Në fund të nëntorit u zhvillua në Tiranë seminari me temë “Kina dhe Ballkani Perëndimor në vitin 2022 - Sfidat, mundësitë dhe potencialet e bashkëpunimit”, i organizuar nga Instituti i Studimeve të Globalizimit i Shqipërisë (AIGS), ku u shkëmbyen mendime me ekspertë të instituteve kërkimore dhe të qarqeve akademike, mediatike e të biznesit nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Ndër pjesëmarrësit ishte dhe dr. Silva Doçi, studiuese e pavarur, e cila u ndal rëndësinë e shkëmbimeve njerëzore në marrëdhëniet Kinë-Shqipëri. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës dr. Doçi flet për rëndësinë e shkëmbimeve njerëzore në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës
CMG: Në kumtesën tuaj në seminar një vend të rëndësishëm ze nevoja për shtimin e shkëmbimeve njerëzore dhe kulturore në këtë epokë të globalizimit. Çfarë raporti kanë sipas jush këto shkëmbime me marrëdhëniet diplomatike midis vendeve?
Dr, Silva Doçi: Jemi mësuar që tradicionalisht mbështesim marrëdhëniet midis dy ose më shumë vendeve vetëm te politika. Studimet dhe vitet e gjata të experiences kanë treguar që politika nuk është e mjaftueshme kur flasim për marrëdhënie midis vendeve. Shoqëria civile shpesh here kërkon të shkëputet nga kjo pjesë e politikës, kërkon të kapërcejë disa hendeqe, disa caqe që i krijon ndonjëherë politika, e cila vjen me rregulla të paravendosura. Njerëzit duan të kenë shkëmbimet e tyre, të kenë lirinë dhe lëvizjen e tyre, pa u mbështetur te politika dhe pa u ndikuar prej saj.
Kemi pare që kjo është më efektive për t’i afruar dy vende .
CMG: Po në rastin konkret, Shqipëri dhe Kinës, dy vende që kanë një distance gjeografike dhe diversitet kulturor, ndërkohë që kanë një traditë marrëdhëniesh që nga shekulli i kaluar, të cilat u ndërtuan fillimisht mbi një bazë politike dhe ideologjike. Mendoni që në shekullin e ri marrëdhëniet midis dy vendeve tona kanë nevojë për një diapazon më të gjerë shkëmbimesh njerëzore dhe kulturore?
Dr. Silva Doçi: Për fat të keq, kemi vënë re që marrëdhëniet politike jo gjithmonë janë shumë të suksesshme dhe të arrira. Prandaj e mendoj si të domosdoshme dhënien e rëndësisë së marrëdhënieve njerëzore. Marrëdhënia që Shqipëria kishte me Kinën në shekullin e kaluar ishin të mbështetura vetëm te politika, ndërsa në ditët e sotme kemi sisteme politike të ndryshme dhe kjo është një sfidë që ndeshin vendet në marrëdhëniet e tyre.
Kemi të bëjmë me dy vende me sisteme politike të ndryshme, me largësi gjeografike, madhësia e ndryshme e të dy vendeve, sepse Shqipëria është një vend i vogël dhe Kina një vend i madh.
CMG: Por jetojmë në një kohë globale dhe me një teknologji të avcancuar ndaj njeriu me dëshirën e tij, meqë mjetet ekzistojnë, mund të shkojë kudo.
Dr. Silva Doçi: Është e vërtetë. Tashmë nuk ka kufij të paracaktuar, nuk flasim për kufij politikë apo gjeografikë dhe njerëzit mundohen që këto kufij t’i kalojnë për t’u afruar sa më shumë me njeri-tjetrin, me gjuhët dhe kulturat e njeri-tjetrit. Kështu njihen më shumë me njeri-tjetrin.
CMG: Në kumtesën tuaj në seminar përmendët termin “diplomacia civile”. Flasim për këtë.
Dr. Silva Doçi: Në fakt fanatikët e studimit të politikës dhe diplomacisë nuk e pëlqejnë shumë këtë term dhe mbeten te diplomacia politike, por tashmë ky term prej shumë vitesh është bërë pjesë e diplomacisë ndërkombëtare. Diplomacia civile është aq e thjeshtë për t’u bërë kur mendon që çdokush prej nesh mund të jetë pjesëmarrës, investues në këtë diplomaci, thjesht me dëshirën për të njohur dhe këtë njohuri ta transmetojë tek të tjerët. Atë çfarë ka pare dhe jetuar në një vend tjetër, apo dhe studiuar ta tregojë tek të tjerët dhe të ndryshojë mendësinë që njerëzit kanë krijuar më pare. Shpesh here kemi të bëjmë me mendësi të gabuara, të mbështetura në informacione të pakta, apo në ideologji të vjetra, prandaj ka ardhur koha të përqafojmë metodat e reja.
CMG: Ndoshta këtu është rasti të përmendim dhe termin që sa vjen e përdoret më shpesh “ambasadorë”, si një sportist apo një artist që bëhet “ambassador” i paemëruar i vendit të tij në një hapësirë, vend apo komunitet tjetër
Dr. Silva Doçi: Ne po e shohim vetë që sot edhe politika po “i përdor” këta ambasadorë sa here që lind nevoja që t’i jepet një njohje një vendi . Në një vend të vogël si Shqipëria shpesh politika përdor njerëz të njohur të artit, sportit që përqafohen menjëherë nga opinioni. Si në këtë rast edhe shoqëria civile mund të bëhet ambasadore e marrëdhënieve midis dy vendeve.
CMG: Në seminar ambasadori i Kinës Zhou Ding theksoi se “ shkëmbimet e nivelit të lartë Kinë-Shqipëri kanë ruajtur hovin e madh të zhvillimit dhe bashkëpunimi ekonomiko-tregtar dypalësh është shtuar. Shkëmbimet njerëzore dhe kulturore kanë qenë mjaft të frytshme, si për shembull, zhvillimi me sukses i Javës së Kulturës Kineze pak kohë më parë në Tiranë”. Ju si studjuese e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, si i vlerësoni këto shkëmbime në 10 vjetorin e nisjes së Mekanizmit të Bashkëpunimit Kinë-EQL ?
Dr. Silva Doçi: Jo vetëm si studiuese, por edhe si jetuese e kësaj periudhe, e këtij 10 vjeçari shikoj që kemi një rritje për t’u vlerësuar në marrëdhëniet midis dy vendeve, por dhe në marrëdhëniet midis Kinës dhe Ballkanit Perëndimor. Deri para 10 viteve kishte marrëdhënie më të pakta apo që nuk bëhen shumë mediatike. Tashmë janë të njohura marrëdhënie si Java Kulturore e Kinës dhe me ndihmën e medies dhe aksesin që kemi të gjithë tek informacioni i jepet rëndësi e madhe shkëmbimit dypalësh. Një rol shumë të rëndësishëm ka luajtur dhe Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri duke promovuar këto aktivitete. Gjithashtu mund të përmendim dhe shkëmbimet në arsim.
CMG: Shkëmbimet në arsim janë të spikatura midis dy vendeve por ka një mungesë informacioni në mediat shqiptare lidhur me këtë temë, e cila është e rëndësishme. Edhe ju vetë jeni prodhim i këtyre shkëmbimeve. Jeni e re, por me titull doktor i shkencave. A janë shkëmbimet njerëzore dhe kulturore një fushë ku ju keni hedhur hapat e formimit tuaj? Cila është historia juaj kineze?
Dr. Silva Doçi: Hapi që unë hodha drejt Kinës para 12 viteve i përkiste një moshe të re, i pasigurtë, por guximtar drejt një vendi të largët tek i cili unë shpresoja të mësoja shumë sidomos në pjesën kulturore, të historisë dhe një shoqërie të re. Për këtë hap nuk pendohem, por do ta hidhja sërish nëse do të më jepej mundësia për here të dytë.
Kur unë shkova në Kinë në vitin 2009 për të nisur studimet kishte shumë pak informacione për këto lloj shkëmbimesh. Bursat që ofroheshin në atë kohë nga qeveria kineze ishin më të pakta në numër se sa tani, por është për t’u vlerësuar fakti që vazhdojnë të rriten me ndihmën e institucioneve që janë përgjegjëse në Kinë dhe transmetohen nga ambasada kineze në Shqipëri.
Kjo ishte një zgjedhje e duhur për mua sepse dëshiroja të dija rreth kësaj kulture ndryshe, të cilën e jetova vetë dhe tashmë mund ta tregoj tek të tjerët, të cilët kanë dëshirë për të njohur këtë vend të largët nga këndvështrimi i një vajze të re që ka jetuar dhe studiuar atje. Kjo është mënyra më e thjeshtë, më e mire ta informosh tjetrin duke treguar eksperiencën tënde personale.
CMG: Ku keni studiuar në Kinë?
Dr. Silva Doçi: Unë kam kryer studimet në Universitetin e Kinës Qendrore, në qytetin e Wuhan-it, i cili u bë i famshëm botërisht, ku kam studiuar për bachelor, master dhe studimet për doktoraturë. Fatkeqësisht prej pandemisë u desh që studimet e doktoraturës t’i mbyllja online pasi u ktheva në Shqipëri.
CMG: Besoj se tashmë keni një bagazh të lavdërueshëm sa i përket gjuhës dhe kulturës kineze.
Dr. Silva Doçi: Unë e kam dashur këtë zgjedhje që bëra dhe mendoj që dëshira është një pjesë shumë e rëndësishme drejt të mësuarit të diçkaje të re, jo vetëm në pjesën akademike, por dhe të kulturës së re dhe gjuhës. Studimet e mia nuk ishin në gjuhën kineze, por nga mundësitë që mu ofruan nga universiteti për ta mësuar atë unë iu përkushtova me dëshirë. Koha e gjatë dha rezultate të mira.
CMG: E keni në nivel të mire njohjen e gjuhës kineze?
Dr. Silva Doçi: Do ta quaja një nivel shumë të mire
CMG: Cilat janë eksperiencat që do të dallonit nga jeta në Kinë?
Dr. Silva Doçi: Si studente eksperiencat në pjesën akademike do t’i vlerësoja më shumë, si seminaret deh konferencat. Unë kam marrë tre here burse nga qeveria kineze dhe ndjehem e vlerësuar dhe e respektuar. Unë kam punuar për këtë burse, kam studiuar shumë, jam bërë pjesë e aktiviteteve dhe programeve të universitetit. Sipas mundësive dhe aftësive të mia jam munduar t’i jap kontributin tim universitetit. Por ky është një vlerësim që nuk do ta harroj kurrë se si studimet e mia u ndihmuan nga bursa kineze për kaq shumë vite.
Një pjesë tjetër shumë e rëndësishme që do të doja ta theksoja është fakti që jam bërë pjesë e shoqërisë kineze nëpërmjet aktiviteteve vullnetare. Gjithkush mund të bëhet ndihmë për dike tjetër. Çdokush mund të jape një ndihmë sado të vogël. Nganjëherë stepemi duke menduar se nuk mund të bëjmë një ndryshim shumë të madh, por kur je pjesë e një grupi të mirëorganizuar ndryshimi që ti bën është i dukshëm në shoqëri. Këtë e tregoj me pasion këtu dhe të influencoj edhe tek të tjerët këtë dëshirë dhe mundësinë që secili prej nesh ka për t’i dhënë shoqërisë.
CMG: Në fokusin e studimeve tuaja besoj se do të jenë shkëmbimet midis Shqipërisë dhe Kinës, por keni synime për të zgjeruar studimet lidhur me këto marrëdhënie ?
Dr. Silva Doçi: Unë jo më kot kam ndenjur kaq gjatë në Kinë, por për të njohur sa më shumë shoqërinë, vendin, pjesën politike dhe akademike dhe për t’i shërbyer marrëdhënieve të dy vendeve tona dhe marrëdhënieve të Kinës me Ballkanin Perëndimor. Ne po e jetojmë faktin që Shqipëria është një pjesë e pandashme e zhvillimeve të Ballkanit Perëndimor me synim drejt Europës. Edhe në këtë moment jam e përkushtuar në studimin e këtyre marrëdhënieve dhe mendoj ta vazhdoj këtë rrugë që t’i përkushtohem studimit të marrëdhënieve midis Kinës dhe Shqipërisë, Kinës dhe Ballkanit Perëndimor shpesh në fokusin politik, sepse kjo është dega ime, por duke mos lënë anash edhe shkëmbimet njerëzore, të cilat i shoh si shumë të rëndësishme.
CMG: I mban ende marrëdhëniet me miqtë në Kinë?
Dr. Silva Doçi: Po i mbaj marrëdhëniet me miqtë, universitetin dhe shoqërinë që kam krijuar atje. Jam gjithmonë koherente për zhvillimet e atjeshme
CMG: Dëshiron të kthehesh në Kinë?
Dr. Silva Doçi: Dëshiroj të kthehem me synimin për t’u punësuar në Kinë. Dëshira ime është të jem pjesë e akademisë, që të vazhdoj studimet akoma më tej, por duke u ndenjur pranë dhe marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën, duke ndihmuar dhe ndikuar te zhvillimi i diplomacisë midis dy vendeve.
Intervistoi Eda Merepeza