Studentët shqiptarë në Gjermani, festë madhështore për 28 nëntorin
2022-12-02 10:32:33

28 dhe 29 nëntori  janë dy ditë festive kur shqiptarët në Shqipëri dhe jashtë saj festojnë. Hareja pushton çdo rrugë, shtëpi apo institucion i cili ndihet krenar më shumë se kurrë. Edhe këtë vit nuk munguan organizimet në diasporë, aty ku kudo ka shqiptarë.   Gjermania është një nga vendet që mirëpret shqiptarët, të cilët duan të studiojnë por edhe të vendosen atje për të jetuar.

Hygerta Aruçi  është një 24 vjeçare e lindur në Krujë dhe banuese në Essen të Gjermanisë. E diplomuar si juriste ajo vijon studimet avancë në magjistraturë në profiling gjyqësor. Eksperiencat e punës së saj kanë qenë në gjykatë, Konsullatën e Nderit të Republikës së Shqipërisë në Essen, si dhe në kompaninë Sprint GmbH dhe Marketing.

Prej 1 viti e gjysmë Hygerta është  themeluese e “Paragon Consulting Agency L.L.C” dhe  kompaninë “Profectus” që veprojnë në Gjermani, Shqipëri dhe Kosovë. Në Essen është organizuar një mbrëmje festive me mbi 200 shqiptarë, për të cilën  Hygerta flet për Grupin Mediatik të Kinës, duke ndarë detaje rreth këtij eventi si edhe nga jeta e saj profesionale.

CMG: Hygerta, rëndësia e atdheut për ty si matet ?

Hygerta Aruçi: Asnjëherë nuk matet dashuria që kam për vendin tim. Aty me mbajnë lidhur mijëra kujtime, të cilat i kam forcuar nga njeri vit në tjetrin. Kam familjen time, që qëndron dhe vepron ende në atdhe dhe mbi të gjitha këto kam zemren time. Çdo sukses apo arritje të vogël une ia dedikoj Shqipërisë.

Këtu në Gjermani kam hapur edhe dy kompani te miat të cilat i kam shtrirë në Shqipëri dhe Kosovë.

CMG: Çfarë është dija për ju ?

Hygerta Aruçi: Është një proces i pandalshëm që e mban njeriun gjithnjë pranë vetes . Unë në fakt kam qenë dhe vijoj të jem ndër ato vajza që e kam vlerësuar shumë dijen si proces dhe kam qenë në kërkim të saj. Aktualisht jam e dedikuar për të vazhduar studimet. Në profesion jam jurist, por po kërkoj nga vetja të kap një tjetër sukses siç është edhe të qenit gjyqtare që uroj dhe besoj që shumë shpejt do te jem .

CMG: A lidhet karakteri juaj personal me degën e studimeve?

Hygerta Aruci: Çdo zgjedhje lidhet me mua dhe çdo vendim më pas.

Unë që në fëmijëri kam qenë një vajzë që mbroja fort të drejtat e njerëzve dhe u tregoja atyre formën për të mbërritur tek e drejta. Kisha përherë një zë të brendshëm që fliste për të kërkuar drejtësi, kuptohet në gjëra ende të vogla.

Pastaj  duke u rritur, duke kuptuar që unë vetë nuk heq dot dorë nga ky profesion sepse më jep kënaqësi drejtësia si koncept. Ja ku jam sot, rrugës për të mbërritur në finish

CMG: Cilat janë disa nga fjalët që i përdor më shpesh ?

Hygerta Aruçi: Unë shpesh them "Faleminderit!". Kjo është një fjalë që i tregon të gjitha. Urtësinë e një njeriu , bujarinë, vërtetësinë dhe një lloj përulësie të bukur . Më pëlqen të them faleminderit në çdo rast sepse është mirë të jemi mirënjohës ndaj veprave që të tjerët bëjnë për ne, qofshin ato të mëdha apo të vogla.

CMG: Marëdhënia që keni me kujtimet, si përpiqeni t'i mbroni ato ?

Hygerta Aruçi: Nje tjetër karakteristikë e imja është kujtesa e fortë. Jam e gatshme të kujtoj me kthjelltësi çdo gjë që ka ndodhur në jetën time. Nuk përpiqem kurrësesi të anashkaloj miqtë e mi më të mirë, i mbroj sepse me ta ndërtova dhe po vazhdoj të ndërtoj kujtime të bukura. Universiteti skaliti në kujtesën time një kështjellë kujtimesh ku unë ulem dhe gjej veten time në qindra e mijëra momente dhe versione.

Jam unë përballë kujtimeve shpesh që gëzoj, përjetoj lumturi dhe pse jo pak nostalgji e mall. Koha kalon dhe ne jemi udhëtarë në të. Ajo na mëson që nga njëra kohë në tjetrën kujtimet i lënë vendin njëra -tjetrës.

CMG: Ju jeni produkt pune apo ëndrrash?

Hygerta Aruçi: Unë asnjëherë nuk kam besuar që një njeri vetëm falë ëndrrave do të mbërrinte larg . Është si të thuash nuk po bëj asgjë, por besoj që gjëra të mira do të vijnë për darkë tek unë.

Nëse ti nuk gatuan, nuk ke çfarë shijon. Nëse nuk udhëton, nuk ke çfarë sheh.

Nëse nuk lexon, nuk ke çfarë të dish.

Pra, nëse ne do të ishim vetëm produkt i ëndrrave do ishim shuar të gjithë sepse ëndrrat janë një çast, ndërsa e gjithë pjesa tjetër është punë. Personalisht jam lodhur shumë dhe kam sakrifikuar nga çdo gjë madje edhe nga shëndeti. Nuk e kam preferuar dhe s'do ta preferoj kurrë viktimizimin si armë për të arritur diku, ndërsa vazhdimisht do të jem në kërkim të ëndrrave dhe në insistim të punës.

CMG: Si ndiheni që tani keni themeluar dy kompani tuajat?

Hygerta Aruci : Te thuash si ndihem është pak. Kam një ngatërrim emocionesh. Ndiej rëndësinë e kësaj gjeje tek rritet dhe ndjej edhe përgjegjësinë time që duhet t'i menaxhoj. Ende nuk dua të ndaj detaje suksesi sepse janë thjesht fillimet e mia

CMG: Ju keni bashkëpunuar që për festat e nëntorit të festoni në Essen të Gjermanisë. Si erdhi ky organizim?

Hygerta Aruçi: Ishte një nga festat më të bukura. Mbi 200 shqiptarë festuan nën tingujt e muzikës shqiptare sepse ne e ndiejmë shumë mungesën e vendit tonë . Falënderojmë Konsullatën e nderit në Essen që na lejoi dhe mblodhi për të festuar. Gjermania është një vend multikulturor, i cili pranon dhe feston bashkë me ty. Jemi ndierë dhe ndihemi si në shtëpinë tonë .

Intervistoi:Megi Latifi