Përgatitjet shumëvjeçare më në fund shpërblehen
2022-12-03 21:03:17

Në orën 23 e 8 minuta të 29 nëntorit, anija "Shenzhou-15" me taikonautët - siç quhen ndryshe astronautët kinezë - Fei Junlong, Deng Qingming dhe Zhang Lu, u nis me anë të raketës mbartëse "Marshimi i Madh-2F" nga Qendra e Lëshimit e Jiuquanit në shkretëtirën e Gobit në Kinën Veriperëndimore. Në mëngjesin e ditës tjetër, tre astronautët e misionit "Shenzhou-15" u takuan me sukses me tre pjesëtarët e ekuipazhit të "Shenzhou-14", të cilët kanë qëndruar në stacionin hapësinor për afro gjysmë viti.

Deng Qingming(Foto:Xinhua)

Deng Qingming(Foto:Xinhua)

Mbi Tokë, shumë përdorues të internetit i shprehën urime posaçërisht një anëtari të ekuipazhit, z. Deng Qingming. “Urime! Ëndrra juaj më në fund u bë realitet!”, “Jam më i emocionuar se ai vetë!”; komente të tilla formuan një rresht të gjatë poshtë lajmeve për këtë mision.

Po kush është Deng Qingming? Përse fitoi më shumë mbështetje, madje më shumë sesa vetë drejtori i misionit? 

Për një kohë të gjatë, Deng Qingming njihej nga publiku si një taikonaut rezervë që nuk kishte fluturuar në hapësirë. Që kur u bë një nga 14 taikonautët e parë praktikantë të Kinës 24 vite më parë, ai kishte ofruar mbështetje për disa fluturime hapësinore si ekuipazh rezervë. Megjithëse rruga e tij drejt hapësirës është më e gjatë se ajo e bashkëmoshatarëve të tij, ky “gjysh” 56-vjeçar ushqen të njëjtin pasion dhe vrull sikurse taikonautët shumë më të rinj se ai.

“Dikur isha në depresion dhe madje disa herë jam përlotur, por kurrë nuk jam lëkundur. Kurrë nuk u dorëzova”, - thotë Deng, duke kujtuar përvojën e tij si një taikonaut gjithmonë në gatishmëri.

Deng e kaloi pothuajse të gjithë kohën e tij duke u stërvitur dhe duke pritur. Ishte përfshirë katër herë në ekuipazhin rezervë. Megjithatë shpresa shuhej çdo herë. Në vitin 2016 ai ishte më afër realizimit të ëndrrës gjatë përgatitjeve për misionin Shenzhou-11. Madje kandidati Deng hyri edhe në kabinetin e mbyllur të simulimit të anijes kozmike për 33 ditë, duke mbledhur shumë të dhëna të vlefshme. Megjithatë, ai dështoi në përzgjedhjen përfundimtare me një diferencë të ngushtë dhe u bë rezervë për komandantin Jing Haipeng.

Takimi i ekuipazhit të "Shenzhou 15" me atë të "Shenzhou 14"

Takimi i ekuipazhit të "Shenzhou 15" me atë të "Shenzhou 14"(Foto:Xinhua)

Kur ekuipazhi Shenzhou-11 u kthye në Tokë, edhe misioni rezervë i Dengut gjithashtu përfundoi. Ai u prit nga gruaja dhe vajza si një hero kur u kthye në shtëpi, madje ata kishin përgatitur edhe një vakt të shijshëm për të. Dengu që nuk mund t'i kontrollonte emocionet, hyri në banjë dhe hapi rubinetin për të mbuluar ngashërimin e tij me zhurmën e ujit të rrjedhshëm.

Ishte gjithashtu dëshira e nënës së ndjerë të Dengut që të shihte djalin e saj të fluturonte në hapësirë.

Deng Qingming ka lindur në vitin 1966 në një familje rurale në provincën Jiangxi të Kinës Lindore. Ndërsa prindërit e tij punonin në ara, Deng mori përgjegjësinë për t'u kujdesur për katër vëllezërit e motrat e tij më të vegjël. Ëndrra e tij e fëmijërisë ishte të shkonte në kolegj dhe të gjente një punë të denjë për të mbajtur familjen. Por jeta e tij mori një kthesë të rastësishme kur Forcat Ajrore vizituan shkollën e mesme ku ai studionte për rekrutime kandidatësh. Dengu i ri i kaloi të gjitha testet dhe u bë pilot. Kur ai u nis për stërvitje fluturimi në vitin 1984, bashkëfshatarët e tij u mblodhën për ta përcjellë dhe uruar suksese. Dengu ishte thellësisht i prekur dhe i vendosur që të punonte shumë për t'i bërë krenarë ata.

Vitet e trajnimit intensiv e bënë Dengun një pilot luftarak elitar dhe në janarin e vitit 1998 ai u përzgjodh si pjesë e grupit të parë të taikonautëve kinezë. Mes bashkëmoshatarëve të tij përfshihen edhe Yang Liwei, astronauti i parë kinez që udhëtoi në hapësirë, Nie Haisheng, që ka bërë tre udhëtime në hapësirë dhe Zhai Zhigang, astronauti i parë kinez që kreu ecjen hapësinore. Dengu ishte i vetmi taikonaut aktiv mes tyre që nuk kishte kryer ende një mision hapësinor.

Ekuipazhi i misionit "Shenzhou 15"(Foto:Xinhua)

Ekuipazhi i misionit "Shenzhou 15"(Foto:Xinhua)

Edhe pse ndihej i zhgënjyer, Dengu nuk kishte kohë për t'u zhytur në emocione negative. Pas çdo humbjeje, ai duhej që shpejt të përgatitej për misionin tjetër. Por përveç këmbënguljes së tij, mbështetja e familjes ishte një motiv më shumë për të besuar. "Përpjekjet tuaja ia vlejnë. Unë jam krenare për ju, ndërsa jeni shembull për vajzën tonë," – shprehej gruaja e Dengut, Man Yanhong.

Ajo është kujdesur për të gjitha punët e shtëpisë dhe nuk është ankuar para tij. Edhe vajza e tyre Deng Manqi, që kur ishte fëmijë, dëshironte që babai i saj të fluturonte në hapësirë . Në vitin 2006, ajo u zhgënjye kur dëgjoi fëmijët e taikonautëve të Shenzhou-6 në shkollën e saj që krenoheshin me prindërit e tyre.

Deng Manqi filloi ta kuptonte babanë e saj vetëm pasi mbaroi universitetin dhe iu bashkua programit hapësinor kinez si staf. “Babai im është njeriu më punëtor dhe vetëmohues që kam takuar ndonjëherë”, -shkruan vajza në një letër drejtuar babait të saj. "Është privilegji im të punoj me ju, babi im i dashur. Ju jeni gjithmonë heroi im."

Me lëshimin me sukses të anijes kozmike me astronautë "Shenzhou-15", kauza e fluturimeve kozmike me astronautë e Kinës hodhi një tjetër hap të rëndësishëm. Tani kanë përfunduar të 12 lëshimet për ndërtimin e stacionit hapësinor të Kinës. Aktualisht ky stacion përbëhet nga gjashtë pjesë: moduli kryesor "Tianhe", modulet laboratorike "Wentian" dhe "Mengtian", anija kozmike e mallrave "Tianzhou-5", si edhe anijet kozmike me astronautë "Shenzhou-14" e "Shenzhou-15". Pesha e përgjithshme e këtyre gjatë mjeteve arrin afro njëqind tonë.

Si detyrë e fundit e fazës së ndërtimit të stacionit hapësinor të Kinës, ekuipazhi i anijes "Shenzhou-15" do të qëndrojë në stacionin hapësinor për gjashtë muaj, ku do të bëjë kontrollin e tre moduleve të stacionit, do të zhvillojë eksperimente shkencore e teknologjike dhe do të kryejë 3-4 veprimtari jashtë stacionit.

Stacioni hapësinor i Kinës pas përurimit(Foto:VCG)

Stacioni hapësinor i Kinës pas përurimit(Foto:VCG)

Gjatë një konference për shtyp të mbajtur para nisjes së këtij misioni, Deng Qingmingu ruajti gjakftohtësinë dhe besimin e plotë për performancën e tij. “Do t’i kryej si duhet detyrat e mia gjatë këtij fluturimi," - tha ai.