folur kurrë hapur, si dhe guximi për t’i shkuar gjërave deri në fund. Kështu, nëse vite më parë, libri  tij me titull “Unë jam gegë”, tërhoqi vëmendje maksimale dhe u shoqërua nga polemika të forta, kësaj here Nano e rimerr temën dhe e trajton gjërësisht në suazën e një studimi të mirëfilltë dhe provikimi bëhet akoma më i madh.

Sipas Nanos, libri i ri nuk ka pse të shihet, as me frikë dhe, as me sy skeptik. Është një libër për njerëzit mendjehapur, të cilët duhet ta njohin mirë historinë e tyre. Duke njohur dhe pranuar veten, mund të njohim dhe të pranojmë edhe të tjerët, të ndryshmit tanë. Libri i publicistit Mustafa Nano, u flet shqiptarëve për historinë e vendit të tyre. Në libër autori nuk synon të theksojë diferencat, por bën histori, duke treguar se dallimet kanë ekzistuar, por se gegët e toskët janë pjesë përbërëse e një të tëre, që është Shqipëria, prandaj kanë rolin e tyre të pakontestueshëm. 

Publicisti Mustafa Nano - Foto Tirana news

Publicisti Mustafa Nano - Foto Tirana news

Për të shkruar librin “Gegë dhe toskë”, autori siç e dëshmon ai vetë në media, ka shfletuar mbi 300 referenca vendase e të huaja për shqiptarët, çka e bën këtë tekst të ketë një natyrë tejet studimore. Ai fillimisht përpiqet të tregojë për shqiptarët, nisur nga të huajt. Nano na kujton se ishin europianët, të parët që shkelën në Ballkan, meqë Perandoria Osmane po tërhiqej, ndaj europianët erdhën për të parë popujt autoktonë të Ballkanit, e sidomos ishin të interesuar për grekët, si pasardhës të grekëve të antikitetit. “Por përpara se të njihnin grekët, njohën shqiptarët dhe Ali Pashë Tepelenën”, thotë autori i librit”.

“Ali Pasha një personazh karizmatik, një udhëheqës mizor, por edhe i talentuar, një diplomat i shkëlqyer, që dinte të lexonte konjuktura politike dhe dinte që mbi këto konjuktura, të ngrinte avenirin, ose karrierën e tij politike. Këta të huaj njohën edhe sojin e shqiptarëve që binin në sy në çdo pikëpamje. Ishin një soj i veçantë: visheshin ndryshe, me fustanella, dhe kështu europiantë zbuluan fillimisht sojin e toskëve, me veshjet, me zakonet e tyre, me indiferencën ndaj fesë…Me disa tipare ideosinkratike (karakterizuese), që nuk i gjenin në vendet e tjera”, shprehet Nano.

Duke kaluar, sa në njërën krahinë, në tjetrën dhe duke u ndalur në periudha të caktuara dhe njerëz të shquar të historisë, gjithmonë duke gërmuar nëpër arkiva, autori arrin të evidentojë disa dallime mes gegëve dhe toskëve. “Gegët janë qejflinj të armëve, ndërsa toskët të parave; gegët dinë të bëjnë luftë; toskët propagandë; gegët janë trima, toskët mendjehapur”, shkruan ndër të tjera Nano në librin e tij, por shton se pavarësisht dallimeve, “janë dy pjesë përbërëse të një kombi, që është kombi shqiptar”.

Duke thelluar më tej analizën e tij, ai nënvizon se fakti që janë dy pjesë përbërëse, të sjell ndërmend asociacionin e ndarjes. Por se kjo gjë nuk duhet të shqetësojë njeri, se ndarje të tilla ekzistojnë kudo në Evropë. Të gjitha kombet e botës përbëhen nga pjesë të caktuara, nuk ka kombe që të jenë unitare 100 për qind, por në të njëjtën kohë krahas ndarjes është vënë re dhe një lloj bashkëpunimi gegë dhe toskë që gjithnjë e më shumë rritet. Nëse ndarja dikur ka qenë më e madhe, sot dallimet ekzistojnë në përmasa të vogla dhe aspak shqetësuese.

Me një gjykim që synon të jetë sa më i paanshëm, në librin “Toskë dhe gegë” autori ia ka dalë që të na japë në libër studimor me vlera njohëse, me prurje e kundrime të mbështetura historikisht dhe me referenca e shënime jashtë tekstit, që dëshmojnë për një punë të madhe hulumtuese e kërkuese, gjë që e bën librin të ketë një vend të mirë në shkrimet e këtij lloji. Ky libër që trajton probleme që nga gjuha, historia, feja, lëvizjet demografike, martesat mes krahinave, etj, do të jetë një bazë e madhe mbështetëse për studiues të fushave të ndryshme. 

Libri është publikuar nga Shtëpia Botuese UET dhe gjendet në çdo librari.

Neritana Kraja