Fundjavën që lamë pas përfundoi me sukses edicioni i 23-të i Festivalit “Kënga Magjike”, i vetmi në llojin e tij si festivali më prestigjoz i muzikës moderne shqiptare, tashmë mirëpret edhe artistë internacional. Në këto 23 vite “Kënga Magjike” ka pritur emra dhe breza artististësh, të cilët i kanë dhuruar magji skenës së festivalit, duke i servirur publikut performanca nga më të veçantat, rryma muzikore nga më të ndryshmet, artistë të afirmuar të skenës, por edhe të rinj të talentuar që kanë spikatur në këtë festival me interpretimet e tyre live.
Këtë vit u ngjitën në skenë 50 artistë shqiptarë dhe të huaj. “Kënga Magjike” u transmetua live nga Pallati i Kongreseve për katër netë në Televizionin Klan, nisi më 22 nëntor me natën e parë gjysmë finale, më 23 natën e dytë gjysmë finale, dhe më 24 nëntor me finalen e madhe shqiptare. Ndërsa finalja e madhe ndërkombëtare u zhvillua më 26 nëntor, ku u përzgjodhën 23 artistë, 13 shqiptarë dhe 10 të huaj. Në këtë mbrëmje kaq të veçantë për të gjithë artistët u ndanë shumë çmime për kategori të ndryshme, ku përveç çmimit të parë i cili shkoi për këngën fituese të edicionit të 23-të me këngën “I paftuar”, kënduar nga këngëtarja Marsela Çibukaj, me tekst dhe muzikë nga Alban Ramosaj, i cili një vit më parë fitoi çmimin e parë në edicionin e 22-të të “Këngës Magjike” me këngën “Thikat e mia”. Gjithashtu u ndanë edhe çmime për muzikën më të mirë shqiptare, atë të huaj dhe për artistët e rinj më të mirë. Bashkë me çmimin e parë të këtij festivali, Marsela Çibukaj fitoi dhe çmimin “Big Artist”.
Fituesja e “Këngës magjike” Marsela Çibukaj e përjetoi me emocion këtë çmim:
“Nuk kam fjalë, një emocion i jashtëzakonshëm. Ju falenderoj të gjithëve nga zemra. Falenderoj artistët, jurinë, skenën e “Këngës Magjike”, që na bën të përjetojmë emocione kaq të forta. Faleminderit të gjithëve ju”, u shpreh Marsela mes emocioneve.
Një artiste e re Michela Paluca, ishte një zbulim nga programi televiziv “Mam, po ti?”në televizionin Klan, ku fitoi vendin e dytë. Fituesja e vendit të tretë u shpall Anxhela Peristeri me këngën “Kalimtar”. Ndërsa katër kupa të tjera u ndanë për artistët shqiptarë dhe të huaj në kategoritë “Big” dhe “New artist”. Martin Pano me këngën “Një si ti” fitoi zemrën e jurisë dhe publikut njëkohësisht, duke u ndarë me çmimin “Best New Artist”, nga ndërkombëtarët Mamagama fitoi çmimin “Best New International” dhe Le Deva fitoi çmimin “Big International”.
Festivali “Kënga Magjike 2022” ishte një spektakël i vërtetë, ku erdhi si gjithmonë në prezantimin e kantautorit Ardit Gjebrea, i cili këtë vit kishte në bashkëprezantim Eva Muratin dhe Olta Beqirin. Një emocion shumë të bukur ndau për publikun surpriza e natës finale ku interpretuan në gjuhën shqipe artistëte huaj dhe publiku nuk i kurseu duartrokitjet. Ata të gjithë së bashku kënduan këngët e njohura shqiptare “Perëndeshë e bukurisë”, si dhe një ndër këngët më të vjetra shqiptare “O e bukura More”, e kënduar për mbi 500 vjet më parë nga arbëreshët e Italisë, dhe interesante është se Moreja (Morea) është një element gjeografik, dhe bëhet fjalë për Arbëreshët të cilët arritën nga Moreja (sot Peloponezi grek), për në Arbëri, dhe në ato vite dhimbte malli për mëmëdheun e largët, dhe nëëprmjet kësaj kënge ata përcollën brez pas brezi e fshat më fshat këtë këngë për t’u bërë himni kombëtar i arbëreshëve.
Shumë emocionues ishte edhe momenti kur krijuesi i Festivalit “Kënga Magjike” kantautori Ardit Gjebrea, prezantoi vajzën e tij Anna Gjebrea, e cila i dhuroi një paraqitje shumë të bukur skenike në natën finale të “Kënga Magjike” me interpretimin e këngëve “Stand By You” me të cilën konkurroi në “Eurovision Kids”, si dhe “Just Dance”, të publikuar në nëntor të këtij viti. Ardit Gjebrea u shpreh gjatë prezantimit të vajzës së tij:
“Nuk është e thjeshtë. E para sepse jam baba i emocionuar si çdo prind për fëmijën. E dyta, sepse nuk kam qenë asnjëherë 100% i bindur nëse do doja që fëmijët e mi të bëheshin artistë. Dhe e treta, se nuk kam dashur asnjëherë që vajza ime të ishte vajza e Ardit Gjebreas. Por sot nuk e kam ftuar unë në festival. Falë punës dhe konfirmimit nga artisti Luca Tomasini apo koreografi Fabrizio Prolli, Anna Gjebrea vjen vetë sonte në “Kënga Magjike” theksoi Gjebrea.
-Jehona e “Këngës Magjike” u përhap deri në SHBA. Vetë “New York Post” i ka dedikuar një artikull festivalit të muzikës për një arsye të forte, sepse djali i kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut ishte konkurrent në kategorinë “Big” të këtij festivali. Kënga e reperit Jayoo, u pëlqye shpejt nga publiku shqiptar me këngën “Itsy Bitsy”. Vetë kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams përshëndeti festivalin gjatë spektaklit.
Një ditë pas fitores së çmimit të parë të festivalit “Kënga Magjike” Marsela Çibukaj solli për publikun edhe një herë emocionet që përjetoi atë mbrëmje, duke falenderuar të gjithë bashkëpunëtorët e saj që i dhanë fitoren në këtë edicion të 23-të të festivalit “Kënga Magjike”.
Ajo është është shprehur në TV Klan në programin “E diela shqiptare”: “Këto janë kupat më të bukura dhe më të rëndësishme për mua. Është një privilegj i madh që mbërrijmë në atë skenë të bukur magjike dhe dalim me vlerësime, duartrokitje dhe dashuri. Këto kupa nuk janë vetëm për mua, unë isha shumë e emocionuar kur u thërrit emri im. Këto kupa janë për të gjithë ata që kanë besuar tek unë kanë mbështetur Marselën, zërin e saj, këngën “I paftuar” ndaj dua t’i falenderoj përzemërsisht, autorin e këngës Alban Ramosaj, producentët Alban Ramosaj, Darko Dimitrov dhe Marko Polon. Të gjithë kanë komentuar që “kjo nuk ishte një këngë, por ishte një performancë”, dhe ajo performancë është kuruar nga dashuria dhe arti i artistëve të rradhë që kemi në Shqipëri, Joni Peçi që kuroi veshjen time në detajet më të vogla, por që bën diferencën. Më bën të ndjehesha si një mbretëreshë e asaj loje të bukur të shahut, ku interpretuan balerinët nën koreografinë e italianit Fabrizio Broli, duke vallëzuar me mua dhe këngën time. Falenderoj Arditin që organizon çdo vit me një kujdes të jashtzakonshëm për të gjithë ata që marrin pjesë, këtë event kaq të rëndësishëm. Dhe këtë nuk e them vetëm sot që kam dalë me dy kupa, por edhe kur jam renditur e katërta apo e pesta, por edhe kur kam qenë në prezantim një vit më parë krah teje. Unë e di dashurinë që ti vë në çdo detaj të kësaj “anije gjigante” që quhet “Kënga Magjike” dhe që na bën të ëndërrojmë të gjithëve. Dhe me këto dy kupa dhe kodin 21, që është e data e ditëlindjes time, dhe si një fat i bukur unë kurorëzojë edhe 12 vite që kam ardhur në Shqipëri dhe që mundohem çdo ditë të jap maksimumin, në çdo skenë, në çdo ambjent dhe publik që kam përpara dhe më duartroket. Falenderoj artistët që ishin në garë dhe me zemërgjerësi votuan këngën time si dhe mësuese Alma Strazimiri që më ndihmoi për ta kënduar sa më bukur këngën time. Faleminderit të gjithëve!” Kështu ka përfunduar fjalën e saj një ditë pas fitores së çmimit, këngëtarja Marsela Çibukaj.
Gjatë 4 netëve të festivalit Kënga Magjike në sallën e Pallatit të Kongreseve ka qenë edhe kompozitori, autori dhe producenti, Angelo Luiz Velasquez me emrin e artit Doc. Në studion e tij janë prodhuar shumë këngë, ndër to edhe kënga “Good Morning Gorgeous” me Mary J. Blige e nominuar 3 herë në çmimet Grammy për vitin 2023. Siç zbuloi edhe vetë Ardit Gjebrea, që të vinte në festivalin Kënga Magjike, Doc shtyu një javë regjistrimet me artisten që po punon momentalisht për përgatitjen e performancës “Super Bowl 2023” Rihanna. Nën moton #feeltheenergy ka përfunduar edhe këtë vit me sukses edicioni i 23-të i festivalit “Kënga Magjike”, duke i dhuruar publikut këngë të bukura dhe zëra magjikë.
Përgatiti: Sava Lena