Duli Caja ka lindur në Tiranë dhe prej vitit 1991 jeton në Romë, Itali. Ai ka botuar librin e tij të parë me poezi në shqip dhe italisht dhe së fundi ka sjellë për lexuesit dy librat e tij “Argjila” dhe “Triumfal i kalbur” të prezantuar në Panairin e Librit në Tiranë. Nga shumë vepra të të vlerësuara të artistit është “Eksodi”, realizuar me 18.000 kopsa, aq sa shqiptarë ishin në anijen “Vlora” në eksodin e vitit 1991. Kjo vepër sot ndodhet në Bashkinë e Barit, Itali. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për jetën e tij në Romë, botimet dhe veprat artisike që ka krijuar si dhe lidhjet me vendlindjen.
CMG: Jeni larguar nga Shqipëria para 30 viteve dhe aktualisht jetoni në Romë. Si ishte largimi nga vendlindja, nëse ju kujtohen ato momente?
Duli Caja: Mbërritja ime në Romë është mbas disa tentativave të tjera sepse kam qenë në Greqi më përpara 5 muaj, pastaj kam provuar në Austri dhe Hungari që më kanë dështuar dhe më vonë në Romë. Kjo ikje ishte shumë e ethshme, sikur e prisnim prej kohësh dhe nuk mendonim shumë gjatë, por vetëm të largoheshim.
Librat e autorit Duli Caja (facebook)
CMG: Si u integruat me jetën jashtë vendit, edhe pse keni qenë në një moshë të re kur jeni larguar?
Duli Caja: Vitet e para nuk kanë qenë të lehta, por shumë të vështira sepse mua më qëlloi dhe periudha që shqiptarët i shikonin si një kategori shumë më poshtë njerëzore, dhe sapo përmendej emri shqiptar ishte si një përulje dhe ishte vështirë të thuhej se jam shqiptar. U ndiznin dhe u mbyllnin televizorët me shqiptarët që po hynin dhe dilnin, por kjo ishte në shërbim të politikës. Unë në fillim kam bërë nga të gjitha punët derisa pak nga pak, ndoshta dhe pasioni për literaturën dhe artin më kanë nxitur dhe mbajtur gjallë që unë të gjej veten atje ku jetoj sot në Romë.
CMG: Ju pëlqen kaq shumë Roma, që nuk keni lëvizur prej aty?
Duli Caja: Ka pasur momente të ndryshme dhe kjo bën pjesë edhe në biologjinë time që e kam të vështirë të rri në një vend. Unë mendoj se jam me fat që kam mbetur në Romë që është qyteti më i bukur dhe më i dashur për mua. Sigurisht jam në garë me Tiranën time që kam lënë atëhere dhe jo me Tiranën sot, por jam shumë i kënaqur që jetoj në Romë. Kam menduar që të shkoja në qytete të tjera siç ishte New York-u sepse do të transferohesha në SHBA, por jam shumë i lumtur që nuk ika. Ndoshta edhe Berlinin e kam pak merak, por tek e fundit jam me fat që kam mbetur në Romë.
Pikture e artistit Duli Caja (Facebook)
CMG: Keni gjithë këto vite që merreni me art dhe letërsi dhe keni krijuar një emër të mirë në komunitetin e shqiptarëve por dhe të huajve në Romë.
Duli Caja: Arti, duke pasur parasysh natyrën time më ka ndihmuar që të jetoj, që të marr frymë mirë dhe të mbush mushkëritë. Arti është një lojë infantile, dhe kur shikoj sot shumë piktura mund t’i quajmë kolazh art se unë instruktoj kuadro me materiale rrobaqepësie kryesisht. Kam një kënaqësi sepse janë të shumta dhe për mua nuk ka pushim. Unë në përgjithësi bëj jetë vetmie, pak jam i shoqëruar dhe jetën sociale e konsumoj me dyqanin e rrobaqepësisë që kam, me klientët e mi dhe kohën tjetër mbyllem në mendime dhe idera që i realizoj në fundjavë. Mbyll dyqanin dhe realizoj këto piktura dhe skulptura.
CMG: Prej vitesh punoni si rrobaqepës në Romë. Sa kënaqësi ju sjell ky profesion?
Duli Caja: Kam 22 vjet që kam dyqanin në Romë dhe jam në një nga zonat më të mira të Romës, ku jam i njohur dhe më sjell kënaqësi kjo njohje sepse njerëzit më vlerësojnë si rrobaqepës, por dhe si artist. Kam marrë pjesë në disa instalime që kanë ndihmuar komunitetin e zonës atje, të cilët kanë veshur pemët me fustane me tematika të ndryshme. Vijnë fëmijët me këto fustane me xhepa ku bëjnë kërkesat e tyre. Kur shikon ata fëmijë që janë aq të qeshur dhe aq të besueshëm për atë lloj arti që shikojnë të vjen mirë dhe mendon se e ke arritur një qëllim.
CMG: Nga shumë vepra tuajat ajo më pikantja është “Eksodi” realizuar me 18 000 kopsa, aq sa shqiptarë ishin në anijen Vlora në eksodin e vitit 1991. Si ndjeheni që kjo vepër është vlerësuar dhe vendosur në Bashkinë e Barit?
Duli Caja: Me thënë të drejtën kur fillon një punë sidomos këto të mëdhatë sepse mund ta quajmë punë kolosale, nuk e mendon shumë por ke dëshirën dhe vullnetin që i ul përmasat e realizimit të rreziqeve që mund të ketë. Unë isha shumë i karikuar nga vullneti për ta realizuar këtë lloj pune. Ngaqë kjo vepër është 3 metra e gjysmë e gjatë, por mendimi ishte që të ishte 4 metra e gjysëm, por për fat që e fillova 3 metra e gjysëm sepse nuk kisha më sipërfaqe ku të hapej sepse është e ndarë me 8 pjesë dhe të bashkuara me njëra -tjetrën. Nuk është e lehtë që të qepësh kopsat dhe t}i bashkosh me njëra- tjetrën. Aty mora parasysh këtë aventurë të kësaj pune, por natyra ime nuk i kthehet mbrapsht asnjë lloj vështirësie. Kur arrita të bëj rreshtat e para të këtyre emigrantëve që ishin në bordin e portit të Durrësit në këtë eksod, vetëm dy rreshtat e para më kushtuan shumë nga ana ekonomike dhe mendova që unë po të mbaroja të gjithë atë me aq sa duhej që të shkonte 18 000 kopsa, do më kushtojë shumë kjo punë. Kështu që u detyrova të bleja një stok kopsash që më vonë më vlejti dhe për punë të ndryshme. Kjo vepër më zgjati gati 3 muaj, por kur e pashë të ngjitur në mur në lartësi kishte një goditje të veçantë. Edhe sot jam i kënaqur që ajo anije ndodhet në Bari, ku pikërisht aty ka ardhur kjo anije me emigrantë.
Veper artistike e Duli Caja (Facebook)
CMG: Vini shpesh në Shqipëri për ta vizituar apo për të promovuar artin tuaj?
Duli Caja: Jeta ime vazhdon akoma më tepër në Romë si mendërisht ashtu dhe fizikisht. Unë shikoj brezin e ri që janë të dëshiruar për punën tonë, për gjërat tona, për artin dhe më vjen mirë sepse më jep shtysë gjithmonë për të bërë disa prezantime siç ishte ekspozita e fundit apo dhe librat që prezantova së fundi në Panairin e Librit në Tiranë. Mendoj se është një brez që më entuziazmon gjithmonë, kështu që vij me kënaqësi në Tiranë.
CMG: Promovuat në qendrën “Dua” dy librat tuaj të fundit. Flasim për këto dy botime, që i keni përfunduar brenda këtij viti.
Duli Caja: “Argjila” është një roman, ndërsa “Triumfal i kalbur” është një tekst. Argjila më ka marrë kohë më shumë pasi nuk jam marrë në mënyrë sistematike me këtë libër, vetëm kur gjeja kohën ose kur kisha ndjesinë për të vazhduar, por më në fund isha shumë i kënaqur që e mbarova këtë roman. Kurse librin tjetër e kam shkruar për një periudhë shumë të shkurtër kohe dhe ishte një shkarkim mendësor dhe shpirtëror. Jam shumë i kënaqur me prezantimin dhe dëshirën e këtij brezi për letërsinë.
Veper e Duli Caja (Facebook)
CMG: Cili është ndryshimi që shikoni kur vizitoni Tiranën?
Duli Caja: Tirana ka ndryshuar krejtësisht dhe ka shumë pak gjëra që më kujtohen, por nga ana emocionale Tirana mbetet gjithmonë në kujtimet e mia, por kjo Tirana aktuale nuk më sjell asnjë lloj emocioni. Unë të paktën kështu e shikoj dhe ndoshta një ditë edhe mund të vij, por më duket një Tiranë krejt ndryshe nga ajo që kam lënë.
Intervistoi: Gazmend Agaj