Edi Furra së shpejti me dy materiale të reja muzikore
2022-12-03 09:25:55

Edi Furra (Facebook)

Edi Furra (Facebook)

Edi Furra është këngëtar i njohur i muzikës popullore shqiptare. Ai jeton në Gjakovë dhe ka një karrierë të gjatë muzikore të prezantuar në disa albume me këngë popullore. Para pak ditësh ishte i ftuar special në koncertin recital të vëllëzërve Zena në qytetin e Elbasanit ku performoi për publikun këngë të repertorit të tij muzikor. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për karrierën e tij muzikore si dhe projektet në të ardhmen.

CMG: Ju jeni ndër këngëtarët që keni shkëlqyer gjatë karrierës muzikore, por si ka ardhur ky sukses i juaji?

Edi Furra: Sigurisht si çdo njeri që ka një synim, gjithmonë synimi im ka qenë që të kënaq veten dhe ky obligim ka qenë moral dhe shpirtëror. Unë kam pasur parasysh gjithmonë traditën dhe muzikën e bukur, të pastër dhe të mirëfilltë shqiptare pavarësisht trevave dhe i jam përkushtuar me mish e shpirt ku me ndihmën e Zotit dhe punës së madhe kemi arritur këtu.

Edi Furra duke interpretuar (Facebook)

Edi Furra duke interpretuar (Facebook)

CMG: Kur kanë qenë fillimet tuaja me këngën popullore dhe a e keni të trashëguar këtë zhanër muzikor nga familja?

Edi Furra: Unë muzikën e trashëgoj nga familja, nga babai, xhaxhallarët, nga vëllai Fatosi. Babai me vëllezërit e trashëgojnë nga nëna e tyre, e cila ka qenë bijë e malësisë së Gjakovës  dhe ka qenë shumë e afërt me një nga zërat më të spikatur të muzikës folklorike mbarëshqiptare, e madhja Fatime Sokoli. Gjyshja ka kënduar bukur dhe më vonë e kanë trashëguar babai im bashkë me xhaxhallarët dhe vëllezërit, ndërsa unë i dhashë pak më shumë ngjyrë duke ardhur deri këtu ku jam sot. Pra muzikën popullore e kemi traditë familjare.

CMG: Materialet muzikore që ju keni publikuar si janë pritur nga publiku?

Edi Furra: Fatmirësisht materialet muzikore edhe kur kam qenë në moshë të re, dhe për ata njerëz që janë fansa të flaktë më muzikë së bukur shqipe më kanë pritur mjaft mirë. Ndërsa kur më kanë parë ka qenë pak më e vëshitrë të më pranojnë, por duke ditur që unë vij nga një familje me traditë muzikore ka qenë më e lehtë dhe materialet janë pritur bukur. Kënaqësia më e madhe për mua është se kur kam qenë në Shqipëri në fillimet e mia kam parë se nuk kam qenë i panjohur për popullin e dashur të Shqipërisë. Pra dhe atje kam parë që dëgjohem me ëndje, ku për mua ka qenë një kënaqësi shumë e veçantë apo një befasi e bukur.

 

 

Edi Furra gjate nje koncerti (Facebook)

Edi Furra gjate nje koncerti (Facebook)


CMG: Keni realizuar bashkëpunime me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?

Edi Furra: Kam realizuar disa bashkëpunime me këngëtarë të Kosovës dhe të Shqipërisë. Në vitin 2007 kur kam nxjerrë albumin tim të tretë i cili në mënyrë më profesionale ka qenë realizim me kompozitorin e njohur nga Tirana Edi Balili. Me atë kam realizuar një album i cili ka zgjatur rreth 26 muaj, mirëpo ai album ka mbetur në fonotekë dhe në zemrat e të gjithë shqiptarëve anembanë. Aty kam një duet me këngëtaren nga Kosova Remzie Osmani. Pastaj unë i jam përkushtuar më shumë muzikës së Shqipërisë së mesme ku kam realizuar bashkëpunim me vëllezërit Zena nga Elbasani, të cilët i përshëndes dhe ju uroj të gjitha të mirat në jetë sepse për mua dhe për të gjithë adhuruesit e muzikës së Shqipërisë së mesme dhe pikërisht të Elbasanit mendoj se ata janë emblemë për këtë lloj muzike. Kam pasur bashkëpunim me Valbona Memën në një program fantastik gjatë xhirimeve për Vitin e Ri i cili është mirëpritur shumë nga televizioni kombëtar i Kosovës Koha Vizion. Gjithashtu kam pasur bashkëpunime me Lida Hakajn, një këngëtare e mirë që e njohin të gjithë. Kur kam qenë i ri kam pasur bashkëpunim me të madhin Ismet Peja sepse e kemi pasur mik familje dhe xhaxhai ka kënduar me të. Pra unë kur kam qenë i ri kam realizuar këngë me yjet e këngës popullore, dhe ajo ka qenë ideja që të futem në listën e emblemave, të cilët nuk do të harrohen kurrë përsa i përket muzikës së bukur popullore.

CMG: Në repertorin tuaj keni lëvruar shumë këngët e Shqipërisë së mesme. Si ka ardhur ky pëlqim për këtë trevë?

Edi Furra: Të jem i sinqertë edhe kur kam qenë fëmijë kam parë TVSH-në  dhe në atë kohë mbaj mend emisionet ku ftohej ansambli popullor me të madhin Çobanin dhe  Hekuran Xhambalin, pra me artistë të mëdhenj dhe prej asaj kohe unë jam rritur me atë frymë. Kur kam filluar në vitin 1995 unë i kam ripërtërirë këngët e bukura të Shqipërisë së mesme që sot i këndoj me ëndje.

Edi Furra me kengetarin Bik Ndoja (Facebook)

Edi Furra me kengetarin Bik Ndoja (Facebook)

CMG: A ka qenë i madhi Isuf Myzyri frymëzim për karrierën tuaj muzikore?

Edi Furra: Usta Isuf Myzyri ka qenë një frymëzim shumë i madh sepse një kantautor si Isuf Myzyri është e pamunduar për një artist të mos jetë frymëzim. Ndër ta dua ta theksoj se insipirim ka qenë dhe i madhi Qamili i vogël, i cili ka lënë veprat më të mëdha të qytetit të Gjakovës.

CMG: Aktivitetet tuaja muzikore kanë qenë më shumë në Kosovë apo dhe në vende të tjera ku jetojnë shqiptarët?

Edi Furra: Unë më shumë punoj me orkestër live dhe aktivitetet i kam më shumë ne Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi. Ky është një kusht i imi që nuk i largohem traditës dhe kam orkestën time sepse njerëzit duan të dëgjojnë muzikë live. Në fakt kam shumë aktivitete të mëdha këtu. Ne nuk e kemi liberalizimin e vizave, por unë si Edi Furra jam i dekoruar prej ish Presidenit të ndjerë të Shqipërisë, Bujar Nishani i cili më ka dhënë titullin “Ambasador i muzikës shqiptare” dhe “Mjeshtër i madh” si dhe pasaportën shqiptare.

Edi Furra me kengetarin Shkelzen Jetishi (Facebook)

Edi Furra me kengetarin Shkelzen Jetishi (Facebook)

CMG: Flasim për spektaklin “Këngë Moj” ku keni marrë pjesë duke interpretuar këngët popullore gjakovare.

Edi Furra: Unë e falenderoj Adi Hilën dhe vëllezërit Laço që më kanë bërë pjesë të atij spektakli të madh, por ngaqë isha nga Gjakova kam prezantuar një potpuri të bukur të qytetit tim. Kam qenë i ftuar që të prezantoj edhe trevën e Shqipërisë së mesme, por ngaqë vija nga Gjakova edhe stafi e pa më të arsyeshme që të sjell diçka gjakovare sepse në Kosovë i vetmi qytet që ka traditën e muzikës është Gjakova, ndryshon nga Shqipëria që ka disa treva të muzikës popullore.

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në të ardhmen?

Edi Furra: Materialat e mia muzikore lidhen me muzikën e bukur të Shqipërisë së mesme apo të Shkodrës dhe jugut. Unë tani kam dy materiale muzikore, një jare të bukur shkodrane që është kënduar nga i madhi Bik Ndoja, mirëpo unë kam bërë një kompozim fantastik me kompozitorin Florent Boshnjaku dhe Alfred Kaçinarin të cilët i kam shumë miq dhe i përshëndes nga zemra. Materiali i dytë është një potpuri e bukur e trevës së Çamërisë. Unë shpresoj dhe ju premtoj adhuruesve të mi që në mars do kem një spektakël gjigant me këta artistë të mëdhenj që përmenda Florent Boshnjakun, Alfred Kaçinarin si dhe Shpëtim Saraçin që  do të jetë një realizim për jetën time artistike. Mendoj se kjo do të do të transmetohet në Kosovë dhe Shqipëri  dhe shpresoj se do pëlqehet nga publiku dhe do të jetë diçka ndryshe me materiale të bukura shqipe, të cilat i kemi nëpër arkivat që nuk kemi pasur mundësi t’i shpalosim në Kosovë dhe Shqipëri.

Edi Furra me violinistin Shkelzen Doli (Facebook)

Edi Furra me violinistin Shkelzen Doli (Facebook)

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.

Edi Furra: Përshëndes të gjithë dëgjuesit dhe adhuruesit e mi si dhe të gjithë adhuruesit e muzikës së bukur shqiptare

Intervistoi: Gazmend Agaj