Hapet klinika ambulatore e rikonstruktuar e HIV-AIDS, testim e trajtim falas
2022-12-02 15:59:59

Në ambientet e Spitalit Infektiv u hap klinika ambulatore e rikonstrukturar e HIV-AIDS.

Në Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër SIDA-s, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, së bashku me mjekët e Spitalit Infektiv, ekspertë të shëndetit publik dhe përfaqësues të organizatave partnere që punojnë për luftën kundër HIV-AIDS, morën pjesë në aktivitetin e organizuar me këtë rast në klinikën e rikonstruktuar në Spitalin Infektiv.

Duke folur për mbulimin e të sëmurëve, ministrja Manastirliu e vuri theksin te rëndësia e testimit për të sëmurët me HIV-AIDS, shkruan “ATSH”.

“Lajmi i mirë është që për vitin 2022 janë kryer mbi 50 mijë testime, ose 16 % më shumë se viti 2021, sidomos është rritur numri i testimeve për sa i përket grave shtatzëna. Ajo çfarë është e rëndësishme për të kontrolluar sa më mirë infeksionin, por edhe për ta trajtuar sa më mirë atë është trajtimi dhe diagnostikimi i shpejtë. Ndaj fokusi i punës sonë këtu është përqendruar tek testimi, tek kapja e shpejtë e rasteve të cilët janë të prekura”,- deklaroi ministrja Manastirliu.

Duke folur për trajtimin e të prekurve nga HIV-AIDS, Manastirliu tha se garantohet plotësisht trajtimi me antiretroviralë për fëmijë dhe të rritur dhe nuk ka asnjë mungesë.

Në Ditën Botërore të SIDA-s, mjekët bënë apel për rritjen e ndërgjegjësimit për testimin e shpejtë në mënyrë që të fillohet sa më parë terapia për të prekurit nga HIV-AIDS.
Sa i takon të dhënave të infeksionit HIV, Shqipëria është një vend me incidencë të ulët të përhapjes së këtij infeksioni. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, gjatë vitit 2022 janë identifikuar 80 raste të reja me HIV-AIDS. Gjatë këtij viti, numri më i lartë i rasteve të diagnostikuara i përket gjinisë mashkullore, ku nga 80 raste, 61 janë meshkuj. (Irma)