Kryeministri kinez mirëpret investimet e kompanive të huaja në Kinë
2022-12-02 16:36:05

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Kryeministri kinez Li Keqiang mirëpriti të enjten kompanitë e huaja të vazhdojnë investimet në Kinë, gjatë takimit me presidentin e Këshillit Europian Charles Michel në Pekin.

Duke u bërë thirrje të dy palëve për t'u hapur më tej ndaj njëri-tjetrit, Li Keqiang tha se Kina do të mbetet gjithmonë e angazhuar ndaj politikës bazë shtetërore të hapjes, do të vazhdojë të nxisë një mjedis ndërkombëtar biznesi të orientuar nga tregu e të bazuar në ligj dhe do t’i trajtojë të tëra kompanitë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë.

Kreu i qeverisë kineze u shpreh më tej se Kina do të vazhdojë hapjen e sektorit financiar dhe do të inkurajojë më shumë investime nga investitorët e huaj institucionalë të kualifikuar, duke ruajtur stabilitetin financiar të brendshëm.

Kina do të përpiqet të ruajë stabilitetin thelbësor të normës së këmbimit të monedhës saj renminbi (RMB) dhe do ta mbajë atë në një nivel të arsyeshëm e të ekuilibruar, tha ai.

Pala kineze është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Bashkimin Europian në bazë të respektit e barazisë së ndërsjellë, duke i trajtuar siç duhet dallimet, për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm e të qëndrueshëm të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-BE, u shpreh Li, duke theksuar se Kina shpreson të shohë një BE të bashkuar e të begatë.

Nga ana e tij, Michel tha se BE ndjek politikën e “Një Kine” dhe shpreson që takimi i fundit i udhëheqësve BE-Kinë të jetë i suksesshëm.

Ai shprehu ngushëllimet e tij të thella rreth vdekjes së shokut Jiang Zemin.

Të dy palët ranë dakord të mbrojnë tregtinë e lirë dhe stabilitetin e zinxhirëve ndërkombëtarë të furnizimit dhe të trajtojnë së bashku ndryshimin e klimës, sigurinë energjetike dhe sfida të tjera globale.

Ata diskutuan edhe për krizën në Ukrainë. Li tha se Kina mbështet përpjekjet për zgjidhjen e kësaj krize në mënyrë paqësore dhe do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në këtë drejtim.